Nga Aurora Mura
Prej mëse një viti e bullizuar në rrjete sociale, një grua e re 41 vjeç i dha fund jetës së saj në fshatin Vadardhë të Sukthit, në Durrës. Por kjo ngjarje e rëndë, e cila ka tronditur mbarë opinionin publik, e gjeti sërish Shqipërinë pa një ligj që dënon fyerjet dhe denigrimin në rrjetet sociale.
Megjithatë, përpjekje ka patur.
Ishte plot 9 vite më parë kur për herë të parë në Kuvend depozitohet nga ish-deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu, një nismë ligjore që synonte të disiplinonte median dhe rrjetet sociale.
Në muajin janar 2015 Majlinda Bregu i propozon Komisionit të Ligjeve ndryshime në Kodin Civil, të cilat do të detyronin administruesit e mediave dhe faqeve online që të fshijne komentet e vizitorëve, me arsyetimin se ato mund të jenë fyese ndaj “dinjitetit, personalitetit dhe imazhit të një gruaje”.
Çfarë parashikonte projektligji
Bëhej fjalë për një projektligj i cili synonte të bllokonte komentet fyese dhe denigruese në median online, ndërsa ngarkonte me përgjegjësi administratorët e tyre që të pengonin publikimin e komenteve “që cenonin nderin, personalitetin, apo reputacionin e një personi”.
Po ashtu, dëmet e shkaktuara nga këto publikime do të përbënin dëm pasuror në cënimin e nderit, personalitetit ose reputacionit të personit, dhe do t’i ngarkoheshin administratorit të portalit.
Konkretisht, kur një individ, qoftë i identifikueshëm, apo anonim, komentonte me terma denigruese në hapësirat e internetit, si faqe informative, blogje, faqe rrjetesh sociale, personi që është administrator i tyre detyrohej të paguante financiarisht për dëmtim imazhi.
Projektligji parashikonte gjithashtu që AKEP mund të mbyllte një portal, nëse në të nuk publikohen të dhënat e administratorit.
Pse nuk u kthye në ligj
Argumenti i parë përse ai u kundërshtua nga ligjvënësit, por dhe eskpertë të pavarur ishte teknik. Gjatë shqyrtimit në Komisionin e Ligjeve, deputetët u shprehën se nisma ka nevojë që të rishikohet nga ana e teknikës legjislative, për shkak se mund të mos përfshihet në Kodin Civil.
Baza ligjore
Në propozimin e saj, deputetja Bregu i ishte referuar një vendimi të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, e njohur si çështja 64569/09 Kompania Delfi AS kundër Republikës së Estonisë.
Gjykata e Strasburgut e ka konsideruar përgjegjës portalin estonez për komentet e përdoruesve, të cilat shkojnë përtej kufijve të kriticizmit. Por ky vendim nuk kishte marrë formë të prerë.
Pika më e debatueshme
Ajo që ngjalli më shumë debat dhe kundërshtime ishte neni i cili detyronte Autoritetin e Komunikimeve Elektronike të ndalojë aksesin publik të një portali, në rast se në të nuk publikohen të dhënat e administratorit. Kjo masë sipas ekspertëve të fushës, u konsiderua ekstreme dhe joporpocionale. Kishte madje edhe nga ata që e panë projektligjin si rezik të shtimit të autocensurës në median online.
Nisma e dytë ligjore
Një tjetër nismë e ngjashme ligjore ishte ajo e 3 viteve më parë e ndërmarrë nga Qeveria. Ndonëse jo me tagër të drejtëpërdrejtë komentet fyese në rrjet, por me një kuadër më të gjerë veprimi, nisma u njoh dhe si Paketa Antishpifje dhe synonte kontrollimin e medias online dhe dënimin e shpifjeve publike.
Nisma ligjore nisi fillimisht të diskutohej zyrtarisht në dhjetor të vitit 2018. Edhe pse hasi në mjaft kundërshti e reagime nga media vendase, si dhe organizata ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e medias, ligji u miratua në fund të atij viti nga mazhoranca, teksa jashtë parlamentit ai u prit me një protestë nga gazetarë e aktivistë të shoqërisë civile.
Çfarë kërkonin kundërshtuesit e ligjit
Rrjeti i organizatave shqiptare të të drejtave të njeriut dhe përfaqësues të gazetarëve dolwn edhe me një deklaratë ku i bëhej thirrje Presidentit të Shqipërisë Ilir Meta të mos e dekretojë këtë projektligj.
“Ne bëjmë të ditur se do të nisim një fushatë të gjerë informimi dhe ndërgjegjësimi të publikut mbi lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, pjesë e së cilës do të jetë angazhimi afatgjatë për të rrëzuar këto projektligje apo për t’i bërë ato të pavlefshme përmes betejave ligjore dhe qytetare në mbrojtje të lirisë së shprehjes, në gjykatat shqiptare apo në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut,” u shprehën atëherë organizatat e mediave.
Paketa ligjore është kundërshtuar edhe nga BE, KiE, OSBE, mjaft organizata ndërkombëtare të medias dhe eurodeputetë. Po ashtu në opinionin e tij edhe Komisioni i Venecias vlerësoi se projektligji cenon lirinë e medias.
Pikat “e nxehta” të ligjit
Pika më e kundërshtuar e paketës antishpifje kishte të bëte me kompetencat e zgjeruara që i jepeshin Autoritetit të Mediave Audio-Vizualedhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Këtyre dy institucioneve shtetërore paketa në fjalë u jepte kompetenca për të vendosur gjoba dhe për të mbyllur portale elektronike nëse në publikimet online “shpifin dhe cënojnë dinjitetin e individit.”
Gjobat për portalet
1. 100 000 (njëqind mijë) lekë deri në 1 000 000 (një milion) lekë për thyerjen e 11 rregullave apo detyrimeve
2. 800 000 (tetëqind mijë) nëse nuk zbatohet vendimi i Këshillit të Ankesave
Kur mbyllej një portal
-Për portalet e regjistruara në AKEP:
a) Pezullim/bllokim të aksesit ne internet, për një afat 24 orë, nëse brenda një viti kalendarik ka kryer 3 (tre) kundërvajtje administrative të parashikuara nga ky ligj;
b) Pezullim/bllokim të aksesit në internet për një afat 7 (shtatë)-ditor, nëse brenda një viti kalendarik ka kryer jo më pak se katër kundërvajtje administrative;
c) Pezullim/bllokim të aksesit në internet për një afat njëvjeçar, nëse brenda një viti kalendarik ka kryer jo më pak se 5 (pesë) kundërvajtje administrative të parashikuara nga ky ligj.
Tërheqja nga projektligji
Mirëpo edhe ky projekligj mbeti në kalendat e Kuvendit, pasi u rrëzua me dekret të Presidentit pak muaj më vonë, ndërsa mazhoranca qeverisëse u detyrua të tërhiqej përfundimisht për shkak të zhurmës së madhe publike.
Ligji per mbrojtjen e dinjitetit njerezor nga bullizimi dhe shpifjet ne mediat socia po nuk duhet te kete eksluzivitet i kuvendit ,por te dale ne referendum popullor,per te ndaluar ato lobingjr ose Parti politike qe vrasin njeriun me mosveprimet e tyre per mos miratim ligjesh.Populli delegon fuqine ne kuvend por aty kemi defirmimin e deputeteve kundrejt votuesve