Nga Armand Meta/
SPECIALE JAVANEWS/ Aleanca me PD-në duket se po fillon të prodhojë ‘frutat e hidhura’ për LSI. Partia e drejtuar nga bashkëshortja e Presidentit nga dita në ditë po përballet me një furi largimesh publike, si në nivel anëtarësie ashtu edhe në nivel pushteti vendor. Që nga Durrësi, Gjirokastra, Fieri e deri në Belsh, ka startuar një proces largimesh në nivel këshillash bashkiak nga të zgjedhurit e LSI, duke i’u bashkuar PS.
Pas goditjes që LSI mori në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, braktisja edhe në nivel lokal është një goditje që po çon në rrudhosjen e kësaj force politike në sferën e përfaqesimit inistitucional. Në ditët që vijnë pritet që edhe në bashki të tjera të ketë largime nga rradhët e LSI në këshillat bashkiak për t’iu bashkuar PS. Por a do të ndalet virusi i braktisjes së LSI vetëm në nivel këshilltarësh bashkiak? A është i ekspozuar nga ky fenomen edhe grupi i saj parlamentarë? A po përpiqet LSI pas perdeve të vendosë një këmbë te dera e PS që ajo të mos i mbyllet plotësisht? Largimi i këshilltarëve bashkiakë të LSI duket se është vetëm parathënia.
Durrës- Tiranë
Sipari i largimeve nga rradhët e LSI në këshilla bashkiak u ngrit që në vjeshtën e 2017, ku 4 këshilltarë të LSI-së në Durrës bashkuan votat me ato të PS-së. Pavarësisht deklaratave të ish kreut të LSI Ilir Meta se kjo forcë politike do të bashkëpunonte me PS në Këshillin Bashkiak të Tiranës, me ardhjen e Kryemadhit në krye të LSI, fjalët e Metës në fushatë u bën ‘nul’. LSI, në shkulmin e nervozizmit për shkak të humbjes në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit dhe vendimit të saj për të dalë në opozitë, tentoi të bllokojë Këshillin Bashkiak të Tiranës. Kjo lëvizje dhe aleanca me PD kundër PS në këtë këshill bëri që një prej anëtareve të Këshillit Bashkiak të LSI Bora Panajoti, të largohej nga Kryemadhi dhe ti bashkangjitej PS. Panajoti votoi buxhetin për Tiranën dhe përmes një statusi në Facebook e justifikon këtë akt si përmbushje të premtimit të dhënë në fushatë për zonat përqark Tiranës. Ajo thumboi edhe Kryemadhin teksa u shpreh se: “E kam edhe unë një të metë. E meta ime është se nuk eci dot në rrugën e një lideri që nuk më inspiron e nuk është një shembull i mirë për mua,”- shkruante Panajoti.
Gjirokastër, vijon hemorragjia
Por a u ndal vetëm në aksin Tiranë- Durrës braktisja e LSI? Në fakt jo. vetëm pak ditë më parë edhe këshilltarë të LSI në Gjirokastër braktisën këtë forcë politike duke i’u bashkangjitur PS. Nënkryetari i Këshillit Bashkiak nga radhët e LSI Adrian Hyskaj ishte personi që prishi edhe balancën mes PD- LSI nga njëra anë dhe PS nga ana tjetër. Largimi erdhi edhe si kundërpeshë ndaj aleancës PD- LSI e cila arriti të kapë kreun e Këshillit Bashkiak të Gjirokastër. Me përmbysjen e raporteve në këshillin bashkiak praktikisht kryetarja e Bashkisë Gjirokastër që është e LSI dhe kryetarja e këshillit bashkiak që është e PD ndodhen tërësisht të bllokuara.
Fieri zgjeron ikjet
Por pas Gjirokastrës rradhën e kishte Fieri. 4 anetarë të Këshillit Bashkiak Fier të LSI dolën dje me një deklaratë për shtyp ku bënë të ditur largimin nga LSI dhe bashkimin me PS. Ata ishin Thoma Tyto, Drita Sauli, Natasha Yzeiri dhe Ekaterina Zarkaj. Me këtë lëvizje mazhoranca e majtë forcoi pozitat dhe vendimarrjen në Këshill duke shkuar në 20 anëtarë nga 35 që është numri i përgjithshëm i antarëve të Këshillit të Bashkise Fier.
“Financimi i lobimit të PD kundër Shqipërisë është jo vetëm një turp kombëtar por edhe një veprim që vjen erë nga të gjitha anët. LSI duhej të ndahej qartazi nga kjo politikë antikombëtare dhe antishqiptare, por fatkeqsisht kjo nuk është bërë, madje nga deklaratar e ditëve te fundit as nuk ka ndëmend të bëhet nga lidershipi i kësaj force politike”, ishte thelbi i arsyetimit të largimit të këshilltarëve në Fier nga LSI.
Belsh, etapa më e fundit
Një bum largimesh nga LSI u shënuan sot edhe në Bashkinë e Belshit. Pas Gjirokastrës dhe Fierit edhe 3 këshilltarë të LSI në Belsh, i’u bashkuan PS. Në Belsh fjala është për këshilltarët Besmira Xhaferri, Pëllumb Dervishi, Ramadan Elezi të LSI, plus Ismail Paja i PLL dhe Ruzhdi Fejzullahu nga Balli Kombëtar, të cilët janë pozicionuar pranë PS. Këshilltarët e LSI e motivuan largimin e tyre me argumentat se: LSI u krijua për integrimin evropian, por doli kundër, nuk bëhet opozitë me çizmet e Monika Kryemadhit në Kuvend apo duke sharë me libër shtëpie si Petrit Vasili, dhe më keq akoma me Berishën e Bashën, që sipas tyre, kanë vrarë e vjedhur.
Reagimi i LSI
Ashtu siç është bërë modë tashmë në politikën shqiptare edhe LSI nuk e shikon gabimin tek vetja për këtë bum largimesh nga rradhët e saj, por te kundërshtari politik. Në një reagim të tijin deputeti i LSI-së Endrit Braimllari, me anë të një postimi në rrjetin social facebook thotë se “këshilltarët e LSI-së janë larguar për shkak të presionit banditesk të Kryetarit të Bashkisë Fier, Armando Subashi”, shkruan javaneës.al.
Parathënia e një epilogu?
Eshtë ende e pakuptueshme se përse LSI rezultatin e zgjedhjeve të 25 qershorit e interpretoi si humbje elektorale. Natyrisht që ajo nuk mori mandate për të qenë forcë e parë, pavarësisht se këtë e kishte si slogan. Asnjëherë s’ka qenë e tillë. Mes sloganit dhe realitetit ka një diferencë të madhe. Gjithsesi LSI mori jo pak mandate, si forcë e tretë politike që ka qenë historikisht. Nxitimi për të bërë aleancë me PD ishte shumë afatshkurtër nga pikepamja politike dhe politikisht një vendim shumë i dobët. LSI në 2 muaj u kthye në një shtojcë të PD, duke humbur nga identtieti i saj politik. T’u kërkosh të majtëve të shkojnë të brohorasin për PD e Bashën është jo vetëm e tepërt, por dëshmi e një drejtimi kaotik të LSI.
Këto muaj provuan qartë se LSI nuk ka asnjë ideologji as të majtë as të djathtë e aq më shumë të mbështesë shtresat në nevojë, pasi për numër deputetësh e drejtuesish të lartë politik është forca e parë më e pasur në vend. Eshtë e kuptueshme se braktisja e LSI po kthehet në një proces të natyrshëm, që tashmë e rrezikon seriozisht këtë forcë politike në zgjedhjet vendore të 2019. Eshtë pikërisht kjo gërryerje nga brenda ajo që e ka detyruar kryetaren e LSI të kërkojë sa më shpejt firmosjen e një koalicioni PD- LSI për zgjedhjet vendore. Me situatën e krijuar PD s’ka pse nxiton. LSI nuk është më në pozita që mund të diktojë kushte, por vetëm të gëlltisë kushtet e të tjerëve. Më shumë se çdo gjë ajo duket më së paku të ruajë grupin e saj parlamentar, pasi ‘moda’ e këshilltarëve mund të ndiqet dhe nga deputetët. Mediat pranë Metës dhe Kryemadhit, të cilat bëjnë thirrje këto orë për një afrim me PS dhe Ramën, e kuptojnë se qëndrimi i zgjatur në opozitë vetëm sa do ta thellojë krizën. Por treni i zgjedhjeve ka kaluar. mes Ramës dhe Kryemadhit tashmë ka diçka më shumë sesa një çizme e hedhur në inat e sipër. Sot Ramës i duhet shumë pak “aleati i dikurshëm strategjik”!