Të dielën qytetarët e Meksikës zgjodhën si presidente një grua, një shkencëtare të arrirë në fushën e fizikës e të mbrojtjes së ambientit, një personi që i përket kulturës religjioze hebraike. Pa zarf, pa pazare koalicionesh, pa kalkulime favoresh që do të jepen në Kongres qytetarët me votë të tyre të drejtpërdrejtë i dhanë përkrahjen më të madhe që i është dhënë ndonjëherë ndonjë kandidati presidencial
Nga Veton Surroi
1.
Claudia dhe unë kemi qenë në të njëjtin Universitet, në të njëjtin qytet dhe si e vogël ka banuar në një lagje që ishte nja pesë a dhjetë minuta këmbë prej shtëpisë ku jetoja dhe ku zakonisht jetonin hebrenjtë. Emrat e apartamenteve bartnin më vete në shumicë prapashtesa të Evropës Qendrore dhe lindore, -ovsky, -stein e –baum dhe ndonjëherë, për dallim prej këtyre ashkenazi, edhe pa prapashtesa e të identifikueshme në familjen sefardike të emrave. Para se të bëhej për moshë universiteti, prindërit e saj u zhvendosën në një shtëpi më afër Universitetit. Që të dytë ishin profesorë dhe që të dytë ishin të majtë, siç ishte i tërë Universiteti ynë, Universidad Nacional Autonoma de Mexico. Në fakultetin e saj, atë Fizikës, studentët e politizuar vazhdonin një lëvizje politike pak më të majtë se socialdemokracia. Në timin, të Filozofisë dhe Letërsisë, studentët e politizuar ishin edhe më të skajshëm, diku në afërsi të Maos- njëri prej liderëve studentorë krenohej me njohurinë me Enver Hoxhën dhe Shqipërinë si model të shtetit ideal.
Claudia e këtij rrëfimi, Claudia Sheinbaum Pardo u zgjodh të dielën presidente e Meksikës.
Rrëfimi mes Claudias dhe meje nuk vazhdon; nuk e kam njohur ndonjëherë, por e kam njohur ambientin ku është rritur dhe zhvilluar dhe e kam përcjellë nga shumë larg ndryshimin e këtij shteti, prejse u largova prej tij më 1982.
Asokohe Claudia ishte ende studente, Meksika funksiononte praktikisht si një sistem njëpartiak, nën sundimin e PRI që mbante një emër plotësisht domethënës: Partia Revolucionare Institucionale; në interpretim e udhëheqësve të tyre Revolucioni meksikan i vitit 1910 është institucionalizuar dhe këtë institucionalizim e bëri Partia. Një interpretim të ngjashëm, por me më shumë shpjegime intelektuale evropiane, me Marks, Engels dhe Lenin i bënë pastaj partitë komuniste të Lindjes evropiane.
Kur ajo përfundoi studimet më 1989, u nis për magjistraturë dhe doktoraturë në Berkley të Kalifornisë-specializimet e saj janë përdorimi i energjisë në sistemin e transportit kolektiv dhe përdorimi i energjisë në ndërtim-vendi nisej për në drejtim tjetër. Meksika ishte vend gjithnjë e më i korruptuar, gjithnjë e më i padrejtë ndaj të varfërve, gjithnjë më i dhunshëm dhe gjithnjë më i eksplotuar në resurset e veta natyrore, prej gazit e naftës e deri te turizmi. Dhe, së shpejti do të bëhej vendi i cili falë marrëveshjes së tregtisë së lirë me SHBA-të e Kanadanë (NAFTA) do të shndërrohej në qendrën shpërndarëse të kokainës për në Amerikë e tutje.
3.
Fjala “macho” dhe derivati i saj “machoismo” që në gjuhët evropiane është përkthyer në variante të ndryshme të asaj që në shqipe quajmë maçizëm rrjedh nga Meksika dhe u zhvillua nga sociologjia bashkëkohore për të shpjeguar modelin dominues të mashkullit në shoqëri. “Macho” në të folmen e përditshme të meksikanit është “burrë” dhe përdorej ashtu si edhe në gjuhën shqipe, si sinonim i trimërisë, forcës e vendosmërisë. Por në kuptimin e fenomenit shoqëror dominues u shndërrua në simbol të diskriminimit e shtypjes së grave.
Meksika i dha një kthesë të rëndësishme “maçizmit” në fillim të këtij shekulli dhe për këtë kishte meritën e vet edhe Claudia Sheinbaum. Në fillim të këtij shekulli, në krye të qytetit të Meksikës (që sot zyrtarisht në regjionin metropolitan ka 22.5 milionë banorë) erdhi një figurë që disa e përshkruajnë si reformator, disa si popullist, disa si demagog e disa si kryebashkiaku më i mirë që ka pasur ky qytet, njeriu që njihet me inicialet AMLO (Andres Manuel Lopez Obrador). Si personin që do të merrej me mbrojtjen e ambientit, një problem ekzistencial i këtij qyteti zgjodhi personin që kishte doktoruar për këtë dhe që kishte afinitete të ngjashme politike. Me një sërë zgjidhjesh teknike e urbanistike-përfshirë edhe ato të ndërtimit të autostradave qarkore në kat e me pagesë për shfrytëzuesit-Claudia Sheinbaum dëshmoi se mund të ballafaqohej me problemet më të vështira.
Provimin e dha kur u bë vetë kryebashkiake, prapë me përkrahje të AMLO që ndërkohë u zgjodh president. Krimi galopant i kryeqytetit të Meksikës u ballafaqua me një shkencëtare e cila e shikoi problemin si një që kërkon analizë shkencore. Prej vitit 2018 deri më 2023 sa ishte kryebashkiake e mbushi qytetin me kamera vëzhgimi dhe vendosi përqendrimin e forcave policore proporcionalisht me lartësinë e krimeve. Gjatë mandatit të saj shkalla e vrasjeve u përgjysmua.
Pashë me sytë e mi ndryshimin më 2023. Ecja lirisht me familjen time rrugëve të qendrës së qytetit, atyre rrugëve që para një dhjetëvjetëshi nuk mund të ecej lirisht as ditën e lërë më natën, siç bënim ne.
4.
Kur ta marrë mandatin në tetor të këtij viti, Claudia Sheinbaum Pardo do të ballafaqohet me dimensionin e tmerrshëm të dhunës së vendit. Në Meksikë bandat e drogës dhe kultura e dhunës po zhvillojnë një luftë kundër shtetit. Drejtësi janë duke kërkuar familjarët e 100 mijë të zhdukurve-viktima të klaneve të drogës dhe operacioneve paramilitare. Në gjashtë vjetët e fundit janë vrarë 180 mijë njerëz- shifra që zakonisht në vende të tjera të botës identifikohen si viktima lufte.
Çdo president që ka marrë pushtetin përgjatë këtij shekulli ka konstatuar se çështja e parë në agjendë do të jetë siguria dhe kjo do të ndodhë edhe për presidenten e re. Por, këso here në krye të vendit nuk është vetëm një person që i hyn zgjidhjes së problemeve me analizë të thukët shkencore. Këso është edhe një vend që ka ndryshuar thelbësisht.
Të dielën qytetarët e Meksikës, të shtetit që shpiku “machoizmin” zgjodhën si presidente një grua. Të dielën qytetarët e Meksikës që në shumicë janë rritur me demagogjinë e politikës zgjodhën një shkencëtare të arrirë në fushën e fizikës e të mbrojtjes së ambientit. Të dielën qytetarët e Meksikës, vendit me 100 milionë katolikë dhe nja 15 milionë protestantë zgjodhën një person që ndonëse jobesimtar i përket kulturës religjioze hebraike. Dhe të dielën qytetarët e Meksikës, me votë të drejtpërdrejtë –pa zarf, pa pazare koalicioni, pa kalkulime favoresh që do të jepen në Kongres-i dhanë përkrahjen më të madhe që i është dhënë ndonjëherë ndonjë kandidati presidencial.
Claudia u rrit së bashku me vendin e saj. Vendi i saj u rrit së bashku me Claudian.