Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015, akumulimi i rrezikut sistemik nga faktorë që lidhen me sektorin bankar dhe atë të ekonomisë reale, paraqitet lehtësisht në rritje, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare, ka konstatuar Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të Stabilitetit Financiar për 6 mujorin e parë të vitit. Rritja e madhësisë së borxhit të jashtëm publik dhe rritja e kreditimit janë faktorët që kanë ndikuar në rritjen e akumulimit të rrezikut.
Indeksi i materializimit të rrezikut sistemik ka rënë lehtësisht krahasuar me një vit më parë, duke reflektuar përmirësimin e cilësisë së kredisë për bizneset dhe individët, si dhe rënien e normës së papunësisë. Gjatë periudhës, stresi financiar vlerësohet në rënie, kryesisht për shkak të përmirësimit të situatës financiare në sektorin bankar, ndërkohë që luhatshmëria në rritje e kursit të këmbimit ka kontribuar në rritjen e këtij rreziku.
Pritshmëritë e sektorit bankar për rritjen ekonomike në vend mbeten të paqëndrueshme dhe dobësia e rritjes ekonomike vlerësohet si burim rreziku. Përmes një vrojtimi të posaçëm, sektori bankar pyetet mbi vlerësimin në lidhje me rreziqet sistemike ndaj të cilave është i ekspozuar. Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2015, sektori vlerëson se “përkeqësimi i ekonomisë së brendshme” vijon të mbetet rreziku më i rëndësishëm sistemik në vend, por perceptimi ndaj tij është zbutur gjatë dy viteve të fundit. Vëmendja e bankave ndaj rrezikut të “goditjeve nga ekonomia e jashtme” ka vazhduar të rritet, duke reflektuar kryesisht rritjen e shqetësimit mbi rëndimin e situatës ekonomike dhe financiare në Greqi.
Në perceptimin e bankave, probabiliteti që një rrezik sistemik të materializohet gjatë të ardhmes afatshkurtër (deri në një vit) apo afatmesme (1-3 vjet), ka rezultuar nën nivelin “mesatar” për të dyja periudhat. Për periudhën afatshkurtër, probabiliteti i materializimit të rrezikut ka shfaqur tendencë rritëse. Për zbutjen e rrezikut sistemik në afat të shkurtër, bankat deklarojnë se mbështeten kryesisht në forcimin e kontrolleve të brendshme dhe reduktimin e ekspozimeve të caktuara, ndërsa në afatmesëm fokusohen në strategji që synojnë rritjen e diversifikimit të veprimtarisë.
Rreziku i kreditit
Cilësia e portofolit të kredisë është përmirësuar dhe bankat janë treguar më aktive në procesin e largimit të kredive të humbura nga bilanci, thekson BSH.
Në të njëjtën kohë, sistemi ka zgjeruar nivelin e mbulimit me provigjion për rrezikun e kreditit. Megjithatë, rreziku i kreditit mbetet i lartë ku niveli i kredive me probleme neto34 në terma relativë ndaj kapitalit, ndonëse ka shënuar rënie, shënon rreth 36%.
Gjatë gjashtëmujorit të parë 2015, stoku i kredisë me problem ka rënë me rreth 8%, në nivelin 125.2 miliardë lekë, duke sjell rënie të raportit të kredive me probleme. Ky zhvillim reflekton përshpejtimin e procesit të pastrimit të bilancit të bankave nga kreditë e humbura, gjatë gjysmës së dytë të periudhës. Vlera e kredisë së fshirë shënon rreth 11 miliardë lekë dhe përfshin 12 banka të sektorit. Si rezultat, në fund të qershorit 2015, raporti I kredive me probleme (RKP) shënoi 20.9%, duke rënë me 2 pikë përqindjeje ndaj nivelit në dhjetor 2014 (grafik 9.1, majtas). Brenda strukturës së kredive me probleme, kreditë e klasifikuara në klasën “të dyshimta” janë zgjeruar gjatë periudhës, me rreth 4 pikë përqindjeje, duke zënë 23% të stokut të kredive me probleme, dhe duke përfaqësuar një burim potencial rreziku për t’u shndërruar në kredi “të humbura”. Kreditë e klasifikuara si “të humbura”, ranë me 7.4% në terma vjetorë dhe vijojnë të përbëjnë rreth 51% të kredive me probleme.
Përmirësim i lehtë
Banka e Shqipërisë në raportin e Stabilitetit Financiar për zhvillimet e gjysmës së parë të vitit 2015, pohon se ka një përmirësim të treguesve të stabilitetit financiar kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2014. Përmirësimet më të mëdha janë shfaqur në kategoritë “individë”, “biznese” dhe “ekonomi e jashtme”, në “ekonominë reale”, si edhe kategoritë “kapitalizimi i bankave dhe përfitueshmëria” dhe “struktura e sektorit bankar”, në aktivitetin bankar.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2014, për përbërësit e ekonomisë reale BSH veçon:
• Për “ekonominë e brendshme”, rreziku vlerësohet sërish si i “moderuar”, pranë niveleve të një viti më parë. Në këtë ecuri kanë kontribuar kryesisht madhësia e borxhit të jashtëm dhe rritja e luhatshmërisë së kursit të këmbimit;
• Për “individët”, niveli i rrezikut vlerësohet “mesatar” dhe në rënie në terma vjetorë. Rritja e huamarrjes në kushtet e përmirësimit të cilësisë së portofolit, ulja e normës së regjistruar të papunësisë dhe rritja e dërgesave të emigrantëve kanë kontribuar në uljen e këtij rreziku;
• Për “bizneset”, rreziku vlerësohet sërish në nivelin “i moderuar” dhe me një rënie në terma vjetorë. Përmirësimi i cilësisë së portofolit të kredisë për këtë sektor ka pasur kontributin pozitiv në uljen e nivelit të rrezikut;
• Për “qeverinë”, niveli i rrezikut vlerësohet “i ulët” dhe në rënie ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Madhësia e borxhit të qeverisë ruan notën e lartë të rrezikut, por niveli i përgjithshëm i rrezikut bie nga vlera e ulët historike e kostos së tij, dhe nga kontrolli mbi deficitin buxhetor;
• Së fundi, edhe rreziku që vjen nga “mjedisi i jashtëm ekonomik” ka rënë në terma vjetorë. Ky rrezik vlerësohet si “i ulët” kundrejt vlerësimit “mesatar” një vit më parë. Rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në vendet partnere në tregti, krahas rënies së normës së papunësisë.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2014, për përbërësit e “sektorit bankar” BSH konstaton:
• Për “kapitalizimin dhe përfitueshmërinë”, niveli i rrezikut vlerësohet në rënie ndaj një viti më parë dhe në nivelin “mesatar”. Ndikimi negative që ka sjellë rënia e diferencës mes vlerës së kapitalit rregullator dhe nivelit minimal të kërkuar është neutralizuar nga ndikimi pozitiv që kanë sjellë rritja e kapitalit aksioner, përmirësimi i cilësisë së portofolit të kredisë, të ardhurave neto nga interesi, dhe i rezultatit financiar neto;
• Për “likuiditetin dhe financimin” niveli i rrezikut vlerësohet “i moderuar” dhe i qëndrueshëm. Brenda këtij dimensioni, ndikimi negativ në ecurinë e rrezikut që ka ardhur prej zgjerimit të hendekut të aktiveve dhe pasiveve afatshkurtra, është neutralizuar nga ngushtimi i financimit nga jorezidentët;
• Së fundi, vlerësimi i rrezikut që lidhet me “strukturën e sektorit bankar”, ndonëse vijon të cilësohet si “mesatar”, ka ardhur në rënie në terma vjetorë. Kontribut në ulje të këtij rreziku ka dhënë rritja e diversifikimit të kredidhënies ndaj sektorit privat, të strukturës së sektorit dhe të fondeve të financimit të tij.
Monitor