Punimet në segmentin e dytë të Bulevardit të Ri janë drejt fundit dhe shumë shpejt do të hapet për qytetarët. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh i kënaqur me ritmin e punës, duke qenë se hapja e segmentit të dytë do të mundësojë edhe lidhjen e bulevardit me disa rrugë dytësore.
“Jemi duke punuar në gjysmën e dytë të segmentit dhe është çështje kohe sa të prekim Bregun e Lumit, aty ku Bulevardi bashkohet me projektin e Parkut Qendror, për të krijuar ndoshta projektin më të madh inxhinierik dhe infrastrukturor për Tiranën. Kemi mbaruar me shumicën e punimeve, po presim për pak mot të mirë, që të kemi mundësi të vazhdojmë me asfaltin. Siç e shikoni, pjesa më e madhe e Bulevardit është pjesa e parkut, pra pjesa ku kalohet kohë me këmbësorët, ku ulesh në një stol, ku ke korsinë e biçikletave, apo pistën e vrapit”, tha Veliaj.
Ai shtoi se përfundimi i këtij segmenti do ta bëjë Bulevardin e Ri më të aksesueshëm për banorët dhe makinat, pasi lidhë disa rrugë kryesore në kryeqytet. “Për banorët e zonës që kanë shijuar segmentin e parë, e kuptojnë se filozofia e Bulevardit është kryesisht një aks për njerëzit, pastaj edhe për makinat, ama njerëzit janë prioritet. Ndaj, besoj se shkon me filozofinë tonë që të ndërtojmë qytet për njerëzit, kurse makinat janë një mjet që e përdorin njerëzit për të shkuar nga pika A në pikën B, por jo arsyeja pse ekziston qyteti. Më vjen mirë që Bulevardi do të jetë i aksesueshëm me Rr. “Siri Kodra” dhe rrugët e tjera, siç janë Unaza e katërt që do të kalojë në Bulevard”, deklaroi Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës vlerësoi faktin se projekti i Bulevardit të Ri do t’i japë qytetit jo vetëm një zonë të re zhvillimi, por edhe një hapësirë të madhe të gjelbëruar. “Përveç një projekti të madh infrastrukturor, këtu kemi edhe një nga projektet më të mëdha të gjelbërimit. Siç e shikoni, kemi mbjellë mbi 400 pisha dhe po vazhdojmë me konturin e qëndisur me pisha të bulevardit të vjetër historik të Tiranës. Një nga gjërat që më vjen mirë për këtë projekt, janë jo vetëm pishat, por edhe 40 mijë shkurre dekorative”, tha Veliaj.
Gjithashtu, ai shtoi se projekti do të përfundojë me një shesh të ngjashëm me sheshin “Nënë Tereza”. “Kemi marrë edhe një vendim përsa i përket mbylljes ceremoniale të Bulevardit. Duke qenë se Bulevardi fillon me sheshin “Nënë Tereza”, pastaj me godinat dhe sheshin Skënderbej në mes, do të kemi një përfundim të ngjashëm edhe në pjesën e Bregut të Lumit, me një elips, shkallaret, kolonat dhe një hapësirë të madhe për aktivitete publike. Kjo do të jetë mbyllja ceremoniale në ekstremin tjetër të bulevardit, ku takon Lumin e Tiranës”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku u shpreh se projekti e zhvillon zonën, pasi për herë të parë lagja po ndërtohet me infrastrukturën e nevojshme urbane. “Ky është projekti i parë, ku fillimisht kemi bërë infrastrukturën, pastaj banesat, rezidencat, qendrat komerciale apo zyrat. Besoj se kjo lagje do të jetë shembulli më i mirë i çfarë do të thotë të ndërtosh Tiranën moderne, pra me infrastrukturë të planifikuar, shkolla, kopshte, çerdhe. Ne parashikojmë që kjo të jetë një lagje me mbi 100 mijë banorë, por në dallim nga shumë lagje të Tiranës, që prej vrullit të viteve 90’ janë kryesisht lagje konvikt, kjo lagje është konceptuar e gjitha si një lagje që jeton 24 orë. Pra paradite me zyrat dhe me gjithë aktivitetin ekonomik, pasdite me aktivitete kulturore dhe sportive, dhe gjatë natës me aktivitete argëtuese”, shtoi Veliaj.
Me përfundimin e më shumë se gjysmës së punimeve, kreu i Bashkisë së Tiranës theksoi se në pranverë ai do jetë gati të presë një sërë aktivitetesh kulturore dhe artistike. “Jemi shpresëplotë që deri në Ditën e Verës, do kemi kompletuar këtë pjesë të bulevardit, për të transferuar shumë aktivitete të Ditës së Verës, edhe për t’u treguar qytetarëve bulevardin dhe sesi infrastruktura shton jetë në qytet. Ashtu si për këtë bulevard, më e mira është përpara, ashtu besoj edhe për qytetin e Tiranës, në 2018-ën, më të mirën do ta kemi përpara”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.
a.ç