Disa billborde anti-BE u mbuluan në Hungari, për shkak të vizitës në Budapest të atij që pritet të bëhet shefi i ri i Komisionit Europian. Billbordet u fshinë përgjatë rrugës nga aeroporti në qendrën e qytetit, por vetëm në njërin krah.
Posterat anti-BE u mbuluan gjatë vizitës së Manfred Veber-it, lider i PPE, grupi më i madh në Parlamentin Europian. Vizita e Veber në Hungari ka për qëllim zbutjen e qëndrimeve të kryeministrit Viktor Orban në lidhje me fushatën anti-BE dhe anti-Soros.
Veber u tha gazetarëve se pavarësisht bisedimeve, nuk është arritur një zgjidhje. “Kemi biseduar në një atmosferë konstruktive, por problemet ende nuk janë zgjidhur”, u tha ai gazetarëve.
Në posterat e vendosur në rrugët e Budapestit shfaqen filantropi amerikan, Xhorxh Soros, dhe shefi i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, të cëilt qeveria hungareze i akuzon për mbështetjen e emigracionit të paligjshëm. “Ju keni të drejtë të dini se çfarë po planifikon Brukseli”, lexohet në postera.
Takimi i Orban me Veber është i pari pas ultimatumit drejtuar kryeministrit hungarez për të respektuar principet bazë të PPE-ve dhe për të mos mbyllur universitetin e Sorosit në Budapest, shkruan TVT.
Budapesti zyrtar bëri të ditur se tabelat do të zëvendësohen këtë javë me të tjera që promovojnë planet e kryeministrit Orban për të rritur normën e lindjeve. Zgjedhjet e Parlamentit Europian
Para zgjedhjeve të Parlamentit Europian në maj, të cilat mund të ndryshojnë përbërjen politike të bllokut, PPE do të vendosë javën e ardhshme nëse do të mbajë në bord partinë populiste të Orbanit, Fidesz.
PPE është një grupim prej 80 partish në të gjithë Evropën, më i madhi në BE. 13 anëtarë të PPE kërkojnë që Hungaria të largohet nga grupi për shkak të përplasjeve të vazhdueshme me Bashkimin Europian.
Partia e Orbanit më parë ka thënë se nuk dëshiron të largohet nga PPE-ja dhe qëllimi i saj është që “forcat kundër emigracionit të fitojnë terren brenda PPE-së”.