Zyrtarët e qytetit Okland (Auckland) në Zelandën e Re kanë vendosur të fusin në izolim të plotë 1,5 milionë banorë, për shkak se kanë identifikuar 3 raste me koronavirus, 2 prej të cilëve janë me variantin e ri britanik.
Të infektuarit janë të gjithë pjesë e së njëjtës familje (mamaja, babai dhe vajza). Kryeministrja Jacinda Ardern tha se një prej tyre punonte në një kompani që merrej me pastrimin e uniformave të një kompanie ajrore. Kryebashkiaku i qytetit, Phil Goff, tha për CNN se besohet që ka qenë pikërisht ky person që është infektuar i pari.
Autoritetet vendosën që të izolonin të gjithë banorët për të paktën tri ditë, duke nisur nga e diela. Gjatë kësaj periudhe do të testohen deri në 7000 persona dhe nëse rezultatet dalin të gjitha negative, atëherë masa e izolimit total do të hiqet. Deri të hënën, nuk kishte asnjë rast të ri të konfirmuar.