Nga Skënder Minxhozi/
Në pamje të parë kemi humbur gjithçka: përballjen me serbët e “urryer” dhe shansin historik për të vajtur në Francë 2016. Të dyja këto i humbëm deri në një farë mase. Sepse vërtet u mundëm, por ama patëm fituar me dinjitetin e lojtarëve në fushë dhe me pikë, ndeshjen e parë. Kurse shansi i vajtjes në Kampionatin Europian vijon të mbetet ende i gjallë, megjithëse shpresat janë më të pakta se para dy ndeshjeve të fundit, me Portugalinë dhe Serbinë.
Por medalja e Elbasanit ka edhe një anë tjetër. E cila nuk të çon në Kampionatin Europian, por mund të na çonte fare mirë në listat e zeza të UEFA-s. Të cilat nuk të japin as lavdinë e finalistit të Europianit, e as kënaqësinë e të qenit një popull dhe një publik normal. Dhe sanksionet për tifozeritë anormale i pamë në nëntorin e shkuar në Beograd.
Në të gjitha prognozat që lidheshin me sigurinë dhe risqet e ndeshjes së mbrëmshme, ajo e humbjes së skuadrës sonë shihej si më e keqja. Imagjinoni një publik nga Shqipëria e Kosova, të ngarkuar emocionalisht dhe me pritshmëritë që dihen, të dilte jashtë kontrollit pas golave serbë. Të gjuante lojtarët me çfarë t’i vinte për dore, të digjte a të thyente ndonjë dyqan rrugës në ikje etj etj. Tani që gjithçka ka kaluar, ne mund të ironizojmë sa të duam me këtë element, por mbrëmë ky ishte një opsion mëse i mundshëm. Të paktën në letër. Sot shtypi serb boton përshtypjet e prindërve të studentëve serbë, të cilët shpreheshin se kishin frikë se shqiptarët do t’u vrisnin fëmijët.
E megjithatë nuk ndodhi asgjë. Asnjë student serb nuk u prek, asnjë lojtar nuk u gjuajt me karrige apo sende të tjera, i vetmi element përtej “standartit UEFA” ishte fishkëllimi i himnit kombëtar të Serbisë. Një minimum “restoje” për atë që ndodhi në stadiumin e Partizanit të Beogradit, ku tribunat ishin mbushur me parulla “Vritini shqiptarët” dhe ku mijëra tifozë këndonin gjatë gjithë kohës të njëjtën frazë.
Sot është e lehtë të ironizosh me futbollin që luajmë ne shqiptarët. A nuk e kemi bërë këtë edhe në të shkuarën, kur mezi arrinim në vendin e parafundit në grupe? Nuk mund të krahasohemi nga aspekti sportiv me Serbinë, e pamë dhe mbrëmë. Nuk është ndonjë dramë dhe kjo nuk na bën më pak “europianë”. Sepse kemi atë kampionat provincial që dihet, kemi një kombëtare të improvizuar me lojtarë që luajnë thuajse të gjithë jashtë vendit dhe ku elementi kosovar është dominant. Nuk ka pse të bëjmë drama në këtë drejtim.
Por ama nuk ka pse ta frustojmë veten me auto-ironinë tonë obsesive, për të anatemuar gjithkënd dhe gjithçka. Futbolli është një lojë tekanjoze dhe luhet me një top që siç dihet, është i rrumbullakët. Ishte i tillë kur mundëm Portugalinë, por edhe mbrëmë kur u hodhëm në sulm me naivitet, në vend që të mbronim barazimin e vyer. Çdo koment tjetër snob për nacionalizmin tonë primitiv, për idhujt e fetishet tona të sforcuara kombëtare, është thjesht një eksibicionizëm shterp dhe vanitoz. Shikoni kasetën e ndeshjes së parë në Beograsd, që të bindeni për këtë…