Nga Skënder Minxhozi/
Duket si një film i rikthyer mbrapsht, por me aktorë të tjerë. Lufta në Kosovë dhe pasojat që ajo la pas, do të jenë me shumë gjasë objekti i hetimit dhe gjykimit të Gjykatës Speciale të sapomiratuar, e cila do të presë në Hagë, me shumë gjasë, disa prej figurave me peshë në politikën kosovare.
Tani që kjo trupë gjykimi mori votat e institucionit më të lartë të shtetit të Kosovës, pritet vetëm përmbushja e detajeve logjistike, para se të shohim të akuzuarit e parë në Holandën e largët. Të cilët, përkundër kundërshtarëve të tyre serbë kroatë e boshnjakë të dikurshëm, tashmë do të jenë shqiptarë.
Ka pasur shumë debate në Kosovë e jashtë saj, rreth arsyeve të kësaj “drejtësie” të vonuar që po kërkohet të vihet. Motivet janë kërkuar sa tek lojrat e mëdha gjeopolitike (që nisin me raportin e Dick Martit e përfundojnë me orekset e Rusinë), aq edhe tek shkelja e syrit dhe kompeksi i pashërueshëm i Perëndimit ndaj Serbisë, në kuadrin e afrimit të saj në BE dhe të normalizimit të marrëdhënieve me Prishtinën. Gatishmëria e shprehur nga qeveria serbe dje, për të ndihmuar me fakte e dosje Gjykatën Speciale që po ngrihet, e zbulon qartë kënaqësinë e Beogradit për këtë ndëshkim të vonuar, e pse jo të pamerituar, të palës kosovare, në lidhje me një konflikt që tashmë i ka evidentuar fajtorët dhe përgjegjësit e tij.
Ndërtimi në këtë mënyrë i Gjykatës Speciale rikthen dilemën e tmerrshme të njehësimit të viktimës dhe xhelatit. Kosova doli nga lufta me një bilanc tragjik jetësh njerëzore dhe dëmesh materiale. Genocidi dhe spastrimi etnik nuk ka qenë kurrë atribut i kosovarëve, por vetëm i palës tjetër, e cila nuk dogji e shkretoi vetëm Kosovën, por të gjithë Ballkanin. Rihapja e kësaj dosje sot, me një bankë akuze në Hagë, po rrezikon të ribëjë në mënyrë të shëmtuar historinë. Poltroni i Millosheviçit në Hagë nuk ka vend për një lider shqiptar, cilido qoftë ai. Edhe vetë demarshi tingëllon i padrejtë dhe hileqar.