Qeveria e Çekisë vendosi orë policore nga 21:00 deri në 05:00 si masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Kjo masë do të jetë në fuqi deri më 3 Nëntor. Dyqanet me pakicë që ende funksionojnë nën kufizimet aktuale duhet të mbyllen deri në orën 20:00.
Të dielave gjithçka duhet të jetë e mbyllur, me përjashtim të pikave të karburantit, farmacive ose dyqaneve në stacionet e trenit dhe pikat e tjera të udhëtimit.
Qeveria ka shtuar kufizimet tre herë në dy javët e fundit për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve.
Rritja e rasteve, të cilat kanë qenë mesatarisht mbi 12,000 në ditë, gjatë javës së kaluar, në vendin me 10.7 milionë banorë, do të ngarkojë edhe më shumë kapacitetet spitalore.
Ministri i Shëndetësisë i Çekisë, Roman Prymula, tha se masat e vendosura deri më tani siç është mbyllja e bareve, restoranteve, dyqaneve për shitje me pakicë dhe shkollave – nuk kishin arritur të ulnin shkallën e infeksionit. Republika Çeke njoftoi të martën për 10,273 raste të reja me COVID-19.
Ky vend ka pasur normat më të shpejta të infeksionit në Evropë gjatë dy javëve të fundit, sipas të dhënave të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), me 1,324 raste për 100,000 banorë.
Në total, Republika Çeke ka regjistruar 268,370 raste të të infektuarve me koronavirusin e ri.
/a.r