Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka komentuar zërat për përgjimin e mundshëm të kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, sa i takon hetimeve për çeshtjen CEZ-DIA.
I pyetur nga Sokol Balla, në emisionin “Top Story” në Top Channel, nëse është përgjuar Meta në mënyrë të paligjshme, LLalla dha këtë përgjigje:
“Rasti konkret është çështje e nisur shumë vite para se unë të vija në krye të Prokurorisë. Në vitin 2014 ne e kemi rihapur dhe e kemi çuar për gjykim. Vijohet me hetimet për pjesën tjetër dhe është në proces për akuzat e pastrimit të parave. Prokuroria ka bindje se i pandehuri Ismailaj është fajtor për veprat që akuzohet”, tha kryeprokurori.
Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla i është përgjigjur kritikave që rëndojnë mbi Prokurorinë për çështjen e 21-janarit. Llalla tha se prokuroria ka bërë punë të admirueshme dhe ka ndjekur çështjen në çdo hallkë.
“Nga të dhënat që kam parë konstatoj se nga Prokuroria është kryer punë e lavdërueshme. Të dyshuarit janë ndjekur penalisht dhe janë çuar në gjykatë. Kemi ndjekur të gjitha hallkat e gjyqësorit dhe aktualisht çështja është në Gjykatën e Lartë. Për Aleksa Nikën, pasi kemi kryer të gjitha veprimet e mundshme hetimore, nuk kemi mundur deri në këtë fazë të zbulojmë autorët. Veprimet për zbardhjen e vrasjes së Alkes Nikës vijojnë të kryhen bashkë me policinë”, tha Llalla.
Ai është pyetur nga gazetari Sokol Balla edhe për çështjen “Fullani”, mbi arsyet se pse organi i akuzës nuk bëri rekurs në Gjykatën e Lartë pas shpalljes së tij të pafajshëm në shkallën e parë dhe në apel.
“Mos të vëmë prokurorinë në qendër të akuzave, por duhet të sqarojmë edhe për rastin. Prokuroria kërkoi dënimin e tij si në shkallën e parë ashtu edhe në apel. Të dyja gjykatat vlerësuan se nuk ishin provat e mjaftueshme për atë që ne e akuzuam. Rekursi për në Gjykatën e Lartë ka disa specifika të caktuara”, tha Llalla.
Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla deklaroi se arrestimi i ish-ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale gjatë qeverisjes së demokratëve, Spiro Ksera, nuk ka asnjë prapavijë politike. Duke iu përgjigjur deklaratave se prangosja e tij ka ardhur pas presioneve politike ndaj organit të akuzës, Llalla deklaroi dha këtë përgjigje:
“Nuk ka asnjë presion mbi prokurorinë për rastin. Vendimi është rezultat i përfundimit të shumë veprimeve hetimore”, tha Llalla.
I pyetur nëse ka të tjerë zyrtarë apo ish-zyrtarë të këtyre niveleve nën hetim Llalla dha këtë përgjigje:
“Ka shume raste në proces hetimi dhe në varësi të rezultateve do të vlerësohet se çfarë do të bëhet. Ne vijojmë hetimet, ka mjete të tjera dhe çdo hetim do kohën e vet dhe kërkon mjete speciale pasi bëhet fjalë për nivelet e larta të strukturës së administratës”, – tha më tej Llalla.
Ai ka komentuar edhe çështjen e Reformës në Drejtësi, duke theksuar se ndërprerja e mandatit të tij do të ishte një veprim anti-kushtetues.
Intervista
Sokol Balla: Ku janë hetimet për rastin “Ksera”?
Kryeprokurori Adriatik Llalla: Janë edhe dy masa të tjera që priten të ekzekutohen nga ana e policisë, mund të ketë edhe të dyshuar të tjerë, por deri në këtë fazë janë këta të dyshuar.
Sokol Balla: A ka patur presion politik dhe pse u mor tani vendimi?
Kryeprokurori Llalla: Rasti ka një të veçantë, çështja ka nisur mbi bazën e kallëzimit të KLSH mbi ish-drejtorin e kabinetit të Kserës që po vuan dy dënime. Gjatë hetimeve të rastit, prokuroria arriti të zbulonte se krahas veprimeve të kundraligjshme të drejtorit të Kabinetit ka edhe shkelje të tjera ligjore nga ana e kësaj ministrie, përfshirë edhe ministrin Ksera. Hetimet çuan në zbulimin e kësaj afere korruptive.
Sokol Balla: A ka pasur presion politik?
Kryeprokurori Llalla: Nuk ka asnjë rast presioni politik ndaj prokurorisë. Vendimi për masën e arrestit është marrë pas përfundimit të hetimeve.
Sokol Balla: Duket sikur ky arrestim erdhi pas vizitës tuaj në Kroaci dhe dihet precedenti pozitiv kroat që solli një spastrim deri në rrënjë të korrupsionit, ka njëfarësimbolike kjo?
Kryeprokurori Llalla: Vizita në Kroaci ishte për bashkëpunimin dhe për të vlerësuar në kontributin e rëndësishëm në integrimin. Rasti nuk ka lidhje me vizitën time atje, që ishte në kuadër të shkëmbimit të përvojave. Kontributi i prokurorisë është tejet i rëndësishëm në integrimin e vendit dhe modeli kroat vlerësohet si më i suksesshmi.
Sokol Balla: Kur flisni për rëndësinë që ka posti juaj, keni të drejtë pasi njerëzit kanë një perceptim të dobët për drejtësinë, që kap vendin e fundit, aq keq perceptohen. Mua më shkojnë ndërmend vetëm disa nga proceset e mëdha, që duhet të kishin marrë një zgjidhje, le të themi 21 Janari psh, dhe familjarët mendojnë që prokuroria ka prova për të rihapur procesin deri në zinxhirin e komandës, duket sikur prokuroria nuk po bën asgjë në këtë drejtim…as qeveria.
Kryeprokurori Llalla: 21 janari ka nisur dhe është hetuar para se të vija unë dhe nga të dhënat për këtë ngjarje, është kryer një punë e lavdërueshme. Të dyshuarit janë marrë në përgjejgësi penale për veprën e vrasjes me dashje. Pavarësisht kërkesës tonë, gjykata ka mbajtur tjetër qëndrim dhe rekursi ndodhet në Gjykatën e Lartë dhe është në proces shqyrtimi. 21 Janari ka të pa zbardhur vrasjen e Aleks Nikës, për të cilën prokuroria pasi ka kryer shumë veprime hetimore nuk ka mundur të zbulojë autorin e kësaj. Veprimet për zbulimin e kësaj vrasjeje vijojnë të kryhen në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.
Sokol Balla: Ka një hetim parlamentar për 21 Janarin, që nisi dhe nuk pëfundoi kurrë, ajo që ishte një goditje një grusht shteti, një qëndrim që e ndan edhe Presidenti. A ka hetim në këtë drejtim?
Kryeprokurori Llalla: Prokuroria i ka dhënë zgjidhje kësaj piste. Ka kërkuar atë masë dënimi ndaj të akuzuarve për veprën penalë që kanë kryer në vlerësimin tonë.
Sokol Balla: Çështja “Fullani” pse shkoi drejt mbylljes dhe a pati një tejkalim, s’po them të qëllimshëm, por të rastësishëm afati rekursi?
Kryeprokurori Llalla: Të mos vëmë Prokurorinë në qendër të akuzave këtu. Rasti Fullanit, prokuroria vijoi hetimet. Ka kërkuar dënimin e tij si në Shkallën e Parë dhe në Apel, që vlerësuan se nuk kishte prova të mjaftueshme për ta akuzuar. Në këto rrethana pasi u shqyrtuan hetimet tona, nuk u gjetën shkaqet për rekursin. Ishte një mbyllje logjike nga ana e Prokurorisë.
Sokol Balla: Në 2014 keni folur për çështje të mëdha që po heton Prokuroria dhe që do lëvizin themelet e integrimit europian të Shqipërisë?
Kryeprokurori Llalla: Nuk ka, thënë që do të trondisin të ardhmen e integrimit, por do të ndikojnë sepse në atë periudhë kishim dhe janë çështje për hetime të rëndësishme për zyrtarë të niveleve të larta. Por jo të gjitha hetimet që nisin përfundojnë me sukses. Ka patur hetime edhe të zyrtarëve aktualë. Dua të theksoj që një sukses ka qenë rasti i të akuzuarve për veprime terroriste. Shteti shqiptar ka qenë ndër të parët që ka identifikuar shtetasit e vet që propagandonin idetë e tyre në kundërshtim me ligjin.
Sokol Balla: Nëse bisedon me funksionar të lartë, diplomatë dhe gazetarë të huaj të pyesin realisht a ka baza reale për të dyshuar që Shqipëria mund të jetë një vatër e këtyre elementëve të terrorizmit islamik?
Kryeprokurori Llalla: Imazhin e keq të vendit tonë e kanë përcjellë media periferike shqiptare që ndikuan në publikimin e disa artikujve të mediave ndërkombëtare. Nuk ka asnjë të dhënë që në Shqipëri të veprojnë grupe të organizuara terroriste apo xhihadiste. Prokuorira shqiptare, që ka detyrën parësore për gjetjen e këtyre rasteve nuk ka gjetur elementë të tillë. Rastet janë individë që shkonin në mënyrë vetjake për të luftuar në një shtet të huaj. Kjo nuk do të thotë që në Shqipëri ka grupe ekstremiste.
Sokol Balla: Ka një shqetësim për Kosovën dhe Maqedoninë dhe në këtë trekëndësh bën që të shihet edhe Shqiëria, që mund të futet lehtësisht. Ju në një rast keni bashkëpunuar drejtpërdrejtë me prokurorinë e Kosovës…
Kryeprokurori Llalla: Ne kemi bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet homologe në rajon. Për të gjithë ne është i njohur fakti që nuk ka ekstremizma të organizuara fetare në Shqipëri.
Sokol Balla: Në intervistën tonë të fundit keni thënë që po hetoni në rang zyrtarësh të lartë ish ministra dhe ministra aktualë. Pas një viti e gjysmë kemi rastin Ksera, do të kthehet në precedent? Do të kemi arrestime të tjera?
Kryeprokurori Llalla: Hetimet duan kohën e tyre. Prokuroria ka mjaft raste në proces hetimi në nivele edhe të larta. Edhe zyrtarësh aktualë. Vijojnë hetimet dhe do të vendoset më vonë se ca do të bëhet.
Sokol Balla: Po hetoni një ministër, ka zhvillim në këtë drejtim?
Kryeprokurori Llalla: Vijojmë hetimet dhe në atë rast ku gjenden prova hetimet vijojnë, ndërsa mjete të tjera si hetimet e specializuara duan kohën e tyre. Të gjitha rastet kur kemi arrestuar deputetë dhe zyrtarë të tjerë të lartë kemi gjetur mbështetjen e Kuvendit. Muk është pengesë për ne imuniteti i zyrtarëve.