Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, ka deklaroi në emisionin “Studio e hapur” në News 24 se po përgatitet një dosje për çështjen e CEZ-it dhe se do të kallëzohen të gjithë drejtuesit politikë, duke përfshirë ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin Ridvan Bode etj.
Pjesë nga intervista:
Dosja për CEZ është shumë e ndërlikuar, por publiku nuk është aq teknik dhe duhet të zgjedhim një gjuhë të thjeshtë. Pati një kallëzim ndaj jush pas auditit të KLSH. Ju trembi kjo?
Nuk më ka trembur se kjo është pjesë e një lufte politike. Është një fletërrufe politike për të sulmuar qeverinë shqiptare. Synohet të diskreditohet reforma në drejtësi. Kjo është një reformë qeveritare, dhe unë nuk kam asnjë merak, pasi kemi bërë gjënë e duhur, dhe kemi nxjerrë vendin nga kriza.
Keni parasysh masat shtrënguese?
Reforma përfshin gjithçka, masat, legjislacionin, zgjidhjen e problematikave. Një reformë që të ketë sukses duhet të ketë disiplinë financiare. Harakirin me energjinë elektrike, premtimet elektorale, e provuan qytetarët, dhe kjo e çoi vendin në vështirësi. Të paguash energjinë është një detyrim. Këto janë reforma strukturore. Baza e kësaj është pagesa. U reformua struktura e tarifës, u ndryshua dhe Kodi Penal. Më parë ka qenë kundravajtje penale mospagimi i energjisë dhe abuzimi më energjinë elektrike. Mbyllëm gropat e mëdha që ka patur ndaj HEC private. Këtë e ndërlidhëm me buxhetin e shtetit dhe stabilitetin financiar.
Kjo u zgjidh me paratë e shqiptarëve…
Nuk është kështu. Opozita bëri atë M.. e madhe, dhe atij që pastron i thonë mban erë.
Pse nuk e çoni në prokurori?
Se gjatë kohës që ishim në negociata për të gjetur një zgjidhje nuk mund të çonim në prokurori personat përgjegjës sepse do ishte disavantazh për ne. KLSH u mor për qëllimet e saj politike vetëm me marrëveshjen e mirëkuptimit. Pra pjesën e problemit i thotë politikës hetoje ti me komision parlamentar.
KLSH thotë se dëmi është 470 mln euro, ju konsideroni një fletë-rrufe politike. Pse sa herë ka një raport që nuk iu pëlqen merreni me institucionin?
Përfundimet e këtij raporti i paralajmëroi Berisha në një seancë në fillim të shtatorit. Raporti ishte i pa përfunduar, ku e dinte Berisha? Raporti që ka sjellë KLSH nuk i përmend fare këto. KLSH duhet të ketë në gjetjet paraprake edhe pretendimet. Pse është një vlerësimi i njëanshëm? Nuk jep asnjë argument, megjithëse e ka detyrim ligjor. Nuk kanë bërë një auditim të tyre, i janë referuar një raporti të tonin. Opozita që flet tani duhet t’i bënte këto detyra brenda 60 ditëve nga heqja e licencës.
A ka pas vendim gjykate?
Nuk ka pasur vendim gjykate, por një vendim të ERE-s. Asnjë rekomandim nuk ka qenë ndërkombëtar dhe gënjejnë. Le të nxjerrin një letër ku BB paska thënë hiqi licencën çekëve dhe përzëri ata.
Ju keni falur edhe kreditë.
ERE i ka njohur një pjesë. këto janë raporte që u bënë nga qeveria shqiptare. Sektori kishte nevojë për financime, ishte në krizë dhe po të mos gjenim një zgjidhje të shpejtë, duheshin investime. Duhej zgjidhje për të kapërcyer hemorragjinë financiare.
Basha e ka denoncuar marrëveshjen që në fillim.
E denoncuan deri në shtator të 2014, dhe ranë në pushim për një vit. Basha ka thënë se PD do ta çojë këtë marrëveshje në Kushtetuese, por nuk e kanë bërë këtë. Ranë në gjumë, e harruan. Vetëm për diversion politik filluan ta ngrenë si çështje, të ndihmuar nga skifteri i tyre në KLSH. E bënë për t’i dhënë peshë argumenteve të opozitës. E panë si një moment oportun politik.
A është e vërtetë që trashëguat një shoqëri të falimentuar, me borxhet që ajo kishte?
E morën përsipër bashkë me borxhet ashtu si ishte.
A ishte në shkelje kontrata e privatizimit?
CEZ humbi lekët e blerjes së aksioneve, 100 milionë euro. Vetëm kostoja e avokatit është 2 mln dollarë. Vendimet financiare janë sovrane të qeverisë shqiptare. Pse qe e rëndësishme kjo?
Pyetje nga qytetarët: Si ndihen shqiptarët kur ministri mbron vjedhjen prej 500 mln eurosh?
Kjo është një akuzë politike dhe ato 500 mln euro dëm kërkoja ish-qeverisë. Situata është shumë konkrete. Kjo është marrëveshja më e mirë e mundshme që i hapi rrugë investimeve në sektorin e energjisë. Këto janë para që kanë qenë borxhe në sistem.
A është e vërtetë që kreditë nuk janë përdorur për qëllimet që janë marrë?
Kreditë ekzistojnë në bilance, që janë përdorur. Lekët janë marrë, një pjesë e investimeve janë bërë. 80 mln dollarë investime janë bërë. Këta që flasim për marrëveshjen, mua më thonë me çfarë të drejte Sali Berisha, Bode, Guxholli janë ulur në maj të 2012 dhe kanë bërë marrëveshje me çekët, marrëveshje të turpshme. I thanë nëse institucionet publike nuk paguajnë energjinë, ti nuk do paguash KESH-in. Grupi negociator mori një vendim historik, morën një vendim qeverie, po këta me ç’të drejtë? Vendimet merreshin në zyrën e Berishës dhe thjesht ratifikoheshin nga ERE. Qe një marrëdhënie qeveri-private dhe në këtë konflikt rregullator qe një martesë e shkuar dëm.
Pse nuk e latë të falimentonte?
Në sektorë strategjikë nuk njihet falimenti. Nuk ka kompani që furnizon popullatën me energji që njeh falimentin. Nga kjo pikëpamje KLSH nuk njeh legjislacionin. Çekët kanë qenë në diskutime me ta edhe për mënyrën e daljes, Exit i kontrolluar. Këta nuk zgjodhën këtë rrugë, zgjodhën rrugën e përzënies vetë pa u konsultuar me institucionet ndërkombëtare financiare.
Pse është bërë, pse kanë vepruar kështu sipas jush?
Sepse e shkaktuan vetë këtë katrahurë dhe në panik e sipër, sepse ishin para zgjedhjeve zgjodhën këtë rrugë. Puna është se ne erdhëm me vota për të qeverisur dhe duhet të bënim një zgjedhje. FMN na vuri një kusht: Sektori energjetik gropa më e madhe financiare që kërkonte zgjidhje të menjëhershme. Të gjitha paratë që akuzohemi ne se i kemi ndarë me CEZ janë këtu në Shqipëri. Institucioni nuk ia paguante CEZ-it, CEZ-i nuk ia paguante KESH-it. Vlera e privatizimit ka qenë 102 mln euro, është fshehur kjo. Këta se njohën sepse sipas auditit, aksionet dilnin zero. E treta u njohën vetëm 87 mln euro të kontraktuara, me fatura të pranuara edhe nga autoritetet të certifikuara nga ERE. E fundit nga akuzojnë për faljen e 205 mln euro kesh OST, po nuk përmendin të drejtat financiare.
Ju besoni që CEZ është keqmenaxhuar? Do bëni kallëzim për drejtuesit e CEZ?
Ne po bëjmë kallëzim për drejtuesit politikë, veprime dhe mosveprime të atyre që kanë pasur në dorë për ta monitoruar këtë problem, kanë bërë këtë maskaradë.
Kush janë atë?
Kryeministri i pari.
Do çoni në prokurori zotin Berisha?
Të gjithë, Boden e të tjerët. Jemi duke përgatitur një dosje. Shumë shpejt do e çojmë në prokurori.
Balkan Web