Po rriten më shpejt dhe më tepër pagat apo çmimet e apartamenteve dhe kostoja e jetesës, në vendin tonë?
Vlerësohet aktualisht se janë rreth 40 mijë apartamente stok në Tiranë, shumica u takojnë ndërtuesve. Ndërkohë, paradoksalisht ndërtimet nuk ndalen, çmimet rriten dhe të rinjtë duke e parë më të vështirë që të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre, vazhdojnë të largohen në emigracion.
Sipas ekspertëve të ekonomisë, kemi të bëjmë me një paradoks. Joana Shima, pedagoge e Fakultetit Ekonomik në Universitetin Europian të Tiranës, për “Liberale.al” duke analizuar tregun e pasurive të paluajtshme, vë në dukje ndryshimet dhe rritjen e vazhdueshme të çmimit të banesave në zonat e ndryshme të kryeqytetit.
“Gjendja e tregut të pasurive të paluajtshme në Tiranë ka kaluar një periudhë dinamike gjatë viteve të fundit. Rritja e çmimeve të apartamenteve ka qenë një fenomen i dukshëm gjatë dekadës së fundit. Çmimi për metër katror mund të arrijë deri në 2,000 – 2,500 EUR/m² por edhe më lart në disa zona të kërkuara si Blloku. Në zonat periferike dhe më larg qendrës, çmimi mund të variojë në 1,000 – 1,500 EUR/m², edhe pse ka pasur një rritje të ndjeshme në vitet e fundit si pasojë e zhvillimeve të infrastrukturës dhe ndërtimeve të reja”, thekson Joana Shima.
Më tej, në analizën që i referohet të dhënave më të fundit, Joana Shima vlerëson se çmimet aktuale përballë kostos së jetesës janë deri diku të pajustifikuara, në vendin tonë.
“Sipas Numbeo-s, për vitin 2024, çmimi për blerje apartamenti në Tiranë në zonën e qendrës është 2,358.53 € metër/katror, ndërsa në zonat jashtë qendrës është 1,332.89 € metër/katror. Qiraja mujore për apartamentet (1+1) pranë qendrës është 496.75 €, jashtë qendrës 346.08 €, ndërsa për apartamentet (2+1 dhe 3+1) pranë qendrës qiraja arrin 938.66 € dhe jashtë qendre 593.96 €””, shprehet Joana Shima.
Edhe pse ka një rritje në nivelin e pagave gjatë vitit të fundit, me ritme më të shpejtë ka vijuar dhe vazhdon pa u ndalur rritja e çmimit të banesave sipas vlerësimit të ekspertes së ekonomisë, Joana Shima, ndaj edhe shihet e nevojshme ndërhyrja e qeverisë për normalizimin e tregut.
“Nga ana tjetër, paga mesatare në Shqipëri është shumë më e ulët se ato të vendeve të zhvilluara të Europës. Për vitin 2024, paga mesatare bruto në Shqipëri është rreth 550-600 EUR/muaj. Kjo ka krijuar një hendek të madh mes çmimeve të pasurive të paluajtshme dhe mundësive financiare të shumicës së qytetarëve shqiptarë, që përbën një nga sfidat më të mëdha për individët që kërkojnë të blejnë apartamentin e parë në Tiranë. Paga mesatare nuk është e mjaftueshme për shumicën e shqiptarëve që të paguajnë për një apartament pa mbështetje financiare të jashtme, siç janë kreditë bankare. Megjithatë, normat e interesit të larta dhe kërkesa për sigurimin e një shume të madhe si parapagim e bëjnë të vështirë për shumicën e qytetarëve investimin në pasuri të paluajtshme. Rritja e çmimeve nuk është e lidhur vetëm me mundësitë financiare të qytetarëve, por gjithashtu me rritjen e kërkesës, rritja e investimeve të huaja në pasuri të paluajtshme, infrastruktura dhe zhvillimi urban, treguesit informalë etj.”
Përballë këtij paradoksi, pedagogia e Fakultetit Ekonomik në UET, Joana Shima, thekson se është e nevojshme të hidhen hapat e duhur për të rikthyer tregun në normalitet. Ajo thotë se qeveria përmes mekanizmave të saj duhet të simulojë ofertën në treg për të krijuar kushte më të favorshme, veçanërisht për të rinjtë dhe çiftet e reja që e shohin të ardhmen në vendlindje.
“Paradoksi qëndron në rritjen e ofertës së apartamenteve nga ndërtuesit, rritjen e çmimit të tyre dhe rritjen e stokut të apartamenteve bosh. Ndërhyrja e qeverisë në tregun e pasurive të paluajtshme mund të sjellë disa përfitime për shoqërinë. Në vend të uljes direkte të çmimeve, qeveria mund të ndihmojë në krijimin e kushteve që stimulojnë ofertën dhe bëjnë të mundur një qasje më të barabartë dhe të qëndrueshme në strehim për të gjithë qytetarët.”
“Ndërhyrjet e mundshme,” – vijon Shima, – nga ana e qeverisë mund të përfshinin: përjashtime nga taksat; uljen e taksave për ata që blejnë apartamentin e parë (përjashtim nga taksat e transferimit të pronës ose ulje të taksës së regjistrimit të pasurisë); ofrimi i subvencioneve për të ndihmuar në mbulimin e pjesës së parapagimit, skemat e subvencionimit me sistemin bankar për lehtësimin e kushteve të kredive në lidhje me normën e interesit, zgjatjen e afatit te maturimit, dhe garantimin e kolateralit. Ndërhyrja e fundit e qeverisë ishte ofrimi i kredisë me interes zero për 530 punonjës të administratës publike. Kjo ndërhyrje duhet të zhvillohet edhe më tej dhe duhet t’ju ofrohet edhe punonjësve të institucioneve private”, – thotë në mbyllje të analizës së saj, Joana Shima.
Duhet theksuar nga ana tjetër se fluksi i turistëve është një tjetër faktor qa ka ndikuar në rritjen e papritur të çmimeve të banesave, kryesisht të qirave, duke ndikuar direkt në jetën e shumë familjeve dhe të rinjve që jetojnë me qira në Tiranë. Shumë vende të tjera po marrin masa konkrete mbi efektin e kundërt që jep turizmi, kryesisht në rritjen e çmimit të qirave.