Banka e Shqipërisë apelon për rritjen e investimeve publike si faktorë kryesorë në stimulimin e ekonomisë.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi këtë javë për mediat se, bizneset dhe qytetarët kanë rritur konsumin dhe investimet duke ndikuar pozitivisht te ekonomia në pjesën e parë të vitit, por ata kanë ende potenciale për të shtuar konsumin.
Banka e Shqipërisë argumenton se rritja në pjesën e parë të këtij viti është mundësuar nga investimet private të biznesit dhe qytetarëve që po japin shenja gjallërimi, ndërsa investimet publike duhet të shënojnë rritje.
“Në përputhje me projeksionet buxhetore, ne presim rritjen e tempit të shpenzimeve publike dhe ngadalësimin e tempit të konsolidimit fiskal gjatë gjysmës së dytë të vitit”, ka deklaruar Sejko. Megjithatë, Banka e Shqipërisë gjen me vend të ritheksojë se një shpërndarje më e njëtrajtshme e shpenzimeve buxhetore do të ndihmonte në uljen e luhatjeve të aktivitetit ekonomik dhe të tregjeve financiare.