Tashmë është zyrtare, Valentino Rossi do të niset nga vendi i fundit të dielën në garën për Çmimin e Madh të Spanjës që do të zhvillohet në pistën e Valencias. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë ka rrëzuar kërkesën e italianit për të hequr dënimin e dhënë nga Federata Ndërkombëtare e Motoçiklizmit në dëm të tij dhe tashmë Rossi duhet t’i mbrojë 7 pikët avantazh që ka ndaj Lorenzos duke u nisur nga bishti i garës. “TAS nuk ka gjetur arsye për të hequr pezullimin, çka do të thotë se vendimi i marrë nga Federata Ndërkombëtare e Motoçiklizmit duhet të aplikohet në garën e Valencias”, shkruhet në faqen zyrtare të institucionit me qendër në Lozanë. Gjithmonë sipas gjykatës, pas garës së Malajzisë, drejtuesit kanë dalë në përfundimin se Rossi zgjati këmbën për të detyruar Marquez të dilte jashtë pistës, duke krijuar kushtet për një kontakt që çoi në largimin e Marquez nga gara. “Për shkeljen e rregullores se federatës, drejtuesit e garës i hoqën tre pikë nga patenta dhe në bazë të këtij vendimi, ai duhet të niset i fundit në garën e radhës”, thuhet gjithashtu në vendimin zyrtar.
Supersport