Gjykata Administrative “lindi” si një domosdoshmëri për t’i dhënë fund ecejakeve (kryesisht të biznesit) për t’i dhënë zgjidhje çështjeve që kishin të bënin me administratën publike. Vështirësitë e ngritjes dhe kompletimit të këtyre organeve gjykuese nuk ishin të pakta, ndaj dhe miti se me paraqitjen e çështjeve ajo do të zgjidhej sa “hap e mbyll sytë” u zbeh disi. Mungesa e trupave gjykues, e ndihmësve, bënë që çështjet në jo pak raste të tejkalonin afatet që kishin këto gjykata administrative (në të gjitha shkallët e tyre). Por, duket se ngërçi është tejkaluar. Të paktën kështu pranohet në rrugë zyrtare nga drejtuesit e Gjykatës Administrative e Shkallës së Parë të Tiranës, të cilët japin si kohë mesatare të zgjidhjes së çështjeve nga 2-6 muaj. Kjo edhe falë zgjidhjes së problemit të kompletimit të trupave gjykues, ku tashmë një ndihmës asiston dy gjyqtarë. Mungesa e tyre kishte rritur ndjeshëm problemin e zvarritjeve.
Sipas të dhënave të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, në Tiranë gjatë periudhës janar–qershor 2015, numri i çështjeve të reja të regjistruara ishte 4,099, ndërsa të mbartura nga viti 2014 u llogaritën 1,631. Po gjatë së njëjtës periudhë mësohet se janë dhënë në total 3,485 vendime themeli.
Natyra kryesore e çështjeve që trajtohen kanë të bëjnë me shfuqizime, si dhe ndryshim aktesh administrative; dëmshpërblim page apo edhe rikthim në punë. Biznesi i drejtohet kryesisht Gjykatës Administrative për aktet e nxjerra nga organet e administratës publike (si Tatimet, Inspektorati Qendror Teknik, Metrologjia, etj). Ndërsa “kthim leje drejtimi” është një nga çështjet më të shpeshta për të cilat individët i drejtohen Gjykatës Administrative.
Në rastin e biznesit, çështjet më të shpeshta që mbërrijnë në këtë gjykatë kanë të bëjnë me padi që kanë si subjekt vendimet e tatimeve.
I tillë është edhe një rast ku padia e një subjekti tregtar, i cili pretendonte se ishte gjobitur me 200,000 lekë gjobë nga Drejtoria Rajonale e Tatimpaguesve të Mëdhenj për moslëshim kuponi tatimor, me pa të drejtë u rrëzua. Gjykata, në analizën e provave dhe akteve administrative, argumentoi se: “Pala paditëse (që në këtë rast ishte subjekti tregtar) nuk e kishte përmbushur detyrimin për të pajisur blerësin me kupon tatimor për transaksionin e kryer në momentin e furnizimit e për rrjedhojë, aktet administrative, njoftim vlerësimi tatimor dhe vendimi i Drejtorisë së Apelimit Tatimor, ishin nxjerrë në përputhje me ligjin”.
Pjesa më e madhe e çështjeve që kanë të bëjnë me vendimet e marra nga tatimet e që janë ankimuar nga biznesi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë janë ende në proces shqyrtimi. Sipas burimeve zyrtare të këtij organi, kjo është një ndër natyrat e çështjeve që mbërrijnë për zgjidhje përpara togave të zeza, ndërsa ka edhe raste kur vendimet kanë rrëzuar organet administrative.
Ndërkohë nga drejtuesit e gjykatës theksohet se janë ndërmarrë masa administrative, organizative dhe legjislative, me qëllim përmirësimin e punës gjykuese.
Ministria e Drejtësisë së fundmi ka ndërmarrë nismën për të realizuar disa ndryshime ligjore, me qëllim përmirësimin e veprimtarisë së gjykatave administrative, nëpërmjet të cilave synohet rritja e eficiencës së gjykatave nëpërmjet riorganizimit të brendshëm, plotësimit të vendeve vakante në gjykatat administrative, si dhe uljen e ngarkesës së madhe të çështjeve në Gjykatën e Apelit Administrativ.
Këto ndryshime konsistojnë në rritjen e numrit të Gjykatave të Apelit Administrativ, nga një gjykatë që është sot vetëm në qytetin e Tiranës, të shtrihet në të paktën tre qytete të tjera. Kjo nismë ligjore e Ministrisë së Drejtësisë është përcjellë në Këshillin e Ministrave dhe me fillimin e punimeve të Kuvendit do të shqyrtohet si pjesë e reformës në sistem.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë të Tiranës
4099 – numri i çështjeve të reja janar–qershor 2015
1631 – numri i çështjeve të mbartura nga viti 2014
3485 – vendime themeli
Biznesi ankohet për kohën e gjykimit
Vetëm pak ditë më parë, Konfindustria në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe fondacionin “Friedrich Ebert” paraqitën disa gjetje të një studimi të realizuar për efektivitetin e punës së gjykatave administrative në nivel vendi, në vitin e parë të punës 2014. Mbështetur në studimin e kryer u arrit në përfundimin se nga numri i përgjithshëm i çështjeve të regjistruara, vetëm 54% e tyre janë dhënë brenda afatit tremujor nga Gjykatat Administrative e Shkallës së Parë në nivel vendi. Ndërsa nga Gjykata e Apelit, brenda afatit tremujor nga regjistrimi i çështjes janë dhënë vetëm 24% e vendimeve. Nga sondazhi kryer me përfaqësues të bizneseve ka rezultuar se rreth 71%% e bizneseve e kanë vlerësuar pozitivisht dhe hap përpara krijimin e gjykatave administrative, por mbi 80% e tyre kanë shprehur pakënaqësi për shpejtësinë e gjykimit.
Duke iu referuar të dhënave statistikore konstatohet se në gjykatat administrative, ka një numër shumë të lartë çështjesh të regjistruara. Konkretisht, përgjatë vitit 2014, janë regjistruar 55,479 çështje, nga të cilat 36,558 çështje në Shkallë të Parë dhe 18,921 çështje në Gjykatën e Apelit. Gjatë së njëjtës periudhë janë dhënë 24,211 vendime gjyqësore, nga të cilat 19,600 vendime në Shkallë të Parë dhe 4,611 vendime në Gjykatën e Apelit.
Këto të dhëna tregojnë se numri mesatar i çështjeve të regjistruara për një gjyqtar në Shkallë të Parë është 1261 çështje, ndërsa në Gjykatën e Apelit është 2703 çështje.
Këto të dhëna, krahasuar me të dhënat e Gjykatave Civile, tregojnë qartë se ngarkesa e punës së Gjykatave Administrative është më e lartë. Po ashtu, numri i vendimeve të dhëna nga një gjyqtar në Shkallën e Parë Administrative është 676 vendime, ndërsa në Gjykatën e Apelit Administrativ është 659 vendime.
Ndërsa sa u përket çështjeve të trajtuara gjatë vitit 2014 nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë, ato ishin 9,565 nga të cilat rreth 7,934 janë zgjidhur. Bazuar në këto shifra, burimet zyrtare bëjnë të ditur se norma e likuidimit të çështjeve brenda vitit 2014 llogaritet në rreth 83%. Në po këtë periudhë numri i çështjeve të mbërritura nga gjykata të tjera u llogarit në rreth 1,890 dosje. Ndërsa masat kërkesa/urdhra ekzekutimi të regjistruara ishin 1,633 nga të cilat përfunduan 1,571, me një normë likuidimi rreth 104%.
Inspektimet e Ministrisë së Drejtësisë
Në nëntor të vitit 2013 nisën të funksionojnë gjashtë Gjykata Administrative të Shkallës së Parë, një Gjykatë Apeli Administrativ dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë. Objektivi kryesor ishte (dhe vazhdon të jetë) reformimi i sistemit dhe i procedurave gjyqësore, në lidhje me shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative me qëllim rritjen e cilësisë dhe shpejtësisë së gjykimit, përmes ngritjes së një sistemi gjyqësor autonom, të specializuar me gjyqtarë administrativë; garantimin e mbrojtjes efektive të të drejtave dhe interesave të ligjshme të personave nëpërmjet një procesi të rregullt gjyqësor; shqyrtim brenda një kohe sa më të shkurtër të çdo kërkese në lidhje me veprimet dhe/apo aktet administrative të nxjerra nga organet publike.
Pas më se një viti nga funksionimi i tyre, Ministria e Drejtësisë me qëllim monitorimin dhe verifikimin e respektimit në praktikë të parimeve të gjykimit administrativ, si dhe për të verifikuar cilësinë e punës së këtyre gjykatave, në muajin dhjetor 2014, ushtroi një inspektim në Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe Gjykatën Administrative të Apelit të Tiranës.
Nga vlerësimi u konstatua se në të dy gjykatat, qoftë të Shkallës Parë, por dhe atë të Apelit, numri i çështjeve të regjistruara ishte shumë i madh. Zbatimi i Vendimit Unifikues nr.3/2014 të Gjykatës së Lartë, kishte ndikuar ndjeshëm në rritjen e volumit të çështjeve të regjistruara në gjykatat administrative të shkallës së parë dhe Apelit Tiranë, pasi, sipas këtij vendimi, të gjitha çështjet administrative që ndodheshin në gjykatat civile, pavarësisht fazës së gjykimit, ju kaluan përkatësisht gjykatave administrative të shkallës së parë dhe apelit administrativ, çka solli ngarkesë të menjëhershme në sistem.
Nga ana e saj, Ministria e Drejtësisë (për periudhën e 2014-s) i ka justifikuar vonesat me numrin e pamjaftueshëm të gjyqtarëve, numrin e madh të dosjeve të trashëguara, problemet me legjislacion, mungesën e përvojës.
Sipas ministrisë, ngarkesa e lartë e çështjeve të gjyqtarëve administrativë, sidomos në Gjykatën e Apelit, ishte një nga faktorët që ndikonte në vonesën e gjykimit të çështjeve tej afatit ligjor, vonesat në arsyetimin e vendimeve, situatë e cila rrezikon të sjellë uljen e cilësisë qoftë sa i takon vendimmarrjes, apo arsyetimit të vendimit, shkaqe këto të cilat vënë në rrezik zgjidhjen e çështjeve në mënyrë të drejtë apo vetë dhënien e drejtësisë.
Gjykatat Administrative, në pamundësi shqyrtimi të çështjeve të regjistruara në kohën e duhur, paraqisnin në mënyrë të vazhduar kërkesën pranë institucionit të KLD-së, për delegimin e gjyqtarëve pranë këtyre gjykatave, me qëllim përmbushjen e misionit për të cilin ato janë krijuar. Kërkesa më ekstreme ishte ajo e Gjykatës së Apelit Administrativ, e cila së fundmi i ka kërkuar KLD-së, delegimin e gjyqtarëve pranë kësaj gjykate për gjykimin e 3,700 çështjeve gjyqësore. Gjendur përpara këtyre fakteve të konstatuara, si dhe nisur nga kjo kërkesë e Gjykatës së Apelit, në muajin dhjetor 2014 u ngrit një grup i përbashkët pune me Inspektoratin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku objekt i punës ishte kryerja e një studimi rreth problematikës që shfaqte funksionimi i Gjykatës së Apelit Administrativ. Nga ky studim i përbashkët u arrit në përfundimin se duhen marrë masat organizative-administrative dhe legjislative me qëllim rishikimin e numrit të gjyqtarëve, heqjen e çdo pengese ligjore me qëllim plotësimin e shtatë vendeve vakante në gjykatat administrative, emërimin e ndihmesave ligjore. Gjithashtu në muajin mars 2015, në bashkëpunim me projektin “Just” të USAID-it, filloi instalimi i sistemit të regjistrimit audio RDA në këto gjykata. Sistemi është instaluar në gjashtë Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë, Korçë, Vlorë, Tiranë, Shkodër, Durrës dhe Gjykatën e Apelit Administrativ Tiranë, dhe pritet të realizohet instalimi i këtij sistemi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Gjirokastër./Monitor/