Ministri i jashtëm Ditmir Bushati ka dhënë një intervistë për “ballkanin Evropian Perëndimor”. Ai ka komentuar situatën në rajon, marrëdhëniet mes vendeve të rajonit dhe aspiratat për integrimin në Bashkimin Evropian. referuar akuzave nga Maqedonia për ndërhyrje të Shqipërisë në punët e brendshmë të këtij shteti, Bushati tha se “veprimet dhe lëvizjet e fundit të aktorëve politikë në Maqedoni, janë përpjekur ta transformojnë krizën aktuale të demokracisë në një krizë ndëretnike”.
Poa shtu, Bushati ka deklaruar se kohët e fundit janë vërejtur problematika në marrëdhëniet dypalëshe mes vendeve në rajon të nxitura nga retorikat që nuk e ndihmojnë bashkëpunimin.
“Kohët e fundit kam vërejtur një retorikë të përtërirë të ndarjes, e cila shkon kundër frymës së bashkëpunimit rajonal dhe, në disa raste, pengesat politike që rrjedhin nga mosmarrëveshjet dypalëshe ende pengojnë bashkëpunimin rajonal”, tha ai.
Intervista:
Ballkani Evropian Perëndimor: Pas tre viteve të Procesit të Berlinit, si e shihni potencialin e tij në lehtësimin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor?
Ditmir Bushati: Ekziston një dimension politik i Procesit të Berlinit që ka sjellë angazhimin e elitave politike në rajon deri në një nivel të ri. Ne kemi demonstruar vullnetin politik dhe udhëheqjen politike në një proces që, natyrisht, ka nevojë për shpirt politik. Gjatë tre viteve të fundit, ka patur diskutime më të kujdesshme rreth bashkëpunimit rajonal dhe projekteve të përbashkëta, dhe klima e përgjithshme është më e mirë se tre vjet më parë. Por, ne gjithashtu duhet të materializojmë në terma konkrete atë për të cilën kemi rënë dakord në Procesin e Berlinit. Sot kemi një pakt lidhës, por na mungojnë instrumentet financiare dhe, në disa raste, kjo është shoqëruar me mungesën e kapaciteteve absorbuese nga ana e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
BEP: Si e shihni të ardhmen e këtij procesi? A mendoni se do të vazhdojë pas vitit të ardhshëm apo jo?
Bushati: Ne e konsiderojmë Procesin e Berlinit si një lehtësues për procesin e pranimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Tre vjet më parë, ky proces pati efekte të jashtëzakonshme psikologjike dhe politike, veçanërisht nëse merr parasysh se Komisioni i Junker miratoi të ashtuquajturin “ndërprerje të zgjerimit”, sipas të cilës nuk duhet të ketë aderim gjatë mandatit të Komisionit në detyrë. Në këtë drejtim, ne kemi pranuar vizionin politik të Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor. Ne nuk duam ta shohim procesin e Berlinit si zëvendësim për anëtarësimin në BE, dhe duam të sigurohemi se projektet tashmë të miratuara në kuadrin e Procesit të Berlinit janë zbatuar. Ne gjithashtu duhet të sinkronizojmë përpjekjet tona në kombinimin e instrumenteve dhe mjeteve politike dhe financiare, në mënyrë që të sigurohemi se Ballkani Perëndimor është transformuar, nga një zonë gjeografike e fragmentuar, në një rajon të vërtetë në aspektin politik, ekonomik dhe të sigurisë.
BEP: Shoqëria civile është njohur si një aktor i rëndësishëm me Forumet e Shoqërisë Civile që tani po bëhen pjesë e rëndësishme e Procesit të Berlinit. Si i shihni përfitimet e përfshirjes së shoqërisë civile?
Bushati: Shoqëria civile në rajonin tonë po hyn në një fazë pjekurie, e cila u demonstrua edhe nëpërmjet angazhimit të saj proaktiv në Procesin e Berlinit. Forumi i Shoqërisë Civile të Tiranës është një tjetër dëshmi e kësaj pjekurie dhe faktit se iniciativat e rëndësishme politike nuk mund të anashkalojnë aktorët e shoqërisë civile
Ndërsa Proçesi i Berlinit ka nevojë për shpirt dhe angazhim politik të nivelit të lartë, në mënyrë që të mos humbasë vrullin, qytetarët nuk duhet të largohen nga procesi dhe përfitimet e tij. Iniciativat e shoqërisë civile po përpiqen, me sukses mund të thuhet, për të plotësuar boshllëqet ekzistuese në lidhjet mes njerëzve. Në këtë fazë besoj se procesi ka nevojë për më shumë takime informuese ndërmjet samiteve në mënyrë që të garantojë realizime konkrete dhe të ofrojë mundësi për angazhimin e OSHC-ve. Shoqërinë civile duhet ta shohim si një aktor plotësues dhe strategjik kur bëhet fjalë për Procesin e Berlinit, pasi ajo mund të veprojë si një agjent komunikimi i paçmuar për tërë procesin.
Ne shohim aktualishtar forcat centrifugale të procesit të pranimit në BE dhe rrezikun që ai të bëhet një proces ekskluziv i nxitur nga elitat. Përkundrazi, anëtarësimi në BE duhet të jetë një ndryshim shoqëror. Dhe, për të arritur ndryshimin shoqëror, roli i shoqërive civile është vendimtar. Në komunikimin e procesit të pranimit në BE, shoqëritë civile mund të mbushin hendekun aktual ndërmjet qytetarëve dhe formacionit politik.
BEP: Ju gjithashtu vini nga shoqëria civile. Cili mendoni se do të jetë roli i saj në negociatat e pranimit të Shqipërisë në BE?
Bushati: Ne kemi themeluar një Këshill Kombëtar për Integrimin Evropian dhe anëtarët e këtij Këshilli përfshijnë përfaqësuesit e shoqërisë civile. Është një forum ku ne kemi mundësinë të diskutojmë sfidat dhe pikëpamjet tona me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe gjithashtu të marrim kontributin e tyre për të gjithë grupin e politikave që implementojmë në kuadrin e procesit të pranimit në BE.
Unë kam qenë i ftuar i rregullt në Këshill, duke shpjeguar fazat e ndryshme të procesit të kandidimit të Shqipërisë për anëtarësim në BE, por edhe duke prezantuar risitë dhe instrumentet e ofruara nga Procesi i Berlinit dhe forumet e tjera rajonale në të cilat marrim pjesë. Duke pasur parasysh karrierën time të mëparshme, nuk ka diskutim që unë e vlerësoj shumë rolin dhe pjesëmarrjen aktive të shoqërive civile në këto procese.
BEP: Pavarësisht gjithë progresit të arritur, duket se ka shumë sfida në marrëdhëniet dypalëshe të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Si e vlerësoni gjendjen e marrëdhënieve dypalëshe në rajon?
Bushati: Ne kemi nënshkruar një deklaratë të përbashkët në të cilën ne angazhohemi të mos bllokojmë pranimin e njëri-tjetrit në BE. Kjo është një shprehje e vullnetit të mirë, por të flasim me sinqeritet, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë në gjendje të bllokojnë njëri-tjetrin, sepse asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është anëtar i BE-së. Kohët e fundit kam vërejtur një retorikë të përtërirë të ndarjes, e cila shkon kundër frymës së bashkëpunimit rajonal dhe, në disa raste, pengesat politike që rrjedhin nga mosmarrëveshjet dypalëshe ende pengojnë bashkëpunimin rajonal dhe aftësinë e vendeve tona për të përmbushur angazhimet e tyre të bashkëpunimit rajonal.
BEP: Ju jeni akuzuar kohët e fundit nga qeveria maqedonase për ndërhyrje në procesin politik në Maqedoni, gjë që krijoi një problem ndërkombëtar. Cilat mendoni se mund të jenë efektet e krizës maqedonase për rajonin?
Bushati: Unë mendoj se kjo është pjesë e valës së propagandës me të cilën ballafaqohemi në Ballkanin Perëndimor, sepse faktet janë të mirenjohura. Ju kurrë nuk do të gjeni një fqinj më miqësor ndaj Maqedonisë sa Shqipëria. Një fqinj që kurrë nuk ka vënë në pikëpyetje integritetin territorial të Maqedonisë, as gjuhën, as identitetin e saj, siç mund të kenë bërë fqinjët e tjerë. Ne i kemi nxitur gjithmonë autoritetet në Maqedoni që të krijojnë një klimë më të mirë ndëretnike në vend, e cila është e nevojshme, jo vetëm për stabilitetin demokratik të Maqedonisë, por edhe për rrugën e saj euroatlantike.
Ne u shqetësuam nga veprimet dhe lëvizjet e fundit të aktorëve politikë në Maqedoni, të cilët janë përpjekur ta transformojnë krizën aktuale të demokracisë në një krizë ndëretnike. Në një kontekst kaq të tensionuar, ne i kemi këshilluar miqtë tanë në Maqedoni të kapërcejnë dallimet politike, të përmirësojnë marrëdhëniet ndëretnike dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjet e Ohrit dhe Prxhinos, sepse kjo është e vetmja rrugë që mund të sigurojë stabilitet dhe prosperitet demokratik në Maqedoni.