Nga Nikolas K.Gvosdev “National Interest”
Dy vjet më parë, me rastin e festimit të 70-vjetorit të Traktatit të Uashingtonit, shkrova një artikull me titullin provokues “A do të ekzistojnë NATO deri në 75-vjetorin e saj?”.
Ndërsa përgjigja ime atëherë dhe sot e kësaj dite mbetet ende “po”, probabiliteti që kjo të ndodhë është zvogëluar.
Dhe kjo pavarësisht nga pohimet se vështirësitë brenda aleancës mund t’i atribuohen presidencës së Donald Trump, dhe se me ardhjen e Xho Bajden në Shtëpinë e Bardhë, do të niste procesi i përtëritjes trans-atlantike.
Në fakt, kjo qasje sugjeron se ajo që e dëmton NATO-n, ka pak të bëjë me personalitetet e udhëheqësve, dhe është më shumë e rrënjosur në strukturat e vetë aleancës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e përmbledh hapur problemin kryesor: “Mjafton të shihni shifrat:80 për qind e shpenzimeve të mbrojtjes të NATO-s vijnë nga aleatët që nuk janë anëtarë të BE-së”. Në këto kushte perspektiva strategjike dhe prioritetet e 3 shteteve kryesore të NATO-s që nuk janë anëtare të BE-së, Turqia, Britania dhe Shtetet e Bashkuara, shkon në drejtim të kundërt me përzierjen e misionit të NATO-s me mbrojtjen e Evropës.
Së pari, çështja e Turqisë. Dy vjet më parë, shumë njerëz shpresuar se vendimi i Rexhep Tajip Erdogan për të vazhduar me blerjen e një sistemi rus të mbrojtjes ajrore S-400, do të ishte një krizë e izoluar, një incident, por jo një problem i vazhdueshëm.
Por Turqia jo vetëm që bleu sistemin e parë, por tanimë është në bisedime për një sistem të dytë, dhe po sheh mundësinë e bashkëpunimit me industrinë ruse të mbrojtjes për ndërtimin e avionëve luftarakë dhe nëndetëseve.
Vendimi i Erdogan për t’iu drejtuar Rusisë për disa mekanizma të mbrojtjes, të cilat partnerët e tij në NATO ose ngurrojnë t’ia shesin (apo t’i transferojnë teknologjitë përkatëse), buron nga vlerësimi i tij se Turqia jeton në një “lagje” të rrezikshme dhe të paqëndrueshme (Siria, Irani dhe Rusia).
Gjithsesi, presidenti turk nuk beson se partnerët e tij në NATO do t’i japin Turqisë mbështetjen që ai kërkon, apo se ata nuk do të gjejnë mënyra të tjera për të shmangur angazhimet që kanë ndaj Ankarasë.
Nga ana tjetër, Erdogan i sheh marrëdhëniet e Turqisë me Rusinë nga një perspektivë më e gjerë e NATO-s, duke treguar se Ankaraja nuk do të sakrifikojë interesat e saj jetike me Moskën, si një gjest solidariteti ndaj aleatëve dhe partnerëve të tjerë të aleancës.
Ankaraja është e vetëdijshme se kritikat e fundit ndaj marrëveshjes Hungari-Rusi mbi furnizimin me gaz, dhe që e përjashton plotësisht Ukrainën nga çdo rol në transportin e tij, është në fakt një kritikë indirekte ndaj Turqisë, për shkak të dëshirës së saj për të luajtur një rol më të madh në ndihmën ndaj eksporteve të energjisë ruse për të arritur tregjet perëndimore.
Me gatishmërinë e tij për t’i shitur dromët ushtarakë Ukrainës, apo për të kundërshtuar ndikimin rus në Kaukaz, Erdogan ka treguar se Turqia nuk do t’i plotësojë në çdo aspekt preferencat e Moskës. Por njëkohësisht, Erdogan nuk do të ndihmojë aleatët e NATO-s, të cilët në cilësinë e anëtarit të Bashkimit Evropian, nuk duket se janë të prirur që t’i bëjnë ndonjë favor Turqisë.
Dhe tani kemi arritjen e një marrëveshje në fushën e mbrojtës midis Greqisë dhe Francës, të konsideruar me kujdes nga kryeministri grek Kiriakos Micotaqis si një hap kyç për mbrojtjen e “interesave evropianë” në Mesdhe, dhe që me fjalë të tjera nënkupton përdorimin e nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit, që i angazhon të dyja palët të përgjigjen “me të gjitha mjetet që kanë në dispozicion, në rast se nevojitet edhe forcat e armatosura, nëse konstatojnë se po ndodh një sulm kundër territorit të njërës prej tyre”.
Ajo që nuk e thotë hapur ky pakt, është se ai do të aktivizohej edhe kundër Turqisë, aleatit tjetër të NATO -s. Nga ana tjetër, francezët e shohin këtë si fillimin e një procesi për krijimin e një pakti të veçantë evropian të mbrojtjes dhe sigurisë.
Presidenti francez Emanuel Makron e ka bërë të qartë se ai e sheh rolin e NATO-s në terma të kufizuar gjeografikë, pra të kufizuar tek pellgu i Atlantikut, gjë që vë në pikëpyetje se sa larg në lindje duhet të shtrihet përgjegjësia e aleancës, sidomos sa i përket marrëdhënieve me Rusinë, por edhe idenë se NATO duhet të luajë një rol më aktiv në partneritetin me miqtë amerikanë në pellgun më të madh të Indo-Paqësorit.
Megjithatë, Londra dhe Uashingtoni e shohin ngritjen e Kinës si një sfidë globale dhe jo thjesht rajonale, ndaj duan që t’i shohin shtetet perëndimore në një bashkëpunim më të ngushtë të sigurisë me partnerët e Paqësorit.
Sidoqoftë, nënshkrimi i paktit të ri të mbrojtjes Australi-SHBA-Britani të Madhe, sinjalizon se as Londra dhe as Uashingtoni, nuk duan që ky proces t’i nënshtrohet një vetoje evropiane. Por një përqendrim më i madh tek Kina, ka ndërkohë pasoja mbi rëndësinë relative të Rusisë në aspektin e kërcënimit të aleatëve të ndryshëm evropianë.
Një tipar përcaktues i administratës Bajden, ka qenë vartësia nga konsideratat e tjera për zhvillimin dhe forcimin e një koalicioni partnerësh evropianë dhe aziatikë për të balancuar Kinën. Edhe marrëdhëniet me Rusinë, shihen tashmë në këtë kuadër.
Refuzimi i zgjatjes së sanksioneve mbi gazsjellësin “Nord Stream II”, të cilat do të kishin ndikuar negativisht tek kompanitë gjermane (në mënyrë që Gjermania të pajtohet me qasjen që e cilëson Kinën si një sfidë të staturës të NATO-s), i përshtatet një pikëpamjeje botërore, sipas së cilës sfida e Rusisë është më pak ekzistenciale për Shtetet e Bashkuara.
Por për disa nga aleatët e nivelit lindor të NATO-s, hapat e ndërmarrë për të parandaluar afrimin e mëtejshëm të Rusisë me Kinën, bartin problemin e shtuar të forcimit të kapaciteteve ruse dhe shndërrimit të Moskës në një sfidante më të aftë në zonat përreth saj.
Stoltenberg është detyruar të ketë një qasje pajtuese.
Për ata anëtarë të NATO-s qënuk duan të përfshihen në një përplasje SHBA-Kinë – sigurisht jo për çështje si Tajvani – Sekretari i Përgjithshëm thekson se Kina nuk është as kundërshtare dhe as armike e aleancës, ndërsa premton se aleanca do të synojë të thellojë lidhjet me partnerët e saj strategjikë në Azi (si Japonia, Koreja dhe Australia).
Për disa aleatë të NATO-s, siguria e tyre varet nga shtrirja e zonës së sigurisë euro-atlantike më tej në territorin post-sovjetik; të tjerër besojnë se Evropa ka një perimetër mbrojtës të mjaftueshëm në raport me Rusinë. Në fakt në letër, aleatët mund të mos e shikojnë njëri-tjetrin si partnerë të vërtetë të sigurisë.
Asnjë nga këto nuk rrezikon shpërbërjen e aleancës, dhe infrastruktura që ajo ka ndërtuar gjatë 72 viteve të ekzistencës së saj, nuk duhet që të shpërfillet aq lehtë. Asnjë anëtar i NATO-s nuk është gati që të largohet, dhe nuk ka asnjë mekanizëm për dëbimin e anëtarëve.
Megjithatë, marrëveshja e AUKUS dhe pakti franko-grek, tregojnë atë që ka të ngjarë të jetë tipari përcaktuese i aleancës në mesin e viteve 2020:jo një koalicion i fuqishëm prej 30 shtetesh, por një “kuti mjetesh”, ku shtetet do të përdorin praktikën dhe ndërveprimin e aleancës për të formuar grupe më të vogla ose koalicione të përkohshme, dhe ku disa shtete do të marrin pjesë në aktivitete të përbashkëta, ndërsa të tjerat jo.
Stoltenberg vëren se NATO “po i përshtatet vazhdimisht” kushteve në ndryshim të botës. NATO do të mbijetojë me siguri për të kremtuar 75-vjetorin e vet, por aleanca ka filluar të duket shumë ndryshe nga dikur.(CNA.al)