Presidenti amerikan, Donald Trump, ka hedhur hapat e para drejt krijimit të luftës tregtare me vendet e të gjithë botës, duke vendosur tarifa mbi çelikun dhe aluminin e importuar. Plani i tij ka marrë reagime nga e gjithë bota pasi tarifat janë 25 për qind për çelikun dhe 10 për qind për aluminin. Plani i Trump-it me sa duket ka synimin që të nxisë prodhimin në vend , në SHBA dhe të ulë importet nga jashtë. Por ky lloj proteksionizmi ka nxitur ekspertët të bëjnë paralajmërime serioze jo vetëm për nisjen e një lufte tregtare, por edhe për rrezikun e madh të kthimit të një periudhe depresioni të madh në ekonomi. Zv.Presidenti i Komisionit Europian, Jyrki Katainen, ka paralajmëruar se tarifat e reja të Trump-it mund të provokojnë një luftë të re globale tregtare.
Katainen, ish-Kryeministër i Finlandës, theksoi se proteksionizmi ndihmoi në krijimin e Depresionit të madh në vitet 1930. Por Presidenti Donald Trump duket se e mirëpriti mundësinë për një luftë tregtare, duke shkruar në llogarinë e tij në “Twitter” të premten: “Kur një vend (USA) po humbet miliarda dollarë në tregti me virtualisht çdo vend që po bën biznes, luftërat e tregtisë janë të mira dhe të lehta për t’u fituar. Shembull, kur ne jemi me humbje 100 miliardë dollarë me një vend të caktuar që po bëjmë tregti dhe ata sillen mirë, po mos bëjmë më tregti me atë vend, ne fitojmë shumë. Është e thjeshtë!”. Brenda BE-së, Gjermania do të merrte goditjen më të madhe nga tarifat e reja të kërkuara nga Trump. Importet e SHBA-së për çelikun janë: 16 për qind nga Kanadaja, 13 për qind nga Brazili, 10 për qind nga Koreja e Jugut, 9 për qind nga Rusia,7 për qind nga Turqia, 5 për qind nga Japonia, 4 për qind nga Tajvani, 3 për qind nga Gjermania dhe 2 për qind nga India.
KUNDËRPËRGJIGJJA E BE-SË
Pas deklaratës së Trumpit, Europa ka kërcënuar me kundërpërgjigje duke dhënë shenjat e para se ka nisur tashmë një luftë tregtare. Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, ka deklaruar se edhe BE do ta godasë Amerikën me tarifa të reja për shitjet në Europë: “Ne do të vendosim tarifa ndaj Harley-Davidson, Whiskey-n Bourbon dhe mbi xhinset Levi’s. Ne jemi këtu dhe ata duhet të na njohin. Ne do të preferonim një marrëdhënie të arsyeshme me Shtetet e Bashkuara, por thjesht ne nuk mund të zhysim kokën tonë në rërë”, është shprehur Juncker, duke folur në një televizion gjerman.
REAGIMI NË KANADA: Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, tha të premten se tarifat e SHBA-ve mbi importet e çelikut dhe aluminit do të ishin “absolutisht të papranueshme” dhe shtoi se qeveria e tij do të vazhdojë të diskutojë me zyrtarët amerikanë mbi këtë çështje. Zyrtarët amerikanë nuk kanë thënë nëse propozimet për tarifat e reja do të prekin edhe Kanadanë apo Meksikën. Priten ende detaje të reja nga plani i Presidentit të Shteteve të Bashkuara për të rritur me 25 për qind tarifat mbi çelikun dhe 10 për qind mbi aluminin, nëse do të përfshihen të gjitha vendet e botës apo do të ketë ndryshime në marrëdhënie tregtare nga vendi në vend.