Nuk humbet asnjë rast pa i bërë elozhe Sali Berishës. Madje edhe për gjëra për të cilat është më mirë të heshtet. Ilir Meta vijon të jetë mirënjohës në distancë ndaj ish-aleatit të dikurshëm e kjo lidhet me disa momente të nxehta nëpër të cilat ka kaluar alenca e tyre e shpallur ose e pashpallur, që nga vitet ’90.
Gjatë një vizite në Tropojë orët e fundit, Ilir Meta ka deklaruar se “nuk duhet të harrojmë se pa vendimmarrjen dhe vendosmërinë e Sali Berishës edhe sot, Rruga e Kombit nga Tirana në Prishtinë mund të mos ishte bërë dhe shqiptarët do të vazhdonin të udhëtonin drejt njëri-tjetrit përmes Maqedonisë”.
E saktë zoti president, sikur ish-kryeministri të mos e kishte lënë për një dekadë e gjysëm të pambaruar rrugën e Kombit dhe të mos krijonte një vrimë gjigande në xhepat e shpuar të shqiptarëve pikërisht për atë projekt, që do të kërkojë nja 30 vjet të mbushet.
1.2 miliard euro për 60 kilometra janë pak si shumë për të marrë duartrokitje të pakushtëzuara presidenciale!
Ilir Meta ka të drejtën e vet të mos ndryshojë. Disa thonë se kjo quhet burrëri dhe koherencë.
Megjithatë ka disa pirueta logjike në të cilat të fut “burrëria”, të cilat vështirë se ka njeri që i ha sot, 28 vjet pas ndryshimit të sistemit.
A.Rada