Blendi Fevziu, ka bërë një reagim në rrjetet sociale në lidhje me vrasjen e Liridona Murselit që ka tronditur opinionin publik në Kosovë e Shqipëri.
Fevziu tregoi se fillimisht mbeti i trishtuar kur pa se bashkëshort i viktimës në atë që fillimisht u raportua si grabitje e shkuar keq ishte Naim Murseli, pasi e kishte takuar disa vite më parë në Prishtinë. Ai tregon se 33-vjeçari i kishte dhënë përshtypjen e një njeriu të kulturuar e të sjellshëm. Për këtë arsye tentoi që t’i gjente numrin e telefonit për t’i dërguar një mesazh ngushëllimi për këtë ngjarje të rëndë.
Por Fevziu rrëfeu se është tronditur kur policia e arrestoi dje atë për vrasjen e bashkëshortes. Sipas tij, është e vështirë të gjesh një arsye pse ai e bëri këtë krim, por një gjë është e sigurt, që çdo person që kryen një akt të tillë, meriton të quhet vetëm “kriminel”.
Mbeta tejet i tronditur në radhë të parë sepse njerëz të tillë që duken normalë, por që kanë ndjenja të tilla kriminale janë kaq pranë nesh. Edhe pse policia dhe drejtësia nuk kanë thënë përfundimisht fjalën e tyre ka shumë mundësi që versioni real të jetë ky. Ndaj pyeta veten. Çfarë mund ta bënte një burrë që të vriste bashkëshorten e tij në sy të dy fëmijëve, t’i linte ata me një traumë kaq të madhe, t’i largonte nga jeta një grua, një vajzë të re, e cila kishte menduar të kalonte jetën me të, e cila ishte bashkëshortja e tij, që kishin kaluar ditë të gëzuara dhe të trishtueshme padyshim, që i kishte sjellë në jetë dy fëmijë dhe që shpresonin t’i rrisnin së bashku? Ka shumë pse.
Liridona Murseli humbi jetën mbrëmjen e së mërkurës. Rreth 48 orë më vonë, policia arrestoi bashkëshortin e saj, Naimin, si porositës të vrasjes, Granit Plavën si ekzekutor dhe Kushtrim Kokallën si bashkëpunëtor në këtë ngjarje shumë të rëndë.
/f.s