• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Monday, October 26, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Çfarë ndryshon në Ballkan pas humbjes së Vuçiçit

by Baton Haxhiu
26/10/2026 09:57
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Baton Haxhiu

Fitorja e studentëve sfidon ndikimin ruso-kinez, Listën Serbe dhe pushtetet e gjata në rajon. Rama dhe sidomos Kurti duhet të përgatiten për një Beograd të ri, me mbështetjen e Evropës dhe Amerikës

Për ta mundur Aleksandar Vuçiçin u deshën gati dy vjet që protesta të shndërrohej në një alternativë të besueshme. Studentët organizuan takime derë më derë, u përkrahën nga Gjermania dhe Britania, ruajtën një mesazh të përbashkët dhe shmangën varësinë nga një udhëheqës i vetëm. Vështirësia ishte të bashkonin njerëz me bindje të ndryshme dhe t’i bindnin se pakënaqësia mund të prodhonte një qeverisje tjetër.

Ky ishte ndërtimi politik që kërkoi fitorja. Pushteti i gjatë i Vuçiqit duhej të merrte formën e një organizimi të opozitës që mund të fitonte zgjedhjet. Për ne që jetojmë në Ballkan, kjo ka rëndësi sepse hap mundësinë që një pushtet i gjatë mund të sfidohet edhe jashtë kufijve të opozitës tradicionale. Duke e parë këtë rezultat nga Tirana e Prishtina, mendja më shkon se si mund të reflektohet kjo tek, ne, shqiptarët.

Lista Studentore tashmë duhet se ka shumicën për të formuar qeverinë pa një partner koalicioni. Kjo i jep liri më të madhe veprimi dhe përgjegjësi të drejtpërdrejtë për rezultatet. Qëndrimet që deri dje mund të liheshin të paqarta për ta mbajtur të bashkuar protestën, tash duhet të kthehen në vendime qeverisëse.

Për ne në Kosovë, këtu duhet të bëjmë një dallim. Demokratizimi i Serbisë nuk është i njëjti proces me pranimin e pavarësisë së Kosovës. Ilija Srdanović, i pari në Listën Studentore, ka përsëritur pretendimin kushtetues serb mbi Kosovën dhe nuk ka dhënë një angazhim të qartë për zbatimin e marrëveshjeve të Ohrit dhe Uashingtonit. Prandaj, për ne ndryshimi i parë mund të vijë në mënyrën e dialogut, ndërsa qëndrimi për statusin të mbetet i njëjtë.

Një qeveri e re mund të ndihet fillimisht e kufizuar edhe nga nevoja për të ruajtur bashkimin e vet dhe për t’u mbrojtur nga akuzat nacionaliste të Partisë së Vuçiqit. Megjithatë, nëse marrëveshjet bëhen më transparente dhe institucionet mbajnë përgjegjësi për zbatimin e tyre, dialogu mund të fitojë besueshmëri.

Ndërkohë, ndryshimi më i drejtpërdrejtë mund të prekë Listën Serbe në Kosovë. Ajo e kishte lidhur mbështetjen për Vuçiçin me vazhdimësinë e ndihmës institucionale nga Serbia, ndërsa disa kundërshtarë të saj mbështetën Listën Studentore. Kjo ndarje mund të marrë peshë të re pas ndryshimit në Beograd.

Listës Serbe i rrezikohet pretendimi se vetëm përmes saj mund të sigurohet mbështetja e Serbisë. Nëse punësimi, financimi dhe komunikimi institucional hapen përtej besnikërisë partiake, qytetarët mund të ndihen më të lirë të zgjedhin përfaqësues të tjerë. Humbja serioze e mbështetjes është e mundshme, por do të varet nga sjellja e qeverisë së re dhe aftësia e strukturave ekzistuese për t’u përshtatur.

Për Kurtin, unë shoh këtu një mundësi që shkon përtej dobësimit të një kundërshtari. Kosova mund të fitojë një përfaqësim serb më të pavarur, me të cilin të negociojë për jetën e përditshme dhe funksionimin e institucioneve. Parlamentit të Kosovës dhe Qeverisë do t’ia thosha qartë se duhet ta pranojë këtë pluralizëm edhe kur prej tij dalin politikanë serb që e kundërshtojnë.

Por një Serbi më demokratike mund të bëhet edhe një bashkëbiseduese më e vështirë diplomatike. Drejtuesit e rinj mund ta mbrojnë të njëjtin qëndrim ndaj Kosovës me më shumë besueshmëri ndërkombëtare. Kurti do të duhet të përgjigjet me propozime konkrete, garanci sigurie dhe gatishmëri për zbatim. Kundërshtimi i biografisë dhe mënyrës së qeverisjes së Vuçiçit nuk do të mjaftojë më si argument përballë Beogradit të ri. Dhe Asociacioni është prova e parë e zbatueshmerisë. Kurti do ta bëj me siguri se do të arsyetohet se tash kemi një qeveri demokratike në Serbi.

Ramës ky rezultat i vjen nga dy drejtime. Në rajon, do të duhet ta rindërtojë marrëdhënien me Serbinë pas bashkëpunimit të gjatë me Vuçiçin dhe investimit të përbashkët në procesin e Berlinit. Brenda Shqipërisë, rezultati serb dobëson argumentin se mungesa e një opozite bindëse mes partive ekzistuese i siguron pushtetit vazhdimësi pa fund.

Dhe këtu vij te Berisha. Për mua, një nga ndryshimet më të nevojshme në Shqipëri është që ai ta humbë monopolin mbi alternativën ndaj Ramës.Ai duhet të shkoi i pari.

Për sa kohë largimi i Ramës paraqitet si rikthim i Berishës, pushteti mund ta zhvendosë debatin nga përgjegjësia për qeverisjen te frika prej kundërshtarit. Kjo e ngushton zgjedhjen e qytetarëve dhe e mbron qeverinë nga një pjesë e kostos së gabimeve të veta.

Fati i Daçiçit dhe ish partisë së Millosheviqit, bën këtë paralajmërim edhe më konkret. Sipas rezultateve të raportuara,PS ( SPS-ja ) mbeti nën prag dhe jashtë parlamentit. Historia dhe organizata e një partie nuk i sigurojnë asaj përfaqësim të përjetshëm. PD-ja duhet ta kuptojë se votuesit mund të kërkojnë alternativë tjetër. Por rrënimi i saj pa lindjen e një force të besueshme do ta forconte Ramën. Ndryshimi kërkon konkurrencë të re, drejtim të përgjegjshëm dhe një program që shkon përtej largimit të një njeriu.

Kjo është edhe arsyeja pse Lista e Studentëve në Serbi dha një mësim se nuk mund të përdoret si arsyetim për ta imponuar largimin e një qeverie përmes dhunës. Lista e studentëve tregoi peshën e organizimit dhe të votës. Prandaj besoj se Rama bëhet realisht i zëvendësueshëm kur qytetarët mund ta gjykojnë qeverisjen e tij pa u ndier të detyruar ta pranojnë atë si mbrojtje nga rikthimi i Berishës.

Por pasojat e këtij rezultati shkojnë edhe përtej marrëdhënieve brenda Ballkanit. Gjatë qeverisjes së Vuçiqit, Beogradi thelloi marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën, ndërsa vazhdoi ta paraqiste anëtarësimin në BE si objektiv. Parlamenti Evropian, në rezolutën e 8 korrikut 2026, shprehu shqetësim për ndikimin në rritje të dy vendeve dhe kërkoi orientim më të qartë evropian.

Prandaj humbja e Vuçiçit mund të ndryshojë edhe ekuilibrin gjeopolitik në të cilin ne shqiptarët kemi interes të drejtpërdrejtë. Megjithatë, Moska dhe Pekini kanë interesa që shkojnë përtej marrëdhënies me të. Rusia ruan peshë përmes energjisë dhe mbështetjes për qëndrimin serb ndaj Kosovës në OKB. Ne në Kosovë duhet ta kemi të qartë se këto lidhje nuk zhduken me ndërrimin e qeverisë.

Madje, Lista Studentore ka deklaruar se do ta ruajë politikën e mosvendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë. Kjo është një arsye konkrete për të mos e lexuar fitoren e saj si shkëputje të menjëhershme nga Moska.

Por për ne shqiptarët, kjo histori mbetet e paplotë pa Amerikën. Uashingtoni mbështeti drejtimin evropian të dialogut(2011-2017) ndërsa Gjermania e forcoi rolin e saj me Procesin e Berlinit më 2014 por e humbi rrugës për shkak të krizës së refugjatëve nga Ptanveta Arabe. Ndërkohë, Rusia po e përdorte gjithnjë më hapur Serbinë në përballjen me Perëndimin, mbi lidhje energjetike e politike të ndërtuara më herët. Në leximin tim, dobësia ishte se pesha ekonomike e Evropës nuk u përkthye në vendosmëri të mjaftueshme politike për disciplinimin e Serbisë.

Riangazhimi diplomatik amerikan u bë më i dukshëm më 2019, me emërimin e Palmerit dhe Chris Hillit. Amerika kishte ruajtur praninë e saj të sigurisë, por tash kërkonte përsëri ndikim më të drejtpërdrejtë mbi marrëveshjet politike. Sanksionet ndaj kompanisë së naftës NIS (Industria Serbe e Naftës) më 2025 treguan edhe gatishmërinë për të prekur interesat ekonomike ruse në Serbi. Këto janë hapa konkretë, megjithëse nuk përbëjnë një politikë të pandryshuar mes administratave amerikane.

Prandaj, orientimi i Serbisë së re do të varet edhe nga angazhimi amerikan dhe bashkërendimi me Evropën.

Për Edi Ramën dhe Albin Kurtin, çështja është çfarë detyrimesh do të marrë Beogradi në këmbim të afrimit me Perëndimin. Interesi ynë është që ky afrim të prodhojë siguri dhe respekt për shtetësinë e Kosovës. Përndryshe, mund të ndryshojë qeveria në Serbi, ndërsa barra e kompromisit t’u kërkohet përsëri shqiptarëve dhe Albin Kurtit në veçanti.

Do të kemi situatën si në vitin e largët kur ra Millosheviqi dhe pastaj u vra Gjingjiqi. Dhe Boris Tadiq dështoi plotësisht në ndërtimin e Serbisë evropiane.

Për Kinën, prova do të jetë tjetër. Marrëdhënia përfshin investime, infrastrukturë dhe marrëveshje afatgjata sepse në maj 2026, Beogradi dhe Pekini nënshkruan dokumente të reja bashkëpunimi, përfshirë një plan për vitet 2026–2028. Qeveria e re e Listës së Studentëve do të duhet të vendosë sa prej kësaj marrëdhënieje do t’ia nënshtrojë konkurrencës, kontrollit publik dhe standardeve evropiane. Pekini mund të përshtatet me drejtuesit e rinj, por një administratë më transparente mund t’ia ndryshojë kushtet e bashkëpunimit për shkak të kursit evropian.

Mbështetja e shprehur nga Parlamenti Evropian për studentët dhe protestën paqësore ka pasur domethënie politike. Ajo, megjithatë, nuk e bën qeverinë e ardhshme automatikisht të pajtuar me Brukselin dhe Uashingtoni. për çdo çështje. Evropës tani i duhet ta lidhë afrimin me Serbinë me reforma të matshme dhe përfitime konkrete për qytetarët. Vetëm kështu ndryshimi i pushtetit mund të shndërrohet në një ndryshim të qëndrueshëm orientimi.

Në këtë kontekst të ri politik, Ballkani hyn në një periudhë ku marrëdhëniet e ndërtuara rreth udhëheqësve të fuqishëm mund të rishikohen. Rusia dhe Kina do të kërkojnë ta ruajnë ndikimin, Amerika dhe Evropa do të duhet ta bëjnë afrimin më të besueshëm, ndërsa Rama e sidomos Kurti do të përballen me kërkesa të reja politike. Fitorja e studentëve ka hapur këtë mundësi. Unë do ta gjykoj thellësinë e këtij ndryshimi kur pushteti i ri në Serbi të fillojë të vendosë diskursin publik dhe vendimet konkrete për Kosovën.

Next Post
Vaksina eksperimentale kundër kancerit provokon përgjigje imune te disa pacientë

Alarmi për kujdes/ Aplikimi i vaksinës antigrip, 6500 doza të shpërndara në qendrat shëndetësore të Gjirokastrës!

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Ndoshta së shpejti inteligjenca artificiale do ta zgjedhë presidentin e Kosovës

Robelli: Opozita, peng i një njeriu. Nga sjelljet e kryeministrit, situata duket sikur…

October 26, 2026
Kuvajt, 3 burra dënohen me vdekje për komplot për vrasjen e zëvendëskryeministrit

Kuvajt, 3 burra dënohen me vdekje për komplot për vrasjen e zëvendëskryeministrit

October 26, 2026
Bllokimi i rrugëve të PD, më shumë është bllokim mendimi sesa mosbindje civile qytetare

“Nga protesta për t’u dëgjuar, te shkatërrimi”/ Lami: PD kërkon bashkimin përmes luftës, jo qetësisë

October 26, 2026
Vuçiç në Francë: Serbia s’është në linjë me politikën botërore për shkak të Kosovës, duhen vendime të guximshme

Vuçiç humb zgjedhjet, ish-ministri i Jashtëm: Qeveria e re serbe mund të mos ndryshojë kursin ndaj Prishtinës, dialogu jo prioritet

October 26, 2026
USS Colorado, nëndetësja e parë amerikane që do të dislokohet në Australi

USS Colorado, nëndetësja e parë amerikane që do të dislokohet në Australi

October 26, 2026
“Prej 30 vitesh s’biem dakord”, Agron Duka: Të këtë një kod të ri zgjedhor, se lamë kokrrën e namit

Duka reagon ndaj paketës së Ramës: Shfrytëzon të gjitha metodat që ta rrudhë protestën

October 26, 2026
Trump vë në dyshim zgjedhjet në Brazil: Dukeshin të manipuluara dhe të korruptuara

Trump vë në dyshim zgjedhjet në Brazil: Dukeshin të manipuluara dhe të korruptuara

October 26, 2026
Trump premton 1 milion dollarë për ata që denoncojnë mashtrimet zgjedhore në SHBA

Trump premton 1 milion dollarë për ata që denoncojnë mashtrimet zgjedhore në SHBA

October 26, 2026
Sherr në studio/ Demalia: Dënoje dhunën! Qori: Nuk ka barbari më të madhe se të vjedhësh popullin

Sherr në studio/ Demalia: Dënoje dhunën! Qori: Nuk ka barbari më të madhe se të vjedhësh popullin

October 26, 2026
Investigimi për indianët e “Wolt” largoi drejtorin e Qytetit Studenti?

Investigimi për indianët e “Wolt” largoi drejtorin e Qytetit Studenti?

October 26, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In