Në kuadër të Tetorit Gjerman, u shfaq mbrëmë kryevepra vokalo-simfonike “Carmina Burana” nga Carl Orff në Qendrën Kulturore të Katedrales Orthodhokse.
Kjo vepër epike përfshiu 140 artistë, orkestrën, korin, korin e fëmijëve si bashkëpunim i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe Ambasadës Gjermane në Shqipëri.
E njohur në skena të ndryshme të botës, kjo vepër u dirigjua nga Gudni Emilsson, i cili ka një aktivitet mjaft të vlerësuar në skena të ndryshme të botës, por që këtë mbrëmje erdhi për publikun shqiptar.
Gudni Emilson është vlerësuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Në kurikulumin e tij renditen disa shfaqje me orkestrat më të mëdha dhe më të rëndësishme në Gjermani si me “Orkestrën Filarmonike të Shtutgartit”, “Orkestrën Simfonike të Nurenbergut”, “Orekstrën Simfonike të Universitetit të Leipzig-ut” dhe përtej Gjermanisë, si me orkestrat simfonike në Greqi, Çeki, Poloni, Austri, Rumani, Bullgari, Mal i Zi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Vietnam. Gudni Emilson ka dirigjuar në shumë festivale të njohura të muzikës klasike në Europë. Ai ka bashkëpunuar me solistë të njohur të teatrove të ndryshëm të botës duke e bërë atë një nga dirigjentët që ka interpretuar në gjithë Europën, në shumë vende të Afrikës, të Lindjes, si në Japoni, Korenë e Jugut, Kinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prej vitit 2005 ai është “udhëheqësi” i “Orkestrës Filarmonike të Tajlandës”.
Ndërsa solistët e kësaj mbrëmjeje të veçantë ishin sopranoja Ramona Tullumani, baritoni Armando Likaj dhe kontratenor Sadet Berisha.
Carmina Burana konsiderohet një ndër klasikët e parë në historinë e muzikës.
Brilant në gjithë thjeshtësinë që e karakterizon, ritmikisht potent, me një tematikë gjithnjë aktuale, ky balet të zgjon fantazinë si asnjë vepër tjetër e shekullit të 20-të.
Këtij pushteti sugjestionues që përcjell muzika e Orff, koreografi Vamos i përgjigjet me një skenografi veçanërisht të thjeshtë. Vetë skena kornizohet nga siluetat e korit dhe orkestrës. Nën këtë sfond dhe nëpërmjet një koreografie mbresëlënëse ai shpalos një himn ngazëllyes për dashurinë e sinqertë.
/a.r