• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, October 30, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Bota

“Çmim i arsyeshëm”, brenda tregtisë së paligjshme të foshnjave në Iran

by Java News
30/10/2026 09:00
“Çmim i arsyeshëm”, brenda tregtisë së paligjshme të foshnjave në Iran

Foto: Botë

Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Një grua, e cila thotë se drejton një organizatë bamirësie, po ofron shitjen e një foshnjë për tre miliardë rialë apo rreth 1.100 dollarë. Oferta përfshin gjithçka, nga ekzaminimet me ultrazë deri te certifikata e lindjes, ndërsa pagesa kërkohet pas dorëzimit të foshnjës.

Oferta të tilla po qarkullojnë në rrjetet sociale në Iran, pavarësisht se shitja e fëmijëve është e ndaluar me ligj.

Ndërmjetësit në këto kanale përdorin gjuhën e bamirësisë dhe të birësimit për të kërkuar shuma që arrijnë në miliarda rialë, sipas një hulumtimi të Radios Farda të Radios Evropa e Lirë (REL), të bazuar në shqyrtimin e kanaleve në Telegram dhe në intervista me aktivistë, infermierë dhe vetë ndërmjetësit,

Disa shkojnë edhe më tej, duke ofruar regjistrimin e lindjes së një foshnjë në emër të një gruaje që nuk është nëna e saj biologjike. Të tjerë organizojnë vendosjen e foshnjave në familje iraniane që jetojnë jashtë vendit.

Një infermiere, e cila ka njohuri për këto marrëveshje, i tha Radios Farda se tre miliardë rialë konsiderohen “çmim i arsyeshëm për një foshnjë”.

Një “dhuratë” për një djalë të porsalindur

Një kanal në Telegram, i cili mbledh para për gratë dhe fëmijët në gjendje të vështirë, publikoi një thirrje për ndihmë për një grua në muajin e tetë të shtatzënisë, e cila, sipas pretendimeve, ishte dëbuar nga shtëpia. Thirrja shumë shpejt u shndërrua në ofertë: foshnja e saj për 1.5 miliard rialë (rreth 550 dollarë), plus shpenzimet e spitalit.

Administruesja e kanalit, e cila e quan veten “Doktoresha”, i tha Radios Farda se organizon dërgimin e të porsalindurve të braktisur në familje birësuese.

“Do të parapëlqeja që foshnjat të shkonin te familjet dhe jo te Behzisti”, tha ajo, duke iu referuar Organizatës Shtetërore të Mirëqenies Sociale.

Ajo tha se blerësit mund të zgjedhin gjininë e një foshnje deri në 10 ditëshe. Sipas saj, foshnjat janë të shëndetshme dhe prindërit e tyre nuk kanë histori të varësisë nga droga. Ajo shtoi se blerësit mund ta marrin me vete mjekun e vet për ta kontrolluar fëmijën.

Ajo pretendoi se certifikata e lindjes, letërnjoftimi dhe dokumentacioni mjekësor mund të rregulloheshin në mënyrë që blerësit të figuronin si prindër të foshnjës. Shtoi se procesi ishte konfidencial dhe se nuk do të mbetej asnjë gjurmë që do të çonte te blerësi. Radio Farda nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime.

Procesi nis me dorëzimin e dokumenteve të identifikimit nga blerësit dhe hapjen e një dosjeje, për të cilën kërkohen 200 milionë rialë (rreth 75 dollarë).

Në një komunikim tjetër, administruesja e kanalit tha se një djalë të porsalindur e kishin të gatshëm për ta dorëzuar. Pas diskutimit të kushteve, ajo kërkoi tre miliardë rialë. Ajo e quajti këtë shumë parash “dhuratë”, e cila do të mbulonte procedurat ligjore, shpenzimet e spitalit dhe mbështetjen për familjen biologjike të foshnjës.

Gjatë bisedës, versioni i saj për prejardhjen e foshnjave ndryshoi: fillimisht tha se bëhej fjalë për të porsalindur të braktisur në spitale, ndërsa më pas tha se ishin fëmijë të familjeve tepër të varfra për t’i rritur.

Lindja regjistrohet në emër të një gruaje tjetër

Një infermiere në repartin e maternitetit, e cila thotë se në vitin 2021 kishte ndërmjetësuar kalimin e një foshnjë te një familje iraniane në Shtetet e Bashkuara, përshkroi se si mund të funksionojë një marrëveshje e tillë.

Sipas infermieres, nëna biologjike, e cila tashmë kishte katër fëmijë, dëshironte ta ndërpriste shtatzëninë e saj të pestë gjatë tremujorit të parë, për shkak të varfërisë. Por një familje që dëshironte ta merrte foshnjën përsipër fillimisht pagoi vizitat e saj te mjeku, ekzaminimet me ultrazë dhe një pjesë të shpenzimeve të jetesës. Ajo pranoi ta dorëzonte fëmijën për 700 milionë rialëve, shumë që në vitin 2021 vlente rreth 2.560 dollarë.

Sipas infermieres, rezultatet e ultrazërit dhe analizat u regjistruan në emër të nënës birësuese, ndërsa vajza e porsalindur u lirua nga spitali me atë emër. Dy gratë në fjalë nuk u takuan asnjëherë, tha ajo, ndërsa foshnja u dërgua në Shtetet e Bashkuara rreth një muaj pas lindjes. Radio Farda nuk ka mundur t’i konfirmojë në mënyrë të pavarur këto hollësi.

Infermierja tha se disa familje përdorin makijazh, veshje për gratë shtatzëna dhe fotografi të inskenuara për të krijuar përshtypjen se nëna birësuese e ka mbajtur vetë shtatzëninë.

Ajo theksoi se ligji iranian u lejon iranianëve që jetojnë jashtë vendit të aplikojnë për kujdestarinë e fëmijëve përmes misioneve diplomatike të republikës islamike, por disa familje e shmangin këtë procedurë.

Një tjetër kanal në Telegram reklamonte një vajzë tri ditëshe dhe një djalë shtatëditor. Personat e interesuar për t’i marrë u udhëzuan ta telefononin një grua, të cilën kanali e prezantonte si “Zonja Doktoreshë”.

Kur u kontaktua nga Radio Farda, ajo tha se mirëpriste dërgimin e foshnjave në familje iraniane që jetojnë jashtë vendit, por se dikush brenda Iranit duhej të merrej me dokumentacionin dhe procedurat pasuese.

Ajo tha se kërkon gjithashtu dokumentet e identifikimit dhe pagesa paraprake, si dhe sugjeroi që lindja të planifikohej në mënyrë që të përkonte me vizitën e blerësit në Iran.

Sipas saj, në dispozicion kishte edhe binjakë. Ajo tha se foshnjat vinin nga shtatzëni të padëshiruara në familje që nuk kishin mundësi t’i rrisnin. Ajo shtoi se takohet dy ose tri herë personalisht me çiftet e interesuara për të vlerësuar nëse janë të përshtatshme.

Hapja e një dosjeje kushton 100 milionë rialë (rreth 37 dollarë), ndërsa për binjakët kërkohen edhe 300 milionë rialë shtesë (rreth 110 dollarë), tha ajo.

Problem i hershëm

Një infermiere në repartin e maternitetit të një spitali shtetëror i tha Radios Farda se spitali i saj dërgon të paktën dy të porsalindur në muaj te Behzisti, kryesisht për shkak se nënat e tyre janë të varura nga droga ose familjet nuk kanë mundësi të kujdesen për ta. Ajo shtoi se disa foshnje thjesht braktisen në spitale.

Autoritetet iraniane e kanë pranuar prej kohësh ekzistencën e problemit të shitjes së foshnjave. Në janar të vitit 2022, një zyrtar i lartë i Behzistit tha se shitja e foshnjave ishte në rritje dhe se marrëveshje të tilla ndonjëherë organizoheshin edhe para lindjes.

Një muaj më vonë, kreu i policisë kundër krimeve kibernetike në Teheran njoftoi arrestimin e një grupi që kishte ofruar foshnja për shitje në internet, me çmimin prej 1.2 miliard rialësh (rreth 4.750 dollarë në atë kohë). Më shumë se katër vjet më vonë, oferta të ngjashme vazhdojnë të qarkullojnë në Telegram.

The post “Çmim i arsyeshëm”, brenda tregtisë së paligjshme të foshnjave në Iran appeared first on Euronews Albania.

Burimi: Botë

Next Post
“Shmangni provokimet ndaj Rusisë!”, zbulohet mesazhi i zyrtarëve të Pentagonit për disa shtete të NATO-s

"Shmangni provokimet ndaj Rusisë!”, zbulohet mesazhi i zyrtarëve të Pentagonit për disa shtete të NATO-s

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Identifikohet një nga autorët e grabitjes në “Rrugën e Kombit” në 2021, shpallet në kërkim 36-vjeçari

Identifikohet një nga autorët e grabitjes në “Rrugën e Kombit” në 2021, shpallet në kërkim 36-vjeçari

October 30, 2026
Xi spastron Partinë Komuniste të Kinës, largon 33 zyrtarë të lartë të saj gjatë një mbledhje

Xi spastron Partinë Komuniste të Kinës, largon 33 zyrtarë të lartë të saj gjatë një mbledhje

October 30, 2026
Protestat për vrasjen e Arlinda Zekajt, jep dorëheqjen drejtori i Policisë së Kosovës

Protestat për vrasjen e Arlinda Zekajt, jep dorëheqjen drejtori i Policisë së Kosovës

October 30, 2026
Mbyllet Novaya Gazeta, gazeta e fundit opozitare në Rusi: Na kanë vrarë!

Mbyllet Novaya Gazeta, gazeta e fundit opozitare në Rusi: Na kanë vrarë!

October 30, 2026

Horoskopi ditor për nesër, e Shtunë 31 Tetor 2026

October 30, 2026
“Rama ka urdhëruar mercenarë të paguar”, Berisha thirrje demokratëve t’i bashkohen protestës së nesërme

“Rama ka urdhëruar mercenarë të paguar”, Berisha thirrje demokratëve t’i bashkohen protestës së nesërme

October 30, 2026
Sulmohet një grua në Paris, plagoset me thikë në sy të vajzës së saj 6-vjeçare! Autori në arrati

Sulmohet një grua në Paris, plagoset me thikë në sy të vajzës së saj 6-vjeçare! Autori në arrati

October 30, 2026
Theu xhamat e Gjykatës Kushtetuese, në pranga protestuesit 19-vjeçar, procedohen 5 të tjerë

Theu xhamat e Gjykatës Kushtetuese, në pranga protestuesit 19-vjeçar, procedohen 5 të tjerë

October 30, 2026
Bisedimet në Abu Dhabi, Rusia: Zyrtarët evropianë nuk do të marrin pjesë drejtpërdrejt në negociatat për Ukrainën

Bisedimet në Abu Dhabi, Rusia: Zyrtarët evropianë nuk do të marrin pjesë drejtpërdrejt në negociatat për Ukrainën

October 30, 2026
Transferimi i Veliajt në Fier, Gogu i kthen përgjigje Xhafajt e Çuçit: Kam urdhëruar inspektim për rastin

Transferimi i Veliajt në Fier, Gogu i kthen përgjigje Xhafajt e Çuçit: Kam urdhëruar inspektim për rastin

October 30, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In