Tre arinj në robëri janë konfiskuar sot nga Ministria e Mjedisit. Kështu, në vijim të zbatimit të marrëveshjes së bashkëpunimit midis Ministrisë së Mjedisit dhe Fondacionit “Katër Putrat” me qendër në Austri, i specializuar për arinjtë, prej ditës së djeshme kanë filluar një seri inspektimesh në bashkëpunim me ISHMP-në dhe AKZM-në për konfiskimin e 3 arinjve, që mbaheshin në Zerqan (Bulqizë), Ulëz (ariu Tomi) dhe Levan (Fier).
Gjatë këtyre inspektimeve ditën e sotme është bërë e mundur vendosja e përkohshme e ariut Tomi nga Ulza në Kopshtin Zoologjik të Tiranës, me asistencën e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit pranë Bashkisë Tiranë. Lidhur me këtë fakt, Zëvendësministri Kledi Xhaxhiu u shpreh për mediat se Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me institucionet e saj të varësisë për të parën herë ka adresuar një problematikë të trashëguar në vite. “Ministria e Mjedisit është e vendosur t’i thotë “stop” këtij fenomeni”, tha Xhaxhiu duke theksuar se synohet edhe ndërgjegjësimi i publikut për të adresuar fenomenin e mbajtjes së paligjshme të këtij lloji të faunës së egër në robëri.
Ndërkohë, kreu i Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, Blendi Gonxhja, shprehu kënaqësinë që Kopshti Zoologjik ofron këtë mundësi strehimi të përkohshëm për arinjtë në robëri si dhe theksoi se po punohet për ngritjen e qendrës në zonën e Dajtit për të mbajtur arinjtë në vendin tonë. Përfaqësues i Fondacionit “Katër Putrat”, Carsten Hetëig shprehu konsideratën për angazhimin e Ministrisë së Mjedisit për shpëtimin e ariut Tomi dhe transferimin e tij në strehimoren e Prishtirnës, duke theksuar se aksioni vjen pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit midis Ministrisë së Mjedisit dhe fondacionit austriak. Përveç ariut Tomi është kryer vaksinimi dhe vendosja e mikroçipeve edhe për dy arinj të tjerë në robëri, në Bulqizë dhe Fier. Pas përfundimit të dokumentacionit të nevojshëm në një periudhë të shkurtër do të realizohet transferimi i të tre arinjve në strehimoren “Pylli i arinjve” në Prishtinë, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.
Ky aksion është në vijim të hapave të ndërmarrë nga Ministria e Mjedisit për adresimin e këtij problemi në zbatim të kuadrit ligjor për biodiversitetin dhe mbrojtjen e faunës së egër.
Kështu në Prill 2016 u bë i mundur transferimi i 3 arinjve që mbaheshin në zonën e Divjakës për në Qendrën e Rehabilitimit ARCTUROS në Follorinë të Greqisë. Në Maj 2016 u realizua transferimi i i një ariu në një strehimore të përhershme pranë Mynihut (Gjermani). Në fillim të Gushtit 2016 u sekuestruan 2 arinj të vegjël që mbaheshin në zonën e Sarandës dhe u bë vendosja e tyre përkohësisht në Kopshtin Zoologjik, ndërkohë që është në proces përgatitja e dokumentacionit dhe në një kohë të shkurtër do të kryhet transferimi i tyre në një qendër për arinjtë në Gjermani. Po kështu në fund të Korrikut 2016, u konfiskua ariu Sonja që mbahej në zonën e Vlorës dhe është në procedurë përgatitja e lejeve të nevojshme për vendosjen e saj pranë parkut të Abruzos (Itali).
Ministria e Mjedisit po punon për të patur një bazë të plotë të dhënash për numrin e saktë të këtyre individëve (që është rreth 50) dhe vendosja e mikroçipeve për identifikimin dhe matrikulllimin e tyre. Çdo individ që do të identifikohet pas kësaj faze si mbajtës i arinjve në robëri do të ndëshkohet sipas legjislacionit në fuqi, me sekuestrimin dhe konfiskimin e menjëhershëm të tyre. Hapat e ndërmarrë gjatë këtij viti nga Ministria e Mjedisit janë konkretizuar në Mars 2016 me nënshkrimin nga Ministri i Mjedisit, Lefter Koka të Marrëveshjes së Bashkëpunimit midis Ministrisë së Mjedisit dhe Fondacionit “Katër Putrat”, që do të ofrojë asistencë teknike në ngritjen e të parës qendër strehimore për arinjtë në Shqipëri. Pak ditë më parë, në një reportazh të ‘Daily Mail’, tregohej se arinjtë trajtoheshin në mënyrë barbare. Ata lidheshin me zinxhirë, përdoreshin për argëtimin e njerëzve dhe për të bërë selfie.
BW/d.i.