Nga Ilir Yzeiri
Një kolegia ime e TV5 Monde, Sylvie Braibant, postoi para disa ditësh një status në fb, në të cilin thoshte se sidomos tani në verë është mirë të futemi në dietë mediatike, pra të konsumojmë sa më pak informacione dhe duke iu drejtuar miqve të saj në fb, shkruante se do të ishte më mirë që këtej e tutje të postojmë këngë më shumë dhe muzikë, por jo lajme, sepse po helmohemi aq shumë nga ata që shkruajnë e nga ata që komentojnë sa llumi i trashë i mdeiokritetit rrezikon të në verbojë përfundimisht dhe të na shkatërrojë mendërisht. Ky status m’u duk sikur ishte shkruar enkas për ne shqiptarët. Meqenëse është gusht, pra muaji që vjen pas korrikut, është më e lehtë të shmangesh nga leximi i lajmeve pa fund apo i komenteve dhe të lëshohesh në limontinë e gënjeshtërt të zdërhalljes në rërë apo të shetitjes në mal. E, kështu, duke udhëtuar nëpër Shqipëri, ti ke përshtypjen se ke shpëtuar nga bombardimi me lajme dhe je nën pushtetin e natyrës dhe vetëm sodit, pra vetëm përtyp ashtu si kau në grazhd imazhet që depërtojnë sytë e struken diku në trurin tënd të lodhur e të konsumuar.
Në Valbonë, atje ku nuk kupton se çfarë ndodh dhe përse është aq bukur
Isha fundjavën që shkoi në Valbonë dhe për të vajtur atje kaluam nga Gjakova. Gjithmonë kam pasur përshtypjen se udhëtimet janë si tekstet që janë shkruar para teje dhe ti që kalon andej vetëm mund t’i lexosh ato. Nëse kalon Rinasin dhe nisesh për në Gjakovë do të bësh rrugën që lidh Rinasin me Fushë Krujën për t’i rënë më shkurt dhe këtu ti do udhëtosh në rrugën e famshme që të çon te Ura e Gjoles dhe nëse kalon aty nuk ke se si të mos kujtosh një pjesë të tekstit të kësaj rruge. Këtu, në këtë segment kanë humbur ose janë tretur vrasësit me motorr të Artan Santos dhe po këtu janë tretur ose janë përpirë nga dheu edhe vjedhësit e fundit të parave në Rinas, ata që hynë deri te avioni në pistë dhe sikur të ishin në shtëpinë e tyre u larguan dhe u tretën në Urën e Gjoles. Futemi në rrugën që të çon për në Laç ose rruga që lidh Tiranën me Veriun dhe ndien të njëjtën atmosferë ose lexon të njëjtin tekst. Rrugë e ngushtë në fillim, me trafik të rënduar, pluhur dhe lodhje, pastaj rruga zgjerohet e pastaj përsëri ngushtohet dhe në një rrethrrotullim mediokër futesh në Rrugën e Kombit. Edhe aty ti kërkon të mos e lexosh tekstin e vjetër të abuzimit me këtë rrugë, por nuk të lë qeveria e re. Ajo ia ka dhënë më koncesion një firme turke dhe çmimet apo tarifat e gjithë struktura e koncesionit të sjell në mendje abuzimet skandaloze të kësaj qeverie. Nuk të shqitet nga mendja dhe identiteti i firmës. Pse turke pyet veten dhe përse në gusht. Pastaj atentatet në aeroporttin e Stambollit, grushti i shtetit turk, arrestimet, torturat makabre. Erdogan dhe lokalet ne plazhin e Durrësit me emrin e tij. Më vjen në mend një shkrim që kam lexuar këto ditë për platformën neotomane të Turqisë hartuar nga Davotuglu, ku ai thotë se ne turqit duhet të jemi jo gurë shahu në hegjemoninë botërore, por lojtarë shahu dhe se armët tona për të shkuar atje ku kemi qenë dikur janë paraja dhe islami. Ndërkaq më vjen ndërmend se të gjitha akste që lidhin Tiranën me periferitë e vendit janë të papërfunduara. Nëse do të ikësh në Korçë, do të torturohesh derisa të kalosh Elbasanin me rrugën gjysmë të mbaruar. Nëse do të ikësh në Vlorë e njëjta gjë, nëse do të ikësh në Veri më keq akoma dhe ti që nuk do të shkatërrosh nervat me lajme, e ke të pamundur sepse në vend të tyre të duhet të lexosh një tekst të trishtë që përmbledh historinë tonë në këta vjet. Dhe vetëm kur kalon kufirin e futesh në Kosovë ke një ndjesi të dyfishtë. Është e vërtetë se shqiptarët përtej kufirit zyrtar kanë ndërtuar një habitat më të rregullt, por aty humbet shkëlqimi i luksit ekstravagant të shqiptarëve të Shqipërisë. Këtu më kujtohet gjithmonë një thënie e një drejtuesi banke që kishte punuar në Shqipëri dhe në Maqedoni e Kosovë, i cili duke krahasuar mënyrën e zhvillimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë thoshte se Shqipëria do të zhvillohet, por përmes kaosit, ndërsa Maqedonia do të vdesë, por përmes rregullit. Mbërrijmë në Gjakovë, shetisim në Çarshi, hamë drekë dhe nisemi për në Valbonë. Fshatrat që takojmë rrugës për në Tropojë janë jashtëzakonisht të zhvilluara dhe kanë një luks të paparë. Aty shohim edhe vila super të mëdha e super luksoze. Menjëherë më kujtohet një tekst tjetër, reportazhet që kanë realizuar kolegët nga Kosova që tregojnë për luftëtarët që u bënë biznesmenë e që u zhytën në luks.
Në Qafë të Morinës aty ku kufiri është një konvencion
Hyjmë në Tropojë dhe unë kam një emocion të veçantë se po ecim në një rrugë që ka plot mistere. Më kujtohet lufta në Kosovë dhe ajo rrugë ka qenë dhe është romani më miserioz i historisë së re shqiptare. Djem e vajza nga gjithë Europa që vinin e i bashkoheshin UÇK-së kalonin më së shumti nëpër këtë rrugë. Pastaj heronj të rremë, trafikantë dhe hajdutë, pastaj prita, vrasje, mina me telekomandë, me të cilat shqiptarët e Kosovës apo heronjtë e rinj eleminonin shokët e tyrë apo kundërshtarët e tyre për pushtet, miliona marka gjermane që transportoheshin në këtë rrugë dhe që në të shumtën e rasteve nuk dihet se ku kanë përfunduar. Kjo rrugë që të çon në Bajram Curri dhe ky qytet janë të mbytyr me gjak dhe me vrasje sidomos në vitet 1997-`98 e `99. Po futemi në Tropojë dhe përsëri teksti i vjetër i shkruar më parë, i mbushur me atentatet, me vrasje, më krime. Dhe të mendosh që kjo trevë në një farë mënyre ka drejtuar vendin në pjesën më të madhe të këtyre njëzetë e ca vjetëve. Por për shkak të një njeriu, historia e kësaj treve është e mbushur më shumë me gjak e krime sesa me jetë. Sali Berisha mund të kujtohet për gjithçka, por nuk do të harrohet kurrë për gjakun që derdhi dhe për krimet që shkaktoi ne vendlindjen e tij. Është një rast i pashoq. Futemi në Bajram Curri dhe mua gjithmonë më është dukur sikur qyteti mund të bjerë. Është vendosur në nje vend të pjerrët në prehër të një mali dhe sa herë që ti e sheh apo shkel në atë qytet, ke përshtypjen se ai mund të rrokulliset e të bjerë mbi ty. Ndërsa tani ke ndjesine se ato qindra krime dhe ai gjak që e pat mbuluar dikur atë qytet mund të jenë fshehur diku e mund të derdhen nga çasti në çast. Mirëpo është gusht, freskët, diku po asfaltohet një rrugë, në qytet lëvizin pak njerëz por ka shumë apartamente të vjetra dhe ty të kap ankthi e rri e mendon: si jetojnë këta njerëz? Dikur banorët e kësaj zone bënin çmos të iknin nga fshati e të vinin këtu në Baram Curr. Tani të duket se të gjithë duan të ikin prej këtu, por në mos gjetshin rast për të zbritur poshtë në Tiranë apo Durrës, zgjedhin të jetojnë në Valbonë, në Luginën e saj.
Valbonën duan të bëjnë hidrocentral
Rruga nga Bajram Curri deri në skaj të fundit të Luginës është shtruar me asfalt dhe nga të dyja anët janë ndërtuar hotele, kampe pushimi. Të duket vetja se je në një vend tjetër. Ka plot pushues që kanë mbushur hotelet dhe që në mëngjes i sheh të ngjiten maleve nëpër rrugët e shenjuara nga administratorët e hoteleve. Ne qëndrojmë te Katerina, amerikania e njohur tashmë që ka ndërtuar hotelin aty dhe shërben prej vitesh. Kanë ardhur dhe amerikane të tjera. Njëra prej tyre është doktorante dhe ne e dëgjojmë kur u tregon disa të huajve të tjerë për masakrën që planifikohet të bëhet aty me lejet që ka dhënë Berisha për të ndërtuar HEC-e mbi trupin e Valbonës. Ajo thotë se më e bukura është që kjo energji që do të përftohet nga këto HEC-e do të eksportohet, nuk do të përdoret për zonën këtu. Pra është thjesht një biznes kriminal që pasuron disa dhe shkatërron një perlë. A do ta lënë shqiptarët që të kryhet edhe ky krim mbi Tropojën? Askush nuk e di. Ajo që dihet është se projektuesi i këtij krimi, Berisha është nga ky vend dhe nga kjo krahinë.
Në traget me këngët tallava
Kthimi me traget është shumë i bukur. Investimi në transportin lumor me një traget modern siç është ai me emrin ALPIN është vërtet modern dhe i rehatshëm. Mirëpo ti je i dënuar që të mos e shijosh këtë udhëtim sepse në katin e tretë të tragetit, në vendin më të bukur të tij, me karrige e stola është një dj i zonës që të helmon me muzikën e turbofolkut nacional romantik. Nga ato këngë ti kujtohesh se je ende një banor dhe pjesëtar i fisit që krenohet e shet mend nga mëngjesi në darke për trimëri që nuk i ka kryer kurrë. Të gjitha këngët nacionalromantike kanë frazën “unë jam kështu…” e “jam ashtu…,” “se ti ta dish që unë jam kështu e ashtu” dhe pastaj hiti rutinor i xhamadanit me vija që më kujton një këngë tjetër që ushton në vesh nëse ti je afër ndonjë lokali ku bëhet dasmë dhe ka kaluar mesi i natës. Mjaft të jesh në Tiranë e poshtë saj apo në Jug dhe koka e Aliut do të të vërtitet sa në lokalin ku këndohet kënga sa në Janinë. Duke dëgjuar njërën dhe duke sjellë me asosacion në përfytyrim tjetrën ti je gati të hidhesh nga trageti e ta bësh me not atë rrugë të mrekullueshme nëpër Drin.
Në Tiranë është vapë dhe dieta mediatike nuk funksionon
Kur u nisa në Valbonë pata një kontakt me gazetarin e talentuar Anri Bala për shkak se ndaj tij është ngritur një padi penale prej Artur Zhejit. Këtë të fundit dikur e pata paditur edhe unë si shpërdorues fondesh kur ai ishte Drejtor I RTSH-së e unë anëtar i KD, por mbaj mend që Dhori Sollaku, në atë kohë Prokuror i Përgjithshëm më pat thënë se vjedhjet e tij nuk përbënin vepër penale. Ndërsa satira dhe ironia e Anrit përbëkan vepër penale. Unë kam besim se Anri nuk do të penalizohet nga ajo padi dhe uroj që gazetarë si ai që janë neveritur me shkollën e vjetër dhe të pështirë të gazetarisë së bythëlëpirjes të bëhen më agresivë dhe më të guximshëm. Ndërkohë vijon debati për reformën dhe Ilir Meta është bërë me këngë. Për të këndojnë të rinjtë e LRI-së që pushtojnë Jalën çdo vit, plazhin më të shtrenjtë në vend, por kjo nuk përbën lajm sepse LSI-ja është parti më pare të madhe. Ndërsa Drejtori i Operas Ilir Kerni ka dhënë dorëheqjen sepse buxheti është rrudhur deri në zgrip. Dikush shkruan se ai ishte planifikuar të hiqej sepse ishte grindur me ministren Kumbaro. Përsëri kjo femër që u shndërrua në një monstër sapo u bë ministre. Të gjithë ata që e kanë njohur habiten me mutacionin e saj. E tulatur dhe e trembur, ajo tani po merr hak ndaj gjithë botës që ajo e kishte frikë. Arrogante dhe hundëpërpjetë ajo po shfaq gjithë mediokritetin që e mbante fshehur pas librave me përkthime dhe teorive bajate që bënte për to. Nuk kam ndërmend të vazhdoj më po më zë syri dhe një ministër tjetër , Arben Ahemtajn, këtë xhevahir të paaftësisë që tani është bërë dhe opinionist. O tempora o mores, thoshin latinët. Po Edi Rama më thotë dikush është mirë. Benin e ka, mori dhe TVSH-në, kështu që edhe nesër po të iki nga pushteti misionin e kreu. Të gjithë miqtë dhe puthadorët e tij i bëri me koncesione dhe me poste. Dhe si për ta përmbyllur këtë refleksion të gjatë i jap të drejtë një shkrimi te blogu Peizazhet e Fjalës që thoshte se nëse shqiptarët janë të paaftë të nxjerrin një elitë idelaiste për t’i qeverisur, ata nuk e meritojnë demokracinë. Në fakt Reforma në Drejtësi që po miratohet me vështirësi do të na tregojë se e meritojmë apo jo demokracinë. të shohim.