Kryeministri britanik David Cameron thotë se vendi i tij duhet të luajë rol më të madh në shkatërrimin e Shtetit Islamik në Siri.
Gjatë një interviste sot në kanalin NBC, zoti Cameron tha se “e dimë se duhet ta mposhtim ISIL-in; se duhet ta shkatërrojmë këtë kalifat, qoftë në Irak apo në Siri. Kjo është thelbësore në mundjen e kësaj murtaje terroriste me të cilën po përballemi.”
Forcat ushtarake britanike informuan se gjatë javës së kaluar zhvilluan sulme ajrore në Siri, si pjesë e forcave të koalicionit. Britania ka ofruar shërbime mbikqyrjeje dhe furnizim me karburant të avionëve në qiellin mbi Sirinë, si dhe ka kryer sulme në Irak si pjesë e koalicionit ndërkombëtar kundër terroristëve të Shtetit Islamik.
Ekstremistët e Shtetit Islamik morën autorësinë për një shpërthim masiv me makinë-bombë të premten, kur u vranë më shumë se 130 njerëz afër Bagdadit. Sipas zyrtarëve, sulmi gjatë të cilit u plagosën gjithashtu të paktën 170 persona të tjerë, ka qenë më i rëndi ndaj civilëve në Irak gjatë dekadës së fundit.
Në lidhje me këtë shpërthim që u krye në tregun e qytetit shiit Khan Beni Saad, një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë thotë se është “një tjetër shembull i dhimbshëm se çfarë mizorish po kryen ISIL-i ndaj popullsisë së Irakut” dhe se terroristët “goditën qëllimisht dhe pa mëshirë civilët irakianë që po feston Ramadanin”.
Misioni i OKB-së në Irak qarkulloi një deklaratë ku e përshkruan sulmin si “një masakër e tmerrshme që është krejtësisht jashtë kufijve të çdo norme të civilizuar”.
Militantët e Shtetit Islamik thanë se sulmi synonte vrasjen e myslimanëve shiitë. Nëpërmjet Twitter-it, grupimi njoftoi se autori kishte rreth tre ton eksploziv në makinë.
Grupimi ekstremist përdor shpesh internetin dhe mediat sociale për të publikuar veprimet e tij dhe për të rekrutuar anëtarë të rinj.
Gjatë intervistës në NBC, Kryeministri Cameron tha se shpreson të bindë të rinjtë britanikë të refuzojnë Shtetin Islamik dhe diktatin e tij. Ai u shpreh se “duhet medoemos të mposhtim propagandën e ekstremizmit edhe kur ajo nuk lidhet me dhunën. Është kjo propagandë që shërben si shtysë për të rinjtë që të shkojnë dhe t’i bashkohen këtij kulti të tmerrshëm vdekjeje në Irak dhe Siri