Rikthimi i reshjeve të borës mëngjesin e kësaj të mërkure, ka shkaktuar probleme me qarkullimin në disa akse rrugore në vend, duke përfshirë edhe Dibrën.
Emergjencat Civile kanë bërë me dije se aktualisht aksi Peshkopi – Tiranë (Rruga e Arbrit) është e kalueshme, mirëpo ka probleme në një segment që fillon nga pishat e Bulqizës deri tek tuneli T7 në Qafën e Buallit. Kjo për shkak të erës që grumbullon dëborën në trupin e rrugës.
Ndërkohë, aksi Peshkopi – Kukës si dhe aksi Ura e Çerenecit-Librazhd, raportohet se janë të kalueshëm me zinxhirë.
Trashësia e borës varion nga 5 cm në qytet deri në 15 cm në zonat mbi 800 m mbi nivelin e detit. Nuk janë raportuar probleme nga zonat e thella.
Sjellim ndërmend se më herët mëngjesin e sotëm, Policia e Shtetit publikoi një apel publik për të gjithë drejtuesit e automjeteve që të tregohen më të kujdesshëm se zakonisht. Në njoftimin e Policisë theksohet se ka nisur puna për kriposjen e rrugëve.











