Në zgjedhjet e 25 prillit përveç identifikimit biometrik të zgjedhësve, i cili do të bëhet në të gjitha qendrat e votimit, projektit pilot të votimit dhe numërimit elektronik, në këto zgjedhje do të ketë dhe kamera monitoruese në të gjitha qendrat e votimit dhe numërimit.
I ftuar në ‘Zgjedhje 2021’ nga Alban Dudushi dhe Pranvera Borakaj, në Vizion Plus, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tregoi më gjerësisht se do të kryehet numerimi i votave në këto zgjedhje. Celibashi theksoi se procesi i vlerësimit do të kalojë në dy faza.
“Në përgjithësi, procesi i vlerësimit të fletëve të votimit do të kalojë në dy faza, ose më mirë të themi, fletët e votimit do të vlerësohen dy herë. Në herën e parë do të bëhet vlerësimi i fletëve të votimit duke patur si qëllim vetëm votën, ose rezultatin për partinë politike ose koalicionin. Dhe do të dalë ky rezultat në të gjithë qarkun, pra për partinë politike dhe koalicionin. Pra, ne do të dimë se sa mandate ka marrë X parti apo koalicion dhe pastaj do t’i bëjmë një rivlerësim të dytë fletëve të votimit, por këtë herë do të rihapen kutitë e votimit duke treguar vëmendje vetëm për shënimet që janë bërë vetëm për kandidatët në fletët e votimit.”
Më tej Celibashi u ndal edhe në projektin pilot lidhur me procesin e votimit, i realizuar në 32 qendra votimi. Kreu i KQZ-së shprehet se duket se do jetë një projekt i suksesshëm, por që ka kushtuar shumë, deri në 1.1 mln euro.
“Nga ajo çfarë kemi testuar deri tani, duket se do të jetë një projekt i suksesshëm. Natyrshëm që kemi patur shumë pak kohë për ta përgatitur dhe me një kohë akoma më të gjatë, ti ke mundësi që të informosh dhe të edukosh votuesit më shumë. Sepse gjithsesi edhe pse procesi i votimit nëpërmejt makinës është i thjeshtë, ka nevojë në fakt për t’u familjarizuar. Është kosoto në fakt. Ne vetëm për 32 qendra votimi jemi detyruar që të paguajmë rreth 1.1 mln euro, por në fakt pjesën më të madhe të kësaj kostoje e zënë pajisjet, serverat të cilët si për 32 qendra votimi, si për 5 mijë, pak a shumë aq shkon.”
/a.r











