Ylli Çabiri është ndoshta i fundmit zyrtar i lartë i shtetit shqiptar që i përket “burokracisë së lartë të shtetit”, të cilit i dhimbset ende shteti në këtë vend. Në një libër brilant ku ka hedhur gjithë përvojat e tij, në përpjekje për të rindërtuar shtetin pas vitit 1991, Çabiri analizon cdo detaj të paqartësisë, papërgjegjësië dhe papjekurisë me të cilën qeveritë shqiptare tentojnë të prekin shtetin për të mbajtur pushtetin dhe që zhysin thellë e më thellë burokracinë shqiptare, duke e rrënuar atë dhe duke e zëvëndësuar me partizanë politikë të përkohshëm, dhe duke e ngarkuar me struktura jo efiçente.
Më poshtë po botojmë një pjesë të analizës së tij për reformën pa vizion në administratën publike të qeverisë së Edi Ramës pas vitit 2015 dhe recetat e thata dhe pa përmbajtje të këshilltarëve të huaj.
Nga Ylli Çabiri
Po të analizohet me kujdes Strategjia Ndërsektoriale e Reformës së Administratës Publike (2015-2020) zbulohet se në të mungojnë çështje shumë të rëndësishme e prioritare për t’u zgjidhur, pa të cilat Administrata Publike shqiptare vështirë se mund të shndërrohet në një Administratë moderne perëndimore.
Do të shqyrtoj të paktën dy çështje, më kryesoret prej tyre. Çështja e parë lidhet me vendim-marrësit tanë, të cilët kanë
demonstruar se nuk e kanë patur vizionin e duhur strategjik për këtë Reformë themelore. Me mendjelehtësi adoleshente kanë përgatitur dhe miratuar gjithçka që është servirur nga Departamenti i Administratës Publike dhe politikanët përkatës.
Sipas Ligjit416, Qeveria shqiptare nëpërmjet Departamentit të Administratës Publike, i raporton çdo vit Kuvendit të Shqipërisë mbi përparimin e Reformës së Administratës Publike dhe në veçanti për menaxhimin e shërbimit civil. Nga studimi i Raporteve të paraqitura çdo vit që nga viti 2002 rezultojnë këto dobësi: (i) Raportet e viteve 2012, 2013, 2014, 2015, 2016 dhe 2017 fjalë të ndryshme thonë të njëjtën gjë. Ato flasin për përgatitje të Kuadrit ligjor, rritjen e pagave, rritjen e cilësisë së Institutit të Trajnimeve dhe rritjen e kapacitetit të nëpunësve civilë nëpërmjet trajnimeve.
Zakonisht, në këto dokumente, nuk ka asnjë tregues sasior. Vendoset objektivi për rritjen e pagave pa thënë se cila është dyshemeja e rritjes. Thuhet se do rishikohen kurrikulat e trajnimit, pa përcaktuar se sa të tilla do të rishikohen dhe sa do të bëhen të reja. Flitet për rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore nëpërmjet trajnimeve, pa thënë se sa nëpunës civilë mund të trajnohen.
Të gjithë objektivat mbeten të njëjtë për vitet 2012, 2013 dhe 2014. Vazhdon i bezdisshëm refreni i përvitshëm “përgatitje e kuadrit ligjor”, duke cituar të njëjtat projekt-ligje për disa vite radhazi. Në këto Raporte vihet re një përmirësim përmbajtësor, duke filluar nga viti 2016. Shfaqen disa objektiva të rinj, me terma më “modernë”, të tillë si informatizimi dhe portalet on line. Por vazhdohet njëlloj, pa tregues sasiorë, me vizionin të bëjmë sa të bëjmë….
Flitet për shtrirje të shërbimit civil, por nuk caktohet asnjë objektiv se ç’pjesë e Administratës Publike mund të përfitojë dhe kur mund të përfitojë konkretisht. Sepse shërbimi civil është sot një pjesë shumë e vogël e Administratës Publike.
Raportet nuk kanë përfundime apo komente të asaj që ka ndodhur. Tentativa e parë e ndrojtur, është bërë në Raportin e (Ligji Nr. 8549, datë 11.11.1999 “Për statusin e nëpunësit civil” ) vitit 2005, ku është thënë se Administrata Publike ka nepotizëm dhe shumë ndërhyrje në nivel politik gjatë konkurseve, procedurat e konkurrimit të të cilëve janë të komprometuara.Tentativa e dytë është bërë në Raportin vitit 2006, por këtë radhë më e kursyer. Janë kritikuar ndryshimet shumë të shpeshta të Strukturave, por sipas autorëve kjo ka qenë çështje mungese vizioni dhe jo lëvizjeje e stafeve.
Përkundrazi është kundërshtuar mosmarrja e mendimit të Departamentit të Administratës Publike për ndryshimet strukturore të Ministrive, por kjo ka rënë në vesh të shurdhët. Në 15 Raporte të studiuara vetëm në dy Raportet, që përmenda, gjen ndonjë kritikë.
Deputetët ligjvënës asnjëherë nuk i kanë komentuar këto Raporte, sikur çdo gjë në Reformën e Administratës Publike të kishte shkuar vaj. Deputetët nuk e kanë hapur gojën për të propozuar diçka, qoftë dhe të çfarëdoshme.Të krijohet përshtypja se këto Raporte nuk janë shqyrtuar fare nga Deputetët, por vetëm janë depozituar çdo vit për të zbatuar kërkesën ligjore.
Fatkeqësisht mungon vizioni strategjik i ligjvënësve dhe vendim-marrësve për Qeverisjen dhe rrugët e reformimit të saj.
Çështja e dytë lidhet me Asistencën ndërkombëtare, pra me paratë e taksapaguesve ndërkombëtarë. Ata kanë patur disa Projekte me rëndësi, që kanë ndihmuar Reformën e Administratës Publike në Shqipëri. Bëhet fjalë për Projekte ndërkombëtare shumë serioze donatorësh seriozë si: Programi IPA i Bashkimit Europian, GIZ e kooperacionit Gjerman, Banka Botërore etj.
Projektet kanë qenë të drejtpërdrejta, në ndihmë të Reformës së Administratës Publike shqiptare, ose kanë qenë financime për SIGMA-n, një institucion europian i specializuar në fushën e Reformave të qeverisjes me qendër në Paris.
SIGMA ka botuar një Raport mbi Shqipërinë417, i cili ka qenë edhe bibla për Strategjinë Ndërsektoriale të Reformës së Administratës Publike 2015 – 2020 në Shqipëri. Ky dokument është paraprirë nga një proces absolutisht korrekt vlerësimi i gjendjes së Administratës sonë.
Prioritetet e identifikuara nuk janë vërtetësisht ato që duhen. Ekspertët kanë propozuar katër synime kryesore për t‘u përmbushur deri në vitin 2020: (i) Zhvillimi i kapaciteteve për hartim politikash dhe për draftim Legjislacioni; (ii) Punë më e madhe për adaptimin e Acquis Communitaire, megjithëse Shqipëria ka tashmë një Administratë Publike, që përbëhet nga institucione efiçente dhe efektive, ku shërbejnë punonjës të shërbimit civil profesional, që veprojnë në mënyrë të pavarur dhe kontribuojnë në afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian; (iii) Përmirësimi i mëtejshëm i sistemit të blerjeve publike, përfshirë koncesionet ppp, bazuar në sistemin ekzistues, plotësisht operacional, dhe që konsiderohet i ndershëm nga shumica e operatorëve dhe nga organizatat e shoqërisë civile; dhe (iv) Forcimi dhe perfeksionimi i kontrallit financiar publik, përfshirë fondet e Bashkimit Europian, duke shfrytëzuar instrumente tashmë funksionale si: Programi i Buxhetit Afatmesëm dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Këto synime kanë shërbyer si bazë për zbërthimin e mëtejshëm të detyrave sipas viteve dhe hartimin e një Strategjie të plotë e të gjithëpranuar, të shoqëruar me një Plan Veprimi të detajuar. Nëse të gjitha këto bëhen siç kanë thënë ekspertët e SIGMA-s, viti 2020 do ta gjejë Shqipërinë vërtet me një Administratë Publike moderne? Jo! Jam i prerë në këtë përgjigje.
Arsyeja nuk lidhet me një kriticizëm apo skepticizëm të zakonshëm eksperti. Puna është se në këtë dokument nuk flitet ( Është fjala për raportin: SIGMA, Priorities-Albania, Paris, May 2013.) , asnjë fjalë për të paktën tri komponente themelore, që nuk duhet kurrssesi të harroheshin.
Asnjë fjalë për Strukturat e Institucioneve, që duhen rindërtuar në bazë të analizave funksionale dhe në bazë standardesh të njësuara e të miratuara. Asnjë fjalë për shtrirjen e shërbimit civil me synime sasiore konkrete, megjithëse kjo është domosdoshmëri absolute. Nuk ristrukturohet Instituti Shqiptar i Trajnimit të Administratës Publike. Ky mund të ketë të paktën dy nivele trajnimesh dhe duhet nxitur sektori i ofruesve privatë për nivelin e dytë.
Pikërisht këto janë prioritetet e vërteta të Reformës së Administratës Publike në Shqipëri, që ekspertët nuk i kanë shqyrtuar aspak. Pa i përmbushur ato është e kotë të vazhdohet e të bëhet sikur. Harxhim kohe dhe parash!
Përse janë neglizhuar? Nuk e kanë kuptuar? Mbase nëpunësit tanë nuk ua kanë mbushur syrin dhe u janë dukur si të një vendi humbëtirë, ku SIGMA kontribuon. A e kanë lexuar shefat e SIGMA-s Raportin e tyre? Nëse po, duhet të japin dorëheqjen, sepse kanë shpërdoruar paratë e taksapaguesve europianë. Në mes të Parisit. Nëse jo, të japin dorëheqjen, sepse nuk kanë bërë detyrën e tyre, duke e lejuar ekspertizën të tallet me një vend të vogël e të varfër si Shqipëria. Në të dyja rastet duhet të ikin.
Është bërë zakon që çfarë thuhet nga Ndërkombëtarët, duhet kryer si detyrë shtëpie, dhe kjo punë duket e mbyllur deri më 2020. Pastaj vjen një ekip vlerësimi e na thotë: keni punuar shumë mirë, keni bërë hapa përpara, por keni ende për të bërë. Dhe, një Strategji 5-vjeçare tjetër. Dhe ca miliona të tjerë të taksapaguesve europianë…
Sfida dhe problemi kryesor i Administratës sonë Publike nuk është rritja e kapacitetit të saj për të hartuar Legjislacionin dhe matur impaktin e tij, siç kanë këmbëngulur pa të drejtë ekspertët e SIGMA-s. Mund të kemi ligje të përsosura, por nuk angazhohemi sa duhet për t‘i zbatuar ato.
Nga ana tjetër, më duket përçmuese që dikush vjen si ekspert i “madh” i fushës dhe lë një dokument të tillë, pas të cilit vrapojnë të gjithë me shumë seriozitet.
Para kësaj Strategjie, ka qenë Strategjia e Refomës së
Administratës Publike 2009-2013 e cila, sipas vlerësimeve, ka qenë fokusuar vetëm tek Shërbimi civil dhe ka lënë jashtë disa komponentë të tjerë të rëndësishëm. Ikën 4 vjet….
Tani kemi Strategjinë deri në vitin 2020 dhe përsëri kemi lënë jashtë disa komponentë. Do ikin edhe 5-6 vjet…
Kështu janë shtyrë 27 vjet së bashku me SIGMA-n! Është shumë. Pafalshëm shumë! Më besoni!
Marrë nga libri “Shqipëria mund të bëhet” Ylli Çabiri. Botuar nga “Onufri”. 2018