Gjatë fushatës elektorale të vitit 2024, Donald Trump premtonte t’i jepte fund “luftërave të kota dhe të pafundme”. Madje, vetëm pak muaj më parë, në prill, kur priti në Washington kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, e paralajmëroi rreptësisht të mos e sulmonte Iranin. Por tani Trump flet si të ishte tashmë në luftë.
“Ne kemi kontrollin e qiellit mbi Teheranin,” tha ai këtë javë.
Sipas burimeve, presidenti mund të miratojë në çdo moment përfshirjen e drejtpërdrejtë të avionëve amerikanë në bombardimet për të shkatërruar potencialin bërthamor të Iranit. Në vetëm pak muaj, nga izolacionist ai është kthyer në ndërhyrës. Kjo kthesë ka përçarë tashmë kampin MAGA (“Make America Great Again”), lëvizjen populiste që Trump e udhëheq dhe me të cilën ka fituar dy herë zgjedhjet presidenciale.
Përplasja me aleatët më të afërt
Dy nga aleatët më të afërt dhe më të fuqishëm të Trump-it, strategu Steve Bannon dhe gazetari Tucker Carlson, të dy përfaqësues të krahut izolacionist, kanë dalë kundër vendimit të Trump për të ndjekur Izraelin në luftën ndaj regjimit iranian. Disa ligjvënës republikanë janë bashkuar me demokratët për të kërkuar që vetëm Kongresi të ketë të drejtën të vendosë për përfshirjen ushtarake në një konflikt të tillë.
Nga ana tjetër, krahu tradicionalist dhe më i prirur drejt luftës brenda Partisë Republikane e mbështet fuqimisht një ndërhyrje, për të ndihmuar Izraelin dhe për të parandaluar që Irani të prodhojë armë bërthamore. Një sondazh ndër mbështetësit e Trump tregon se shumica janë në favor të ndërhyrjes.
Izolacionistët kundër luftës
Të martën, kongresmeni republikan Thomas Massie iu bashkua kolegëve demokratë për të propozuar një ligj që ndalon presidentin të përdorë ushtrinë në “akte armiqësore të paautorizuara” kundër Iranit pa miratimin e Kongresit. “Kjo nuk është lufta jonë,” tha Massie, duke shtuar se “edhe po të ishte, Kushtetuta ia jep të drejtën vetëm Kongresit për ta vendosur.”
Tucker Carlson, ish-prezantuesi i Fox News që tani drejton një podcast me miliona ndjekës, ka quajtur “luftënxitës” republikanët që mbështesin sulmet ndaj Iranit. Deputetja republikane Marjorie Taylor Greene, një nga ndjekëset më të zjarrta të Trump, ka mbështetur Carlson-in, duke deklaruar se çdo përkrahje për ndërhyrje ushtarake tradhton parimin “America First” (Amerika e para). Steve Bannon paralajmëroi se “nëse “deep state” e shtyn Amerikën drejt luftës, do të shpërbëhet koalicioni MAGA”.
Ndërhyrësit e vendosur
Nga krahu tjetër, senatori Mitch McConnell i ironizoi këto deklarata.
“Nuk janë ditë të mira për lëvizjen izolacioniste të Carlson dhe Bannon. Dukshëm i shqetëson fakti që Amerika mund të ndihmojë Izraelin të mposhtë Iranin”, tha ai.
Edhe senatori Lindsey Graham theksoi se është në interesin e Amerikës të mos lejojë Iranin të zhvillojë armë bërthamore dhe i kërkoi Trump-it të japë dritën jeshile për ndërhyrje.
“Presidenti e kupton se na leverdis të ndihmojmë Izraelin ta çojë deri në fund këtë operacion”, tha ai.
Zëvendëspresidenti J.D. Vance shtoi se vendimi përfundimtar i takon presidentit, duke lënë të kuptohet se Trump mund të ndjehet i detyruar të ndërhyjë.
Një sondazh i kryer nga Gray House zbulon se 79% e mbështetësve të Trump janë në favor të dërgimit të armëve në Izrael për të shkatërruar plotësisht laboratorët bërthamorë iranianë. Aty përfshihen edhe bombat e posaçme që depërtojnë në thellësi të maleve ku Irani zhvillon programin e pasurimit të uraniumit, armë që disponohen vetëm nga bombarduesit amerikanë.
Momenti i kthesës
Sipas burimeve të BBC-së, Pentagoni ka dërguar në Europë avionë furnizimi me karburant në ajër për të mbështetur misionin e bombarduesve amerikanë. Deklaratat gjithnjë e më të ashpra të Trump-it, kërkesa për “dorëzim të pakushtëzuar” nga Irani, dhe paralajmërimi “e dimë ku ndodhet Khamenei, por për tani nuk do ta vrasim”, lënë të kuptohet se presidenti është shumë afër të autorizojë veprim të drejtpërdrejtë ushtarak.
Sipas New York Times, ajo që e bindi Trump të braktiste izolacionizmin ishte suksesi i ditës së parë të sulmit izraelit, kur u goditën krerët ushtarakë të Iranit. Trump, i etur për të marrë meritën e operacionit të suksesshëm, ka ndryshuar kurs. “Besojmë te instinkti i Donaldit”, ka thënë një burim nga administrata.
Opinion publik amerikan, në përgjithësi, do ta përkrahte shembjen e regjimit të ajatollahëve, një regjim që e ka turpëruar SHBA-në në të kaluarën, përfshirë me marrjen peng të stafit të ambasadës amerikane në 1980 dhe sulmin ndaj kazermës së marinsave në Bejrut disa vite më vonë.
Megjithatë, deri tani Trump ka preferuar rrugën diplomatike për të parandaluar Iranin të armatoset me armë bërthamore. Por, ashtu siç ka vepruar në çështje të tjera, si lufta tregtare me Kinën, ai ka treguar se mund të ndryshojë mendje në çdo moment. Pritet të shihet se si do ta kalojë këtë dilemë vetë lëvizja MAGA./ La Repubblica











