Bordi i Paqes i Donald Trump i ka paraqitur Hamasit një propozim me shkrim se si të çarmatoset, një hap që militantët palestinezë deri tani kanë refuzuar ta marrin, ndërsa presidenti amerikan vazhdon me planin e tij për të ardhmen e Gazës.
Propozimi, iu dorëzua Hamasit gjatë takimeve në Kajro gjatë javës së kaluar. Në bisedime morën pjesë Nickolay Mladenov dhe Aryeh Lightstone, thanë të dy burimet e njohura me çështjen.
Mladenov është emisar i Bordit të Paqes për Gazën, i emëruar nga Trump. Lightstone është ndihmës amerikan i emisarit të veçantë të Trump, Steve Witkoff. Plani i Trump për Gazën, me të cilin ranë dakord Izraeli dhe Hamasi në tetor, parashikon tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza dhe fillimin e rindërtimit ndërsa Hamasi depoziton armët e tij.
Mladenov tha të enjten se po bëheshin përpjekje serioze për të sjellë lehtësim në Gazën e shkatërruar nga lufta, me një kuadër të dakorduar nga ndërmjetësit që mund të avancojë rindërtimin në enklavë, shumica e së cilës është në rrënoja.
“Tani është në tryezë. Kërkon një zgjedhje të qartë: çarmatimi i plotë nga Hamasi dhe çdo grup i armatosur, pa përjashtime dhe pa lëshime. Në këtë sezon shprese, uroj që ata përgjegjës të bëjnë zgjedhjen e duhur për popullin palestinez,” shkroi Mladenov në X gjatë festës myslimane të Eid al-Fitr.
Përfaqësuesit e Hamasit nuk ishin menjëherë të disponueshëm për koment të shtunën, ditën e dytë të festës. Bisedimet mbi çarmatimin ishin pezulluar në fillim të luftës SHBA-Izrael kundër Iranit që filloi më 28 shkurt.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se Hamas, i mbështetur nga Irani, mund t’i ofrohet amnisti në çdo marrëveshje ku ata bien dakord të depozitojnë armët e rënda dhe armët e lehta, përfshirë pushkët. Burime të afërta me Hamas thonë se grupi me gjasë do të refuzojë t’i dorëzojë pushkët e tij për shkak të frikës nga sulmet e milicive rivale në Gaza, disa prej të cilave kanë mbështetje nga Izraeli. Hamas dhe rivalët e tij kanë kryer sulme vdekjeprurëse ndaj njëri-tjetrit që nga armëpushimi i tetorit.
Një nga burimet tha se shumë do të varet nga ajo që është e pranueshme për Izraelin, i cili kërkon çarmatimin e plotë të grupit.
Disa nga zyrtarët më të shquar të Hamasit kanë refuzuar plotësisht çdo çarmatim gjatë muajve të fundit.
Izraeli nuk ka dhënë shenja se do të tërheqë trupat e tij, të cilat kontrollojnë rreth gjysmën e territorit të Gazës, ndërsa Hamas mban një kontroll të fortë mbi gjysmën tjetër të enklavës dhe mbi banorët e saj, shumica e të cilëve janë bërë të pastrehë nga dy vjet luftë shkatërruese.
Amnistia dhe investimet e synuara në Gaza po ofroheshin si stimuj për Hamasin, por tha se nuk ishte e qartë nëse Bordi i Paqes do të kishte fonde për ta financuar këtë.










