Izraeli njoftoi më 11 mars vendosjen e brigadës elitare Golani përgjatë kufirit me Libanin, në një lëvizje që sinjalizon rritje të tensioneve në frontin verior. Sipas ushtrisë izraelite, shefi i shtabit, Eyal Zamir, urdhëroi forcimin e kësaj zone duke transferuar njësi të brigadës nga fronti jugor drejt veriut.
Ky zhvillim erdhi në një moment përshkallëzimi të përplasjes me Hezbollah.
Gjatë natës mes 25 dhe 26 marsit, një ushtar i brigadës Golani u vra në Libanin Jugor gjatë një “shkëmbimi zjarri” me këtë grup, sipas burimeve ushtarake izraelite.
Brigada Golani është një nga njësitë më të vjetra dhe më të njohura të ushtrisë izraelite.
Ajo daton që para krijimit të shtetit të Izraeli në vitin 1948, duke e bërë atë një strukturë me rrënjë të thella historike dhe simbolike në doktrinën ushtarake të vendit. Simboli i saj është një pemë ulliri e gjelbër në një sfond të verdhë, me ushtarët e saj që mbajnë një beretë kafe.
E njohur për operacionet tokësore në terrene të vështira, Golani ka qenë e përfshirë në disa nga konfliktet më të rëndësishme të Izraelit, duke përfshirë luftërat me shtetet arabe dhe operacionet në territoret palestineze.











