Leka Bungo, regjisor dhe skenarist, pas rrëfimit të tij për “Shekulli”-n, rreth viteve që ka kaluar në Patos, si punëtor krahu, argumenton edhe arsyet përse duhet hapur dosjet. Ai tregon se e mbështet këtë ide, jo për hakmarrje, por sepse njerëzit kanë të drejtë që të mësojnë të vërtetën. Gjithashtu, sipas tij, ata që kanë qenë të implikuar me dëshirë në organet e Sigurimit të Shtetit duhet ta rikujtojnë atë periudhë, sepse ata nuk duhet të kenë të drejtë morale, që të kërkojnë të bëhen as deputetë, as drejtorë, edhe as të punojnë në poste të administratës shtetërore. Pavarësisht se shumë dosje mund të jenë ripunuar apo zhdukur, ai ka besim se nuk është pak që të hapen vetëm ato dosje që kanë shpëtuar. Bungo thotë se, le të shpëtojnë ata që kanë qenë “më të mençur”, por mos të shpëtojnë ata që i kanë ende.
Prandaj ai mendon se atë periudhë duhet ta rikujtojnë ata, edhe jo vetëm, por edhe fëmijët e tyre, sepse ky është dënimi më i madh, që ata mund të marrin për këtë vepër që kanë kryer në jetën e tyre. Ndonëse, kjo rëndon psikologjikisht brezin e ri, sepse fëmijët e atyre prindërve, që kanë pasur dosje do ta kenë shumë të vështirë, nëse në ambientet ku ata punojnë merret vesh kjo gjë. Por është një mëkat që do t’ua falin, sikundër i kanë falur edhe ata që janë burgosur për hiçgjë, për shkak të tyre. Teksa na argumenton këto, Bungo, ndalet edhe te historia e veçantë e pianistes, Maria Rafael, e cila e detyruar që të zhvendosej nga Tirana në Fier, ka pritur bashkëshortin e saj, Stavri Rafaelin, për 25 vjet radhazi. Ai e konsideron këtë artiste, një model në punën e saj, duke e krahasuar pritjen që i bëri bashkëshortin, me pritjen që i ka bërë Penelopa, Odiseut.
Zoti Leka, juve gjatë sistemit komunist u dërguan për riedukim në Uzinën e Mekanikës në Patos, vite ato jo fort të lehta për një artist. Por çfarë mendoni sot, pas 25 vjetësh demokraci, për hapjen e dosjeve?
Kam qenë dhe jam partizan që, dosjet duhet të ishin hapur, jo të hapen. Sepse, hapet një valvul edhe shkarkohen gazrat e këqija në të, edhe nuk ka asnjë gjë të keqe. Unë nuk jam për hakmarrje, në mënyrë absolute, por jam ama, që njerëzit duhet të dinë të vërtetën. Jo ata përreth, por ata që kanë qenë të implikuar në organet e Sigurimit të Shtetit, si bashkëpunëtorë të fshehur nuk është keq që të tremben një çik nga dosjet e tyre. Mos të kërkojnë që të bëhen as deputetë dhe as drejtorë, të mos kërkojnë që të hipin në poste të administratës shtetërore, sepse nuk kanë ata, për mua, të drejtë morale që të marrin flamurin dhe të thonë: “Hajdeni pas meje?”.
Si do vete unë pas një njeriu të tillë? Unë mund t’i vete nga mbrapa, se nuk e di kush është, por mund të jetë ai që më ka spiunuar mua. Kjo nuk është e drejtë. Është e dhimbshme. Kjo është e vonuar, përderisa në shumë vende ish- lindore është bërë kjo. Për shembull, Gjermania është një rast klasik, tipik i kësaj pune. Nuk ndodh asgjë nëse hapen dosjet. Deri tani më thuaj një rast që të ketë vajtur një njeri që të jetë hakmerret kundër një hetuesi apo një oficeri sigurimi, ose kundër një drejtori burgu, apo një dëshmitari?! Absolutisht, nuk ka ndodhur asgjë, por ama është një rast që dosjet të hapen. Për mua është një nga vlerat e shoqërisë. Do t’i bëjë mirë shoqërisë, sepse pastron mushkëritë nga “nikotina” e asaj periudhe.
Thuhet se shumë dosje mund të jenë cenuar?
Mundet dhe flitet se, shumë dosje mund të jenë ripunuar, mund të jenë zhdukur, por unë kam përshtypjen se shumica e tyre janë. Kjo nuk është pak. Le të shpëtojnë ata që kanë qenë “më të mençur”, por ama mos të shpëtojnë edhe këta të tjerët që i kanë ende. Të paktën, të mos kenë të drejtën morale të na udhëheqin.
Në diskutimet publike të vërtetat dalin pjesë-pjesë. Kjo bën që të “lëndohet” vetëm njëra palë…, ndërkohë shumë prej tyre, sidomos femrat, që mund ta kenë përjetuar ngjarje nga më tronditëset, vazhdojnë t’i vuajnë ende pasojat e asaj kohe. Mos, ndoshta kjo gjë do të ndikojë edhe brenda për brenda familjes?
Ajo është mëse e vërtetë. Ai sistem mbahej vetëm nga kjo. Kishte sistemin më të përsosur për të mbajtur regjimin diktatorial. Gruaja kishte frikë nga burri, burri kishte frikë nga mamaja, mamaja kishte frikë nga djali. Domethënë, ishte një ndërthurje e shkëlqyeshme e sigurimit italian dhe atij shqiptar, domethënë ishte në mënyrë të përsosur. Ky arkitekt i kësaj pune, komandanti, ka qenë mjeshtër në ato punë. Ai mund të ketë qenë kriminel, por i Zoti ka qenë.
Sigurimsa kishte me dëshirë, por edhe të komanduar…
Kjo ka qenë e pranishme dhe kanë ndodhur shpesh këto. Nga bisedat ku më shumë hamendësohen, sesa janë të vërteta ka pasur shumë njerëz të shtresave të përndjekura, të atyre të përmbysurve, që janë aktivizuar, që kanë qenë pjesë e bashkëpunëtorëve të Sigurimit. Unë kam këtë ide, që një gardian, i cili i binte me shkop një të dënuari dhjetë herë, aq sa i kishte thënë komandanti, ka qenë rrogëtar dhe nuk i them asgjë. Ndërsa, atij që i ka thënë dhjetë herë dhe i ka rënë pesëmbëdhjetë, edhe pasi i ka rënë pesëmbëdhjetë ia bënte ah nga qejfi, kjo nuk është më brenda logjikës. Esenca është kjo, që unë mendoj se shumëkujt i bën mirë hapja e dosjeve. Edhe në fushën e artit kanë rënë viktima disa artistë, prandaj mendoj se edhe këta duhet ta dinë, do të bëjnë mirë të rikujtohen. Hapja e dosjeve për mua është edhe një moment rikujtimi. Prandaj shumica e tyre e “kanë harruar”, që kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit, mbase hapja ua rikujton dhe i bënë më të kujdesshëm, më të sjellshëm dhe më të ndershëm. Jo vetëm për ata, se ata kanë hyrë në rrugën e pensionit, pensionit të jetës, por ata duhet ta kenë në raport me fëmijët e tyre.
Çfarë rëndësie ka hapja e tyre për brezin e ri?
Kjo e rëndon psikologjikisht brezin e ri, sepse nëse unë jam në dosje vajza ime do ta ketë shumë të vështirë, po qe se në ambientet ku jeton ajo do të merrej vesh se i ati i saj ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit. Por ama ky është maksimumi i dënimit që mund të jepet për këtë vepër, se me burg nuk mund që të dënohen. Me pushkatim nuk ka për t’u dënuar njeri, por ama këtë duhet ta bëjnë, që fëmijët e t’u të të shohin me rezervë. Është mëkat që e ke bërë, ata do të ta falin, siç ia ka falur ai që është dënuar me burg, edhe fëmija do t’ia falë. Prandaj mendoj se kjo duhet bërë dhe është një gjë me vlerë.
Ç ’është Penelopa para Marias?
Bungo na tregon se gjatë kohës që ishte regjisor i Teatrit “Bylis” në Fier, një nga këngëtarët më të mëdhenj të asaj kohe, tenori Stavri Rafael në Teatrin e Operës dhe Baletit, dënohet me pushkatim. Por më pas i falet jeta, si një komplotist-armik i betuar, që donte t’i bënte atentat Enver Hoxhës. Atë e fusin në burg, duke e dënuar me 25 vjet. Gruan e tij, pianisten Maria Rafael, e cila, sipas Bungos, nuk ishte një pianiste e shkëlqyer, por ishte një pedagoge e jashtëzakonshme e dërguan në Fier, mbasi arrestuan Stavri Rafaelin. “Ajo ishte pedagoge në Shkollën e Muzikës për piano, e cila vjen edhe si pianiste në Estradën e Teatrit të Fierit. Të gjithë titullarët e pushtetit në Fier, flisnin keq për të, por që të gjithë luftonin që fëmijët e tyre të shkonin nxënës te Maria, sepse ajo ishte një pedagoge e shkëlqyer”. Ajo që thekson Bungo në këtë histori, për të ka vlera dostojevskjane, sepse Maria niste provat në piano në orën nëntë pa pesë dhe shihte vetëm punën e vetë.
“Në orën 9.00 i fillonte puna dhe nuk i fliste askujt. Nuk i fliste askujt se kishte frikë se i bënte dëm. Por Marian, kur vinte ndonjë personalitet në teatër dhe thoshte: ‘Këtë gruan e atij armiku sillni në teatër?’. E hiqnin. Shkonte dirigjenti edhe i thoshte: “Maria!”. Ajo thoshte:“E kuptova”, dhe ikte. Pas katër muajsh këta të teatrit thoshin:“More jemi keq për një pianiste. Si t’ia bëjmë për një pianiste? Po sikur t’a marrim atë Marian? Ajo ishte gruaja e atij armikut, por merreni”. Teatri ishte dhe gropë, orkestra ishte e mbuluar, edhe kur donin që të merrnin Marian e fusnin orkestrën në gropë që mos të dukej në sallë. “24 vjet Maria Rafaeli ka pritur burrin e saj, që ka dalë nga burgu. Natën e parë, që ka dalë nga burgu i kam takuar në bulevard, krahë për krahë, duke shëtitur si burrë edhe grua. Nga kjo histori më kujtohet Penelopa, e cila e priti Odiseun dhjetë vjet. Kjo 24 vjet, e ç’është Penelopa para Marias? Këto kanë ndodhur atëherë dhe unë e kam përjetuar nga afër këtë marrëdhënie, këtë tragjedi”. Bungo e përfundon rrëfimin se në atë periudhë ka pasur shumë drama të tilla, ngjarje të trishtueshme dhe të hidhura për atë periudhë.
Bungo dhe ndëshkimi për dramën
Në numrin e djeshëm regjisori Leka Bungo rrëfeu edhe historinë e jetës së tij. Ai tha se në prill të vitit 1973 ngjiti në skenën e teatrit të Fierit dramën “Historia e një vajze”. Kjo dramë pati sukses qysh në fillim, por ky sukses nuk do vazhdonte gjatë. Në prag të Plenumit të Katërt të Komitetit Qendror, ndaj regjisorit Bungo do të merreshin masa të rënda. Atë e dërguan në Patos, si punëtor riedukimi, e përjashtuan nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Por nuk mjaftoi me kaq, masa më e rëndë ishte se, i hoqën të gjitha të drejtat e një krijuesi, si për botim edhe për vënien e veprave në skenë. Në një nga pikat e shënuara si shkelje, kryesia e Komitetit Ekzekutiv i ka shkruar se: “Ai ishte ambicioz dhe kishte pikësynimin borgjez, që teatrin e Fierit, ta bënte më të mirin në të gjithë Shqipërinë!”.
Nga Valeria Dedaj / Shekulli