Reforma në drejtësi, tragjedia e “21 Janarit”, marrëdhëniet Mazhorancë-Presidencë, thirrjet e ish-kryeministrit Sali Berisha për dhunë e revolta, zgjedhjet për drejtuesin e ri të ISKK, si dhe pritshmëritë që pritet të sjellin organet e reja të drejtësisë sikundër janë SPAK-u, janë disa nga çështjet për të cilat ka folur deputeti i Partisë Socialiste, Spartak Braho.
Ky i fundit gjatë një interviste për gazetën “SOT”, teksa komentoi zgjedhjen e Çelo Hoxhës si pasues i Agron Tufës në krye të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, shprehu bindjen se drejtuesi i ri i këtij institucioni u zgjodh me falsifikim votash nga sharlatani Uran Butka. Duke komentuar thirrjet e Sali Berishës, zoti Braho theksoi se ish-kryeministri është një kriminel dhe se atë nuk e dëgjon më askush.
-Zoti Braho, pak ditë më parë u shënuan 9 vite nga tragjedia e “21 Janarit”. Por edhe pse kanë kaluar kaq vite, familjarët janë ende në kërkim të drejtësisë. Në gjykimin tuaj çfarë ndodhi atë ditë dhe si e cilësoni ju 21 Janarin?
Nëntë vite nga masakra e “21 Janarit” të vitit 2011 nuk janë pak. Tashmë kjo masakër që u shoqërua me katër viktima të pafajshme dhe dhjetra të dëmtuar në radhët e protestuesve të opozitës socialiste, por edhe policë, ka hyrë në fjalorin politik si masakra e Berishës. Kjo ngjarje me pasoja të dhimbshme, pati jehonë të gjerë në Shqipëri, por jo vetëm. Ajo në radhë të parë shkaktoi katër viktima dhe për pasojë dhimbja preku edhe familjarët e tyre. Në atë kohë, si qeveria e drejtuar nga kryeministri Sali Berisha dhe opozita e drejtuar nga Edi Rama, shprehën qëndrimet dhe opinionet e tyre të kundërta. Për Sali Berishën opinioni se “katër viktimat e meritonin plumbin”. Ndërsa Edi Rama u shpreh se opozita me të ardhur në pushtet do të kërkojë drejtësi për të dënuar fajtorët. Në fakt përveçse një procesi gjyqësor farsë, autorët kryesorë dhe të vërtetë të kësaj masakre nuk u dënuan. Procesi gjyqësor për këtë ngjarje të kobshme u manipulua nën presionin politik mbi gjyqtarët nga pushteti i asaj kohe. Kurse fjala dhe premtimi i mazhorancës, se drejtësia do të rivendoset dhe se fajtorët e vërtetë të kësaj masakre do të marrin ndëshkimin e merituar, nuk u realizua. Madje nuk është realizuar edhe sot e kësaj dite. Pse? Sepse për mendimin tim me atë drejtësi, gjykatë dhe gjyqtarë të kapur në “çark” nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Një akt i turpshëm dhe i pashembullt, kur krimi nuk ndëshkohet dhe pandëshkueshmëria vazhdon të jetë në ballë të veprimtarisë së gjykatave.
-Ju jeni një jurist i njohur në Shqipëri. Sa e lehtë është të rihapet kjo dosja e “21 Janarit” nga SPAK dhe a duhet që përgjegjësit e kësaj masakre të dalin para drejtësisë?
Ju pyesni se ky proces a mund të vihet në lëvizje për t’u rihetuar nga SPAK-u? Pa dyshim! Kjo pasi është plotësisht e justifikuar, e mundshme ligjërisht dhe proceduralisht të rihapet hetimi nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion. Çdo të ndodhë? Shpresoj të rihapet, jam optimist, pasi kjo do të jetë edhe sinjali më i rëndësishëm për organet e reja të drejtësisë, do të fillojë kthesën e duhur drejt dënimit të pandëshkueshmërisë si fenomen, por edhe për të rivendosur dhe gjetur drejtësinë e shkelur. Gjykoj se pavarësisht premtimeve anemike të drejtuesve të mazhorancës për të mbajtur me “gajret” familjarët e katër viktimave të “21 Janarit”, politika nuk duhet të vazhdojë më tej. Le të jenë organet e reja të drejtësisë, ato që do të thonë fjalën e vetme dhe të fundit për këtë megakrim të kryer nga Sali Berisha.
-Meqenëse jemi tek “21 Janari”, ish-kryeministri Sali Berisha, pak ditë më parë teksa ishte në studio televizive pohoi se nuk ka asnjë pendesë për këtë ngjarje dhe se 4 viktimat e meritonin plumbin. Por megjithatë zoti Berisha ka shtuar dozën e sulmeve dhe akuzave ndaj mazhorancës qeverisë, ndërsa ka bërë thirrje për revolta dhe dhunë. Si i cilësoni këto thirrje?
Thirrjet e Sali Berishës për revolta, dhunë, e përmbysje të shtetit, janë një fjalor i zakonshëm i tij, që nga viti 1991. Berisha është i pandreqshëm dhe kështu do ta mbyllë jetën e tij biologjike të tij. Nuk ka iluzion për këtë kriminel politik dhe ndonjë që e ndjek pas. Por tani thirrjet e Berishës nuk është se kanë ndonjë peshë dhe ndikim imediat. Bile janë kthyer në kuisje qesharake të dala boje, janë një lloj karikimi që i bëhet synimit për destabilizim të vendit. Por gjithsesi këto thirrje të Berishës kanë ngarkesën e shkeljes së ligjit dhe duhet të ndiqen me kujdes nga organet ligjzbatuese, organet e pavarura të drejtësisë.
-Ditët e fundit është vënë re se shumë dosje të bujshme po mbyllen nga gjykatat, sikundër është ajo e CEZ apo edhe lobimit rus të PD. Si ju duken këto veprime?
Përsa i përket dosjes penale për çështjen “CEZ”, edhe ajo është ecejake e kalbëzimit të atij prokurori që e ka hetuar. Ai nuk e ka hetuar me sa di unë, duke ezauruar të gjitha provat e afishuara publikisht. Ky prokuror apo gjyqtar ka mbuluar krimin në këtë rast. Dhe kush mbulon apo fsheh një krim, organ apo punonjës i tij, kryen një krim tjetër në vetvete. Dëgjova se ky proces ditët e fundit është vënë përsëri në lëvizje dhe ua ka ngrirë në buzë ngërdheshjen atyre personave që dyshohet se janë përfshirë në aferat e “CEZ”. Le të presim si do të shkojë rifillimi i hetimit.
-Një çështje tjetër që ka shkaktuar debate është nisma e qeverisë për të rehabilituar gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar përmes ligjit “KÇK” që pritet të diskutohet së shpejti në Komisionin e Ligjeve. A ka nevojë vendi dhe a mendoni se ky ligj do sjellë rezultate të kënaqshme?
Ideja që të kthehet në ligj nisma e kryeministrit Edi Rama për luftën kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar nëpërmjet ligjit me një emër folklorik “KÇK, për mua personalisht deri më tani është vetëm një ide. Është ide e mbështetur vetëm në argumente që referohen në raste të shumta të veprimtarisë korruptive të disa prokurorëve e gjyqtarëve. Kështu që, deri më tani unë nuk kam parë që kjo ide të hidhet e të formohet në dispozita ligjore penale. Pra ende nuk kemi në tavolina si ligjvënës një projekt të tillë, sikundër është ligji “KÇK”. Gjithsesi ky projekt duhet të jetë shumë i qartë dhe i mirë argumentuar profesionalisht, në mënyrë që të shmangen përplasjet me ligjet e tjera penale, të cilat nuk janë pak.
-Ndërkohë, prej disa kohësh mazhoranca qeverisëse dhe Presidenca kanë nisur një luftë me njëra-tjetrën. A besoni se kjo shumicë, ku ju bëni pjesë do t’i shkojë deri në fund nismës së saj për ta shkarkuar nga detyra presidentin Ilir Meta?
Përplasjet mazhorancë-Presidencë, ose më saktë Rama-Meta për mendimin tim janë shumë palëshe, në shumë arsye dhe pa arsye, të justifikuara e të pajustifikuara, parimore, por edhe përtej këtyre. Pa dyshim që ky konfrontim institucionesh nuk sjell asnjë të mirë, pasi ka humbur mentaliteti, qetësia dhe synimi për të bashkëpunuar. Këta bërryla apo shkopinj në rrota kanë ngjallur shqetësim dhe të organizatat apo partnerët ndërkombëtarë. Si do shkojë kjo përplasje? Meta është në hetim për shkelje të Kushtetutës nga mazhoranca. Unë nuk mund të supozoj nëse ka kryer apo jo shkelje të renda të Kushtetutës, pasi si anëtar i Komisionit të Hetimit jam në konflikt interesi. Politikisht mazhoranca është pozicionuar te shkarkimi dhe mund të ndodhë, pasi kjo nuk sjell ndonjë pasojë direkte te Presidenti. Vendimi i Parlamentit, gjykohet si i drejtë apo i padrejtë nga Gjykata Kushtetuese. Nuk mund ta parashikoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por politikisht një vendim shkarkimi e bën fakt Gjykata Kushtetuese, por nuk besoj se do të jetë i arritshëm. Për shumë arsye edhe të llogarive dhe konjukturave politike.
-Reforma në drejtësi po rezulton histori suksesi, ku qershia mbi tortë është ngritja e SPAK dhe BKH. Si e cilësoni këtë reformë dhe a ka ardhur koha që të nisë një luftë e re ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë zyrtarësh?
Unë vazhdimisht kam qenë këmbëngulës dhe optimist për reformën në drejtësi. Në fillimet e reformës kam qenë edhe anëtar i Komisionit Parlamentar të hartimit të projekt akteve. Për arsye pa arsye u zëvendësova si jurist nga një deputet mjek. Por kjo s’ka rëndësi, e përmenda vetëm për kronikë historie. Tashmë organet kryesore të drejtësisë jo vetëm janë vizatuar, por edhe po ngrihen dhe kanë filluar të funksionojnë. Ende jo me kapacitete të plota, por shpresëdhënëse. Mos kujto i dashur gazetar që edhe të ngrihen dhe funksionojnë këto organe do të pushojnë sulmet dhe anatemimet nga ata që deri më tani e kanë penguar. Do vazhdojnë të paragjykohen SPAK dhe BKH, Gjykata Kushtetuese, gjykatat dhe prokurorët e rinj që do të rreshtohen në luftë pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe atyre zyrtarëve që do të gjenden në llumin e veprimtarisë kriminale. Këtë po e shohim edhe tani ndaj disa drejtuesve të SPAK-ut, etj. Por pa problem, siç thotë populli: “Qentë le të lehin, karvani le të ecë përpara”.
-Keni një koment për kreun e ri të Institutit të Krimeve të Komunizmit, i cili është po aq radikal sa paraardhësi i tij z. Agron Tufa, ku në disa raste ka sulmuar LANÇ?
Instituti për Studimin e Krimeve të Komunizmit- E kam thënë që para një viti, ndonëse nuk është institucion shtetëror në varësi nga Kuvendi i Shqipërisë, ai është kthyer në strukturë dhe parti politike që përfaqëson Ballin Kombëtar, jo vetëm për shkak të përbërjes së tij, por edhe veprimtarisë që pseudostudiuesit e tij kanë kryer këto 10 vjet. Kryesisht jo vetëm antiligjore, por edhe denigruese, përçarëse, duke falsifikuar historinë e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Liderët e të majtës që e kanë në themel mbrojtjen e luftës partizane e çlirimtare, janë të çakorduar, janë të mpirë madje apatikë dhe të pakulturuar në trajtimin me objektivitetit të historisë së Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.
Do thoni ju pse? Ka shumë arsye. Një prej tyre është frika nga përballja me falsifikatorët historikë që arsyetohen nga PD. I gjithë bordi drejtues i këtij instituti është pozicionuar në kor, se lufta çlirimtare në Shqipëri në vitet 1940-1944 ishte luftë civile. Një skandal i vërtetë dhe devijim i qëllimshëm i historisë më të lavdishme të popullit shqiptar. Dhe ky bord i këtij instituti drejtuar nga një sharlatan si Uran Butka, zgjodhi nëpërmjet një procesi të falsifikuar votimi, historianin Çelo Hoxha, i cili ka botuar edhe listën e famshme me 236 dëshmorët e luftës çlirimtare, si kriminale që duhen përbuzur. Ky bord çorbë e qelbur, duhet flakur tej një orë e sa më parë, si të padëshirueshëm, por edhe të dëmshme. Unë jam shumë i qartë për këtë Institut dhe ata që punojnë, qëndrojnë e kanë ikur prej tij, ndaj s’dua të ndalem gjatë. Çështja është organet që merren me këtë institut famëkeq, si dhe shoqatat që mohojnë vlerat e vërteta të luftës çlirimtare, si dhe pjesëtarët e familjarëve të dëshmorëve e partizanëve, shoqata e veteranëve dhe ato të dëshmorëve si dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë duhet të reagojnë me më shumë shqetësim për degradimin e Institutit të Studimeve të Ballit Kombëtar.