Teksa oferta monetare nuk ka shënuar rritje gjatë 2017-ës, fenomeni i rritjes së parasë jashtë bankave është rikthyer sërish.
Krahas burimeve të paligjshme të financimit në valutë, rritja e parasë jashtë bankave ka krijuar likuiditet të bollshëm për ata që nuk mund t’u drejtohen për një gjë të tillë bankave.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, paraja jashtë bankave u rrit me 8.8% në janar-maj 2016, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në maj 2017, paraja jashtë kanaleve bankare u rrit me mbi 20 miliardë lekë, ose rreth 150 milionë euro në krahasim me majin 2016.
Përmasa të tilla të fenomenit nxjerrin në pah edhe përdorimin e parasë që nuk vjen në rrugë bankare nga biznesi dhe familjet. Rritja e financimit në ekonomi përmes burimeve alternative është konfirmuar nga Banka e Shqipërisë në raportet tremujore të standardeve të kredidhënies.
Në një prej tyre, BSH pohon se “faktorët kryesorë që kanë ndikuar negativisht kërkesën për kredi të bizneseve është përdorimi i burimeve alternative të financimit”. Më këtë pohim, Banka e Shqipërisë është në dijeni të një fenomeni në rritje të kredisë jashtë kanaleve bankare.
Banka ka lënë të kuptojë se financimet jashtë sistemit janë aq të larta sa kanë ndikuar në uljen e kërkesës për kredi në banka.
Nga të dhënat e vrojtimit të aktivitetit kreditues është raportuar vazhdimisht që kushtet kreditimit janë shtrënguar. Kjo do të thotë se, vlera e kolateralit që kërkohet është më e lartë.
Kjo sjellje e bankave me prirje shtrënguese e ka çuar tregun informal të kredisë në zhvillime më të shpejta, sidomos në gjashtëmujorin e fundit. Fajdet po nxiten edhe për shkak të shtrëngimit të kushteve të kreditimit nga bankat.
Në një vrojtim që ka bërë Banka e Shqipërisë vitin e kaluar, për kushtet e financimit të biznesit, rezultoi se procesi i huamarrjes nga bankat vlerësohet midis nivelit “normal” dhe “i vështirë” nga të gjitha ndërmarrjet. Mundësia e huamarrjes së re për gjashtëmujorin e parë vlerësohet përgjithësisht “pak e mundshme”.
Qarkullimi i parave jashtë bankave është nxitur vitet e fundit edhe nga politika lehtësuese që ka ndjekur Banka e Shqipërisë. Ulja e normës bazë të interesit në 1.25% është reflektuar në uljen e interesave të depozitave në lekë. Nëse indeksojmë interesin e depozitave në banka me inflacionin e muajit, interesi real është në negativ me -1%.
Valutat
Banka e Shqipërisë, në deklaratën për ndërhyrjet në tregun e parasë në tremujorin e parë 2017, ka bërë të ditur se ajo ka blerë tri herë valutë në tregun e brendshëm gjatë pjesës së parë të vitit 2017, me synim rritjen e rezervës valutore. Sipas kalendarit të Bankës, ajo ka ndërhyrë në treg në datat 10 prill, 11 qershor dhe 20 korrik.
Nuk bëhet e ditur shuma që është blerë çdo herë, por në planifikimin e fillim vitit synohej të blihet nga 3-8 milionë euro për çdo datë. Shuma maksimale që mund të jetë blerë arrin në këtë mënyrë deri në 24 mln euro.
Banka pritet të bëjë edhe katër ndërhyrje të tjera deri në fund të vitit, përkatësisht në datat 11 gusht, 20 tetor, 17 nëntor dhe 15 dhjetor, ku shuma e synuar për t’u blerë sërish luhatet nga 3 deri në 8 milionë euro.
Në fund të vitit 2016, sipas statistikave të BSH-së, rezervat valutore ishin 2.94 miliardë euro, të mjaftueshme për të mbuluar 7.2 muaj importe./Shqiptarja