Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Camreon, pasditen e së martës gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit britanik, ka treguar sërish se sulmi terrorist në Banjskë dhe takimi me trupat britanike që kanë zbarkuar në Kosovë në kuadër të KFOR-it, qenë ndër arsyet kryesore të vizitës madhore, javën e parë të vitit.
Cameron ende është i rezervuar në dhënien e detajeve se çfarë me saktësi ndodhi në Banjskë më 24 shtator 2023. Është i bindur se është parandaluar një sulm edhe më i madh.
“Sulmi i Banjskës ka mundur të jetë një ngjarje e rëndë, nëse shihni numrin e armëve të sjella në Kosovë dhe numrin e njerëzve, nëse ky grup nuk do të ishte penguar nga operacioni i Policisë së Kosovës, do të ngjanin një varg sulmesh kundrejt stacioneve të Policisë së Kosovës, post-blloqeve. Ato nuk ishin thjeshtë armë por pajisje të rënda vdekjeprurëse, pra nëse po flisni për rreziqet e këto, bazuar në njohuritë tona… pra jam shumë i vetëdijshëm se çfarë rreziku ka qenë dhe kjo ishte njëra ndër arsyet pse kam dashur të shkoj në Kosovë, të takohem me KFOR-in dhe të takohem me komandantët, trupat britanike dhe ta bëj një vlerësim rreth asaj se çfarë ka ndodhur”, ka deklaruar David Cameron, raporton Klan Kosova.
“Duhet të shprehim frustrim të madh karshi qëndrimit të Qeverisë së Serbisë. Ne nuk kemi ndryshuar mendim se duhet t’i japim një mundësi Serbisë që të ketë synime euro-atlantike dhe nuk kemi ndryshuar mendim se nëse ata e duan një aso të ardhme, duhet t’u ofrohet. Por e ndjej një frustrim që rritet për faktin se sillen në këtë formë dhe bëjnë këto gjëra dhe duhet të jemi të qartë sa i përket kësaj. Nuk e di nëse BE dhe ShBA ndjenjë të njëjtin frustrim, duhet t’i pyesni ata, por kam vërejtur nervozë edhe tek ata gjatë bisedave sepse ajo që ndodhi në Banjskë ishte rrezik i jashtëzakonshëm”.
Rasti i Banjskës dhe jo vetëm, sipas Cameron, duhet t’i shërbejë perëndimit për ta rishikuar qasjen e tij ndaj zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, natyrisht edhe në Kosovë, i bindur edhe për qëllimet e Rusisë për destabilizim, për të cilat tha se po përdorë veglat e saj në Ballkan, përfshi Serbinë.
“Pozicioni i Perëndimit ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor është marrë në një kohë para invazionit rus në Ukrainë dhe duhet të mendojmë shumë se çfarë ka ndryshuar sepse padyshim se Rusia dëshiron që të bëjë më shumë për ta destabilizuar Ballkanin, dëshiron të bëjë më shumë përmes veglave të saj, përfshirë Serbinë, dëshiron ta shndërrojë atë zonë në një vend më pak të sigurt, andaj ne duhet të ngremë lojën tonë, rreth asaj që mund të bëjmë për ta mundur atë”, u shpreh Sekretari i Jashtëm britanik.
Gjatë raportimit të së martës u bë zyrtarisht e ditur se një shtet nga 5 vendet aleate, jo Mbretëria e Bashkuar, ka përfunduar raportin e detajuar mbi ngjarjet e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, por nuk ka vullnet për t’i shpalosur gjetjet. /Klankosova.tv