• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Thursday, May 14, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Bota

Çfarë ndodhi në samitin Trump-Xi në Pekin, nga deklarata për Tajvanin te qëndrimet për Iranin dhe Hormuzin

by E B
14/05/2026 18:58
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

“I dashur President Trump: është kënaqësi e madhe për mua t’ju takoj edhe një herë këtu në Pekin. Kjo shënon vizitën tuaj të parë në Kinë pas nëntë vitesh dhe është e rëndësishme të theksohet se takimi ynë po tërheq vëmendjen e të gjithë botës”, tha Xi Jinping gjatë hapjes së samitit me presidentin amerikan, rreth një tavoline drejtkëndore në Sallën e Madhe të Popullit.

Takimi i parë zgjati dy orë e 15 minuta. Përballë Xi Jinpingut ishte vendosur pothuajse i gjithë delegacioni më i lartë amerikan: Donald Trump, sekretari i Shtetit Marco Rubio në krahun e majtë, ambasadori amerikan në Kinë David Perdue në të djathtë, si dhe Pete Hegseth — sekretari i parë amerikan i Mbrojtjes që viziton Kinën pas tetë vitesh dhe i pari që nga epoka e Nixon-it që shoqëron një president amerikan në një vizitë zyrtare në Republikën Popullore të Kinës.

Në delegacion ishin edhe sekretari i Thesarit Scott Bessent, i cili kishte planifikuar pjesën më të madhe të takimit, përfaqësuesi për Tregtinë Jamieson Greer dhe zv/shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë Stephen Miller.

Dy liderët u ulën në tryezë pasi Xi priti Trump me një shtrëngim të gjatë duarsh në hyrje të godinës madhështore. Banda ushtarake luajti himnin amerikan dhe më pas atë kinez. Të dy liderët inspektuan trupat ushtarake dhe kaluan pranë një grupi fëmijësh që tundnin flamuj dhe lule.

Gjatë ceremonisë së mirëseardhjes, Xi dhe Trump shkëmbyen disa herë komente pa ndihmën e përkthyesve, ndërsa qëndronin pranë njëri-tjetrit nën një podium të kuq dhe të artë. Mbrapa tyre prisnin drejtuesit e kompanive më të mëdha amerikane dhe anëtarët e delegacionit.

Në fjalimin e tij, Xi deklaroi se marrëdhëniet mes SHBA dhe Kinës ndodhen “në një udhëkryq” përballë “turbullirave” globale. Ai përmendi edhe një herë teorinë e “Kurthit të Tukididit”, sipas së cilës kur një fuqi në ngritje kërcënon të zëvendësojë një fuqi dominuese, rreziku i një konflikti të armatosur bëhet shumë i lartë.

Presidenti kinez tha se ka besuar gjithmonë se “interesat e përbashkëta mes Kinës dhe SHBA tejkalojnë dallimet” dhe se “një marrëdhënie e qëndrueshme” mes dy vendeve “i shërben të dy palëve dhe gjithë botës”, ndërsa përballja dëmton të dyja.

“Bota ndodhet në një udhëkryq të ri. A mundet Kina dhe SHBA të kapërcejnë të ashtuquajturin Kurthi i Tukididit dhe të krijojnë një model të ri marrëdhëniesh mes fuqive të mëdha? A mund të bashkojmë forcat për të përballuar sfidat globale dhe për t’i sjellë më shumë stabilitet botës? A mund të promovojmë mirëqenien e popujve tanë dhe të ardhmen e njerëzimit? Këto janë pyetje të historisë, pyetje të botës dhe pyetje për njerëzimin. Dhe përgjigjet duhet t’i shkruajmë bashkë”, deklaroi Xi.

“Duhet të jemi partnerë, jo rivalë. Duhet të kemi sukses bashkë, të ndjekim prosperitetin e përbashkët dhe të përcaktojmë rrugën e duhur për marrëdhëniet mes fuqive të mëdha në këtë epokë të re”, shtoi ai.

Xi shprehu gjithashtu shpresën që viti 2026 të bëhet “një vit historik dhe vendimtar”, i aftë për ta çuar marrëdhënien SHBA-Kinë drejt së ardhmes.

Sipas agjencisë shtetërore Xinhua, gjatë takimit me dyer të mbyllura Xi ishte edhe më i drejtpërdrejtë. Ai paralajmëroi Trump se çështja e Tajvanit, të cilin Kina e konsideron pjesë të territorit të saj, është tema më e rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe mund t’i çojë drejt konfliktit.

“Nëse menaxhohet mirë, të dy vendet mund të ruajnë stabilitetin. Nëse menaxhohet keq, të dy vendet do të shkojnë drejt përplasjes apo edhe konfliktit, duke e futur gjithë marrëdhënien SHBA-Kinë në një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme”, tha lideri kinez.

Xi synon gjithashtu uljen e shitjes së armëve amerikane për Tajvanin. Këto deklarata sollën reagimin e Tajvanit. Një zëdhënës i qeverisë së ishullit deklaroi se Amerika ka konfirmuar vazhdimisht mbështetjen e saj të fortë për Tajvanin dhe se Taipei është mirënjohës për këtë.

Ai shtoi se kërcënimi ushtarak kinez mbetet burimi i vetëm i pasigurisë në Ngushticën e Tajvanit dhe në gjithë rajonin Indo-Paqësor. Nuk është ende e qartë se cilat kanë qenë përgjigjiet e Trump gjatë takimit. Presidenti amerikan shkaktoi shqetësim ditët e fundit në Kongres, pasi deklaroi se do të diskutonte me Xi edhe çështjen e shitjes së armëve për Tajvanin.

Megjithatë, në deklaratën zyrtare,  Shtëpia e Bardhë e cilësoi takimin si “pozitiv”, pa përmendur Tajvanin .

“Presidenti Trump pati një takim të mirë me presidentin kinez Xi. Të dyja palët diskutuan mënyrat për forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve”, thuhej në deklaratë.

Sipas the Guardian, Kina dhe SHBA ranë dakord gjithashtu se “Irani nuk duhet të pajiset kurrë me armë bërthamore”. Në fjalimin e tij hapës, Trump deklaroi se vizita në Kinë është për të “një nder si pak të tjerë”. Ai tha se ishte veçanërisht i impresionuar nga fëmijët që morën pjesë në ceremoninë e mirëseardhjes.

“Fëmijët ishin të jashtëzakonshëm”, tha Trump.

Më pas iu drejtua Xi Jinpingut: “Ti je një lider i madh. Është nder të jem miku yt. Do të kemi një të ardhme fantastike bashkë. Ka njerëz që thonë se ky do të jetë samiti më i madh i të gjitha kohërave”.

Trump përmendi edhe delegacionin e biznesmenëve që e shoqëronin, duke thënë se prania e tyre është “një shenjë respekti ndaj Kinës”.

“Kemi sipërmarrësit më të mëdhenj në botë. Njerëz fantastikë dhe të gjithë janë këtu me mua. Ftuam 30 biznesmenët më të rëndësishëm në botë dhe secili prej tyre tha po”, deklaroi ai.

Një natë më parë, Trump u prit në aeroportin e Pekinit nga 300 të rinj të veshur me të bardha dhe blu që tundnin në mënyrë perfekte flamuj amerikanë dhe kinezë.

“Mirë se vini, president”, brohorisnin ata.

Në aeroport, Trump u prit nga zëvendëspresidenti Han Zheng, një figurë kryesisht ceremoniale. Disa ekspertë të cituar nga Neë York Times e interpretuan këtë si shenjë se vizita do të jetë më shumë simbolike dhe me marrëveshje të kufizuara, ndërsa Kina kërkon të fitojë kohë në rivalitetin me SHBA.

Kjo është vizita e parë e një presidenti amerikan në Kinë pas afro nëntë vitesh. Joe Biden nuk shkoi kurrë në Pekin gjatë presidencës së tij, por u takua me Xi-n në Kaliforni. Takimi i fundit i një presidenti amerikan në Kinë ishte pikërisht ai i Trump në vitin 2017.

Ky është takimi i shtatë mes Trump dhe Xi, të cilët kanë shkëmbyer letra gjatë viteve. Edhe pse të dy liderët kanë interesa të ndryshme, të dy kërkojnë më shumë stabilitet – fjala kyçe e këtij samiti – dhe i shohin investimet dhe tregtinë si kanalin më të mirë afatshkurtër, ndërsa njëkohësisht përpiqen të reduktojnë varësinë nga njëri-tjetri.

Trump pritet t’i kërkojë Xi Jinpingut “hapjen” e Kinës për kompanitë amerikane, në praninë e më shumë se një duzine drejtuesish të kompanive më të fuqishme në botë, përfshirë BlackRock, Apple, Nvidia, Boeing, Meta, Goldman Sachs, Visa dhe Mastercard.

Sipas Trump, kjo do të jetë “kërkesa e tij e parë”. Dy vendet vazhdojnë të jenë në një luftë tregtare. Pekini iu kundërpërgjigj tarifave amerikane duke kufizuar eksportin e mineraleve të rralla. Megjithatë, një armëpushim u arrit tetorin e kaluar gjatë takimit të tyre në Korenë e Jugut.

Në samitin dyditor në Pekin do të diskutohet edhe për blerje të reja të produkteve amerikane nga Kina, si avionët Boeing dhe soja. Të mërkurën, negociatorët amerikanë në Korenë e Jugut punuan deri vonë, ku Scott Bessent u takua me zëvendëskryeministrin kinez He Lifeng për të përgatitur detajet e samitit.

Megjithatë, pritshmëritë mbeten të kufizuara. Pritet që Kina të njoftojë blerje të reja të avionëve Boeing, energjisë dhe produkteve bujqësore amerikane, ndërsa Amerika do të krijojnë një “Bord Tregtar” për të monitoruar angazhimet e marra.

Pak orë para samitit u bë e ditur gjithashtu se Pekini ka miratuar licenca eksporti për qindra kompani amerikane të mishit, të cilat do të mund të eksportojnë sërish në Kinë. Licencat nuk ishin rinovuar që nga marsi i vitit 2025, pas vendosjes së tarifave të reja amerikane ndaj Kinës.

Në Pekin ndodhet edhe Eric Trump, djali i presidentit amerikan, i cili drejton së bashku me vëllain e tij Trump Organization, si dhe bashkëshortja e tij Lara. Financial Times shkruan se një kompani e lidhur me Eric Trump dhe familjen Trump, Alt5 Sigma, po shqyrton mundësinë e një marrëveshjeje me prodhuesin kinez të çipave Nano Labs për ndërtimin e qendrave të të dhënave në SHBA.

Megjithatë, disa ligjvënës amerikanë kanë paralajmëruar se kompania kineze mund të ketë lidhje me Partinë Komuniste Kineze. Një zëdhënës i Eric Trump deklaroi se ai dhe bashkëshortja e tij ndodhen në Kinë “në kapacitet personal”, se “nuk do të marrin pjesë në takime biznesi” dhe se djali i presidentit “nuk ka interesa biznesi në Kinë dhe nuk synon të krijojë të tilla”.

Edhe Irani është një nga temat kryesore të samitit. Embargoja amerikane në Hormuz po bllokon eksportet iraniane të naftës drejt Kinës dhe amerikanët besojnë se Xi Jinping mund të ndihmojë për t’i dhënë fund krizës.

Marco Rubio deklaroi në një intervistë për Fox Neës, gjatë fluturimit me Air Force One, se është në interesin e Kinës të ndihmojë SHBA në çështjen iraniane, pasi bllokimi i Ngushticës së Hormuzit po pengon edhe kalimin e anijeve kineze.

Sekretari amerikan i Shtetit shtoi se shpreson që Kina të mos vendosë veto ndaj një rezolute të sponsorizuar nga SHBA në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e cila dënon Iranin për bllokimin e ngushticës. Sipas tij, Irani duhet të heqë tarifat e vendosura për anijet tregtare dhe të deklarojë vendndodhjen e minave detare.

Rubio e përshkroi Kinën si “sfidën tonë kryesore gjeopolitike, por edhe marrëdhënien më të rëndësishme për t’u menaxhuar”.

“Do të kemi interesa që do të përplasen me të tyret, por për të shmangur luftërat dhe për të ruajtur paqen dhe stabilitetin global, duhet t’i menaxhojmë këto interesa”, deklaroi ai.

Ndërkohë, Xi Jinping po përpiqet të dobësojë angazhimin politik dhe ushtarak amerikan ndaj Tajvanit. Washington Post shkruan se Kina dëshiron që Trump të deklarojë se SHBA “kundërshtojnë” pavarësinë e Tajvanit, ndërsa administrata Biden kishte përdorur formulimin se “nuk e mbështet” atë.

Në një letër drejtuar Marco Rubios, 12 anëtarë dypartiakë të Kongresit amerikan kërkuan vazhdimin e shitjes së armëve për Tajvanin dhe ruajtjen e politikës së “paqartësisë strategjike”. Megjithatë, sipas Politico, shumica e republikanëve kritikë ndaj Kinës nuk po e kundërshtojnë politikën e Trump ndaj Pekinit./CorrieredellaSera 

Next Post
Nis raundi i tretë i negociatave Izrael-Liban në Uashington, SHBA kërkon uljen e tensioneve në kufi

Nis raundi i tretë i negociatave Izrael-Liban në Uashington, SHBA kërkon uljen e tensioneve në kufi

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Debati në Kuvend! Bozdo kritikon rritjen e çmimeve, Ibrahimaj: Kemi vepruar me përgjegjësi për shmangien e abuzimeve

Debati në Kuvend! Bozdo kritikon rritjen e çmimeve, Ibrahimaj: Kemi vepruar me përgjegjësi për shmangien e abuzimeve

May 14, 2026
FSHF bën propozimin për President të UEFA-s, zbardhen detajet nga mbledhja

FSHF bën propozimin për President të UEFA-s, zbardhen detajet nga mbledhja

May 14, 2026
Rregullorja e re e Kuvendit, mbeten ende çështje pa konsensus mes PS dhe PD

Rregullorja e re e Kuvendit, mbeten ende çështje pa konsensus mes PS dhe PD

May 14, 2026
Nga sporteli i shtetit në “litarin” e qelisë

Nga sporteli i shtetit në “litarin” e qelisë

May 14, 2026
“Epsteini” ynë

“Meritën” kryesore për rezolutën e ka Berisha

May 14, 2026
Braçe kritikon mungesën e ministrit gjatë interpelancës: Mungesë respekti ndaj Kuvendit

Braçe kritikon mungesën e ministrit gjatë interpelancës: Mungesë respekti ndaj Kuvendit

May 14, 2026
Postblloqet policore për kontrollin e alkoolit të shoferëve

Mitet elektorale rreth pensionistëve dhe punonjësve të sektorit publik

May 14, 2026
Nis raundi i tretë i negociatave Izrael-Liban në Uashington, SHBA kërkon uljen e tensioneve në kufi

Nis raundi i tretë i negociatave Izrael-Liban në Uashington, SHBA kërkon uljen e tensioneve në kufi

May 14, 2026
Çfarë ndodhi në samitin Trump-Xi në Pekin, nga deklarata për Tajvanin te qëndrimet për Iranin dhe Hormuzin

Çfarë ndodhi në samitin Trump-Xi në Pekin, nga deklarata për Tajvanin te qëndrimet për Iranin dhe Hormuzin

May 14, 2026
Këta nuk janë ‘aristokratë’, janë thjeshtë të paudhë

‘Merz-Rama’ e ‘basti’ i Kos për Shqipërinë në BE, trondisin Berishën!

May 14, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In