Kryetari demokrat Lulzim Basha dha dorëheqjen nga drejtimi i forcës kryesore politike të së djathtës, pas 9 vitesh.
Pavarësisht disa humbjeve zgjedhore radhazi, ai mundi të ruajë pozitat drejtuese falë mbështetjes, që gëzonte nga ish kryeministri Berisha, por përplasja me këtë të fundit shënoi edhe një pikë kthese për Partinë Demokratike, që u përça dhe u dobësua nga lufta e brendshme.
Në shtator të vitit të kaluar, Basha vendosi të linte jashtë grupit parlamentar Berishën, për shkak të vendimit të autoriteteve amerikane për ta përcaktuar atë në listën e zyrtarëve të përfshirë “në korrupsion në nivel të lartë”, e për pasojë duke mos lejuar më hyrjen e tij dhe familjes së tij në territorin e Shteteve të Bashkuara.
Duke komentuar dorëheqjen e Bashës, analisti Lorenc Vangjeli është shprehur se në PD “brava” është e njëjtë, por vetëm sa janë dorëzuar çelësat.
Ndërkohë analisti Neritan Alibali është shprehur se Basha ka bërë një dorëheqje si ajo që bëri Sali Berisha.
Lorenc Vangjeli: “Është një ikje dhe një ndërrim çelësash. Është e njëjta bravë dhe ndërrohen çelësat. Basha mbeti në Tiranë burri me pantallona të shkurtra dhe nuk mundit të rritet. Ai hoqi çelësin dhe ja kaloi dezhurnit. Është lëvizje të mbajë në duart e pakicës atë të zyrës së kryetarit. Besnikët e fundit e dinë se do i lënë në periferi. Humbën bashkë me Bashën dhe është xhiruar që më 25 prill por po transmetohet sot. Është histori e ndodhur.” tha Vangjeli.
Neritan Alibali: Nëse vendos të hysh në negociata për bashkim nuk duhen kushte paraprake. Por duhet të arrihet qëllimi. Nga Rithemelimi nuk të bëhet kompromis se është bashkuar me Berishën. Se i bie palët të mos lëvizin. Ne duhet të presim se nuk e dimë nëse i gjithë grupi i qëndron rezolutës së Alibeajt. Ose do kemi përplasje të fortë dhe palët do qëndrojnë ashtu siç ishin ose do pranohet kompromisi nga PD për të heshtur apo pranuar Sali Berishën.
Lorenc Vangjeli: Është një hile e vockël. Për zgjidhje të hallit të individëve dhe jo të PD. Deklarata dembele dhe përtace është një zhgënjim i thellë. Basha duhet të kishte tronditur Tiranën me ato që ai ka thënë se i di vetëm ai. Ishte një situatë pa shije. Basha nuk mund të jetë arkivol i të vërtetave që ka mësuar. Duhet ti ndaj me publikun ato. Basha duhet të tregonte se pse iku. Duhet të bënte një fjalim që nesër të kishte një shans për tu rikthyer. Janë një film i parë shumë herë të tjerat. Kur largohet mënyra se si mbyll derën shihet shpesh.
Neritan Alibali: Basha dha dorëheqjen por nuk është dorëzuar. Se Basha bëri dorëheqjen siç e bëri Berisha. Basha është sot njeriu më komod në PD se nuk ka asnjë lloj përgjegjësie më. Se nga i sulmua kthehet në sulmues. Se tani kritikon çdo gjë. Mund ta sulmojë Berishën.
/b.h