Ish-ambasadori i Republikës së Kosovës, në Britaninë e Madhe, Muhamet Hamiti, ka sjellë detaje nga një debat që është zhvilluar në Britaninë e Madhe, e ku është kundërshtuar ideja e prekjes së kufijve Kosovë-Serbi.
Ky debat për çështjen e kufijve ishte iniciuar nga Arminka Helic, e cila më herët ka qenë këshilltare e William Hague, ish -Sekretar i Jashtëm i Britanisë së Madhe. Në shkrimin që ka publikuar Hamiti, thuhet se debati në Dhomën e Lordëve ka zgjatur për më shumë se dy orë.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë shkrimin.
“Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore (emërtimi zyrtar i vendit që më shpesh njihet shkurt si Britania e Madhe) ka riafimuar të enjten qëndrimin e vet kundër ndryshimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këtë e ka bërë Ministri i Shtetit në Foreign Office, Lordi Ahmad, në fund të një debati në Dhomën e Lordëve. “Qeveria e Naltmadhnisë së Saj nuk e mbështet rivizatimin e kufijve [angl. redraëing of borders] në vija etnike, dhe këtë ua kemi bërë të qartë të dyja palëve [Kosovës dhe Serbisë]”, ka thënë ai në Londër.
Dhoma e Lordëve – dhoma e lartë e Parlamentit Britanik – ka diskutuar më shumë se dy orë dje (e enjte, 10 janar 2019) për gjendjen në Ballkanin Perëndimor. Shqetësimet më të mëdha të anëtarëve të kësaj dhome nga të gjitha partitë politike, por edhe prej anëtarëve mbipartiakë, ishin rreth gjendjes në Bosnjë e Kosovë, pretendimeve serbe karshi Bosnjës, përpjekjeve serbe për ndryshim të kufijve të Kosovës, si dhe rolit destruktiv të Rusisë e Turqisë në Ballkanin Perëndimor.
Debatin e të enjtes e ka inicuar Baronesha Helic (Arminka Heliq, e lindur në Bosnjë, që jeton në Britani tash e 25 vjet), e cila, para se të emërohej anëtare e Dhomës së Lordëve nga Partia Konservatore, ka qenë këshilltare e Ëilliam Hague-ut (Uilliëm Hejg) Sekretar i Jashtëm Britanik, ish-lider i Partisë Konservatore.
Helic dhe anëtarë të tjerë të kësaj Dhome shprehën brengat e tyre dhe kërkuan përkushtim më të madh të Qeverisë Britanike ndaj Ballkanit Perëndimor mbas vizitash që kishin bërë së voni në vendet e këtij rajoni, duke përfshirë në Kosovë.
Nismëtarja e debatit, Baronesha Helic përkujtoi në fjalën hyrëse se Ballkani Perëndimor ka kaluar nëpër transformim të jashtëzakonshëm në 20 vitet e fundit. “Kosova ka fituar pavarësinë dhe i ka mbijetuar fushatës aktive për delegjitimim të saj”, ka thënë ajo. BE-ja është e ndarë së brendshmi në politikat ndaj Ballkanit Perëndimor, ndërsa SHBA-të duken se “janë dezangazhuar në pjesë të madhe”. Kërkohet plan i qartë e vizion, dhe jo vetëm lëvizje taktike në Ballkan, nënvizoi ajo, duke i kërkuar Qeverisë Britanike të mbetet e përkushtuar ndaj rajonit edhe pas daljes së vendit nga BE-ja (Brexit).
Duke folur për Kosovën dhe politikën serbe, Baronesha Helic tha: “Serbia vazhdon t’ia zë frymën të ardhmes së Kosovës duke u kërkuar vendeve që ta çnjohin shtetësinë e saj dhe duke bllokuar hyrjen e saj në institucione ndërkombëtare. Në këtë kuptim, e shoh si shumë shkurtpamëse që planet e sponsorizuara nga BE-ja për ndryshim të kufrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po merren parasysh seriozisht. Këto bien ndesh me politikën 20-vjeçare evropiane dhe amerikane se harta e Ballkanit Perëndimor është e përmbaruar dhe shpërfillin gjasën e madhe se një aranzhman i tillë do të përdorej si pretekst për të justifikuar rivizatimin e kufijve në rajon dhe përtej tij. Shpresoj që Ministri (i Foreign Office-it, i pranishëm në debat) do të sqarojë qëndrimin e Britanisë së Madhe rreth këtij propozimi dhe të hedhë dritë në atë se a beson Qeveria se është e mundshme të ndryshohet kufiri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa pasur ndikim të menjëhershëm dhe afatgjatë gjetiu, për shembull në Bosnjë, në Gjeorgji, Ukrainë dhe në vendet baltike?”.
Bosnja bashkë me situatën rreth kufirit në Kosovë mbeten vendet me rrezikun më të madh për shpërthim në rajon, ka thënë Baronesha Helic, duke kërkuar që “Brukseli, Londra dhe Uashingtoni të veprojnë si një me një strategji të përpunuar mirë për gjithë rajonin”. Simbas saj, kjo duhet të përfshijë: “sprapsjen e ndikimit rus dhe se rivizatimi i hartës së rajonit ka marrë fund”.
Mbasa diskutimesh të gjata të shumë anëtarëve në Dhomën e Lordëve, që dolën në një zë për çështjet e ngritura, foli Ministri i Shtetit për Komonuelthin dhe Kombet e Bashkuara në Foreign Office, Lordi Ahmad i Uimbëldonit, në këtyë detyrë nga viti 2017.
Lordi Ahmad foli për ngritjen e tensioneve ndërmjet qeverive të Serbisë dhe Kosovës në muajt e fundit, për përpjekjet e Serbisë kundër Kosovës, për ushtrinë, taksën, diskutimet për kufij, e të tjera: “Siç e kam mësuar vetë nga udhëtimet e mia, Serbia u ka kërkuar shumë vendeve që ta tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës, ka bërë fushatë kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol, dhe ka shprehur brengën për vendimin e Kosovës për të ndryshuar e plotësuar mandatin e forcave të saj të sigurisë [FSK-së]. Kosova, në ndërkohë, ka vënë tarifë 100% për mallërat serbe. Ne besojmë – e siguroj Lordin e nderuar Collins për këtë – se Kosova ka të drejtë sovrane, si shtet i pavarur, të ndërtojë forcat e veta të armatosura. E siguroj poashtu miken time të nderuar Baroneshën Anelay se do të vazhdojmë ta inkurajojmë Kosovën që ta bëjë këtë në konsultim të ngushtë me NATO-n dhe me bashkësinë ndërkombëtare”.
Ministri britanik i Shtetit ka thënë se Qeveria e tij nuk është e një mendimi me brengat e Serbisë se ndryshimi gradual i madhësisë dhe rolit të FSK-së rrezikon stabilitetin e rajonit. “Për mendimin tonë, mosnormalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është rrezik dukshëm më i madh”. Lordi Ahmad ka thënë se vendi i tij vazhdon të inkurajojë të dyja palët që të shtendosin situatën dhe të kthehen në biseda për dialogun strategjik që e lehtëson BE-ja, “të cilin vazhdojmë ta mbështesim”.
Në përgjigje ndaj shqetësimeve të diskutuesve dhe kërkesave të tyre që Qeveria Britanike t’ia bëjë të qartë qëndrimin e vet për dialogun Kosovë-Serbi Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtmë Federica Mogherini, Ministri i Shtetit i Britanisë ka thënë: “Ne mbështesim fuqishëm këtë dialog dhe diskutojmë rregullisht për progresin me Përfaqësuesen e Lartë Mogherini dhe me partnerë të tjerë, duke përfshirë me shtetet që nuk e njohin Kosovës brenda BE-së dhe NATO-s…Më lejoni t’ju siguroj se do të vazhdojmë të ngrisim këto çështje jo vetëm brenda atyre organizatave por poashtu edhe në baza bilaterale të rregullta”.
Duke folur në emër të Qeverisë Britanike, për të sqaruar qëndrimin e saj, Ministri Ahmad ka thënë në Dhomën e Lordëve të enjten, më 11 janar 2019: “Qëllimi është i thjeshtë: të sigurojmë që ne vazhdojmë të mbështesim një zgjidhje që i kontribuon sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon. Mund t’i siguroj kolegët e nderuar, baroneshat Helic dhe Anelay, por edhe Lordin Sandëich, ndër të tjerë, se Qeveria e Naltmadhnisë së Saj nuk e mbështet rivizatimin e kufijve në vija etnike, dhe se këtë ua kemi bërë të qartë të dyja palëve. U shtrua pyetja këtu nëse kjo i është bërë e qartë Përfaqësues së Lartë të BE-së. Mund t’i siguroj kolegët e mi të nderuar se kjo përnjëmend u është bërë e qartë partnerëve tanë, duke përfshirë Përfaqësueses së Lartë”.
Në fjalën përfundimtare të debatit dyorësh, nismëtarja e tij Baronesha Helic vuri re se “Kosova ishte vend me fat” në vitet 1998/99 mbas ndryshimit të qëndrimit britanik për konfliktet në ish-Jugosllavi me ardhjen në pushtet të laburistëve dhe “mësimeve që u nxorën nga mosintervenimi në Bosnjë”.
Ajo falënderoi Ministrin me këto fjalë: “Pikë së pari, e mirëpres atë që duket të jetë mesazh pa ekuivoke që Qeveria e Nalmadhnisë së Saj u ka dhënë udhëheqësve të Serbisë dhe Kosovës se ne nuk mund të mbështesim ndryshimin e kufijve. Shpresoj se ky mesazh do t’i kumtohet Përfaqësueses së Lartë në Bruksel, Federica Mogherinit, që duket se është angazhuar për dhe mbështet këtë politikë [të ndryshimit të kufijve], për arsye që unë nuk i di”./a.meta