Duke theksuar se historia nuk mund të riciklohet, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se përurimi i këtij muzeu të nëndheut të diktaturës komuniste, nuk është rastësisht edhe pjesë e programit në kuadër të Samitit të Diasporës.
“Bashkatdhetarët tanë nuk ka si të mos jenë po aq dëshmitarë të historisë së vendit të tyre të prejardhjes e cdo pjese të saj. Nëse nuk e gjejmë të natyrshëm motivimin, nuk do e gjejmë shtysën që lypset për të qenë partizanë të së ardhmes, në kundërshtim me c’mund të mendojë ndokush historia nuk riciklohet”- tha Rama.
Kreu i qeverisë i ka dhënë përgjigje gjithë atyre që e kanë quajtur ngritjen e tij një risjellje nostalgjike të dhunës së të shkruarës, apo si homazh për diktaturën, por një dëshmi e gjallë dhe shlyerje detyrimi për gjithë viktimat e terrorit.
“Ky bunker është hyrja në të parin memorial, i konceptuar mbi themel kushtuar kujtimit me mendje, zemër dhe sy viktimave të terrorit komunist, ndaj kushdo që ka folur në hava e gratis se ky është një bunker për të risjellë në formë shprehje nostalgjie dhunën e të kaluarës përmes të qëndruarit të tij në sheshin sipër ka detyrimin moral të vijë dhe ta vizitojë dhe të qepë gojën përballë kujtimit të viktimave, të cilat për herë të parë në historinë e 25 vjetëve kanë një hapësirë tu flasin njerëzve direkt, jo mes të tretëve”-tha Rama.
Sipas tij, kupola sipër është së jashtmi shëmbëlltyra e bunkerit tip të diktaturës, por së brendshmi një diafragmë që merr frymë mes leximit të emrave dhe fytyrave të viktimave të terrorit.
“Në të dëshmohet se si përgatiteshin dosjet e sigurimit, dosje prej të cilave kanë ende frikë, makth, pafuqi të trishtueshme disa që i tremben edhe bunkerit lart, edhe muzeut poshtë, njësoj si korbat i tremben një dordoleci”- tha ai.
Ceremonia e inaugurimit të Bunk’art 2, një muze dëshmi e gjallë e torturave të diktaturës komuniste në vendin tonë, nisi paraditen e sotme. Kreu i qeverisë ka ftuar gjithë ndjekësit e tij në FB të shohin atë që po ndodh, duke e shfaqur live ceremoninë.
Tahiri: Qeveria e parë që vepron seriozisht për hapjen e dosjeve
Gjatë fjalës së shkurtër, ministri i Brendshëm Tahiri deklaroi se ne “Kemi debat mbi të shkuarën, ndodh shpesh të ndahet shoqëria, politika mbi të shkuarën që ka ndodhur dje, prodhojmë të vërteta që nuk kanë qenë të kohës, kjo që shohim sot, është mundësia unike për të parë të vërtetat reale, jo ato që prodhojmë ne”.
Sipas Tahirit, kjo është “qeveria e parë që e sheh të shkuarën tonë si pasurinë e vyer për rë njohur më mirë atë që kemi qenë, nuk është cështje betonarme, por qeveri që vepron seriozisht për hapjen e dosjeve”.