Bon Jovi do të vijë në Tiranë më 14 mars. Eventi i lajmëruar parashikon performancën e grupit amerikan në mbrëmjen e 14 marsit, ora 20.00. Vendi dhe data e zgjedhur janë shumë domethënëse sepse koncerti do të zhvillohet në stadiumin “Qemal Stafa”, një ditë para rikonstruktimit të tij. Kujtimet e të gjithë atyre që kanë qenë në Qemal Stafa do të finalizohen me një koncert rroku.
Në ngjarjen e krijuar në internet shkruhet “Siç e do tradita artistët më të mirë vijnë në Shqipëri për të festuar Ditën e Verës. Këtë vit, Bashkia Tiranë në bashkëpunim me G.A Tirana Events, sjellin bandën e famshme Bon Jovi në Stadiumin “Qemal Stafa”. Le të jetë kjo natë pra një festë muzike, si dhe një kujtim i bukur”.
Ardhjen e grupit të njohur të rrokut në Tiranë mundësohet nga Bashkia Tiranë, Banka Kombëtare Tregtare, Digitalb, Vodafone, Classic Volkswagen, Peroni. Ndërkohë që, sa i përket biletave, informacioni do të bëhet ditur të hënën.