Opozita ka bojkotuar mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës në kuadër të kauzës për zgjedhje të lira dhe largimin e Ramës pas protestës që ka nisur prej 48 ditë para Kryeministrisë.
Këshilli Bashkiak diskutoi sot një sërë vendimesh të rëndësishme për kujdesin social si dhe për përmirësimin e infrastrukturës.
Në fjalën e mbajtur para anëtarëve të Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se tashmë qytetarët e kanë të qartë se cilët janë ata që janë të fokusuar tek puna dhe cilët kanë zgjedhur që të merren me fjalë. “Besoj se si kurrë më parë, gjatë kësaj kohe është bërë e qartë se në këtë qytet ka dy palë, njëra që punon dhe tjetra që ka zgjedhur të merret me fjalë. Por në fund janë qytetarët ata që bëjnë dallimin dhe nuk kam asnjë lloj dyshimi se këtë dallim do ta bëjnë nisur nga punët e jo nga fjalët”, tha Veliaj.
Duke prezantuar nismat e ndërmarra nga Bashkia e Tiranës në vetëm një muaj, Veliaj deklaroi se ka vijuar me të njëjtin ritëm transformimi i transportit publik në të gjithë hapësirën e Tiranës. “Riorganizimi i itinerareve të linjave, shtimi i flotës nga 200 në 290 autobusë, ku 50% janë autobusë fizarmonikë të standardeve më të mira, vendosja e kontrolleve të standardit të shërbimit përmes shtimit të inspektimeve, por edhe përmes teknologjisë GPS, e kanë kthyer sot transportin publik në një alternativë reale për qytetarët e Tiranës”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë u shpreh se gjatë kësaj kohe u vu në funksionim parkimi me sms, që do të thjeshtojë shumë mënyrën e pagesës për parkimin duke u kursyer kohë qytetarëve, por duke e thjeshtuar e duke bërë më efikase edhe punën e Tirana Parking. “Çdo qytetar mjafton të çojë një sms në numrin 50500 me targën e automjetit për të rezervuar vendparkimin. Ndërkohë që 10 minuta përpara përfundimit të kohës qytetarit i vjen një tjetër sms për ta njoftuar e për t’i dhënë mundësinë të zgjasë kohën e parkimit për të shmangur penalizimet”, tha ai duke shtuar se të gjitha të ardhurat nga parkimi me sms do të shkojnë për gjelbërimin e Tiranës e veçanërisht për realizimin e projektit të Pyllit Orbital që do ta rrethojë Tiranën me një brez të gjelbër me 2 milionë pemë.
Veliaj deklaroi se vetëm gjatë muajit mars nga APR u mbollën mbi 2000 pemë, çka shënon një rekord për Tiranën, vazhduan mbjelljet në Parkun e Liqenit të Farkës që tashmë po merr formë si një park urban, zëvendësimi i pemëve të dëmtuara në Parkun e Madh të Liqenit, mbjelljet në Sheshin Skënderbej dhe në Bulevardin e Ri të Tiranës. Kryebashkiaku bëri të ditur se së shpejti do të hapet dhe kilometri i parë duke i dhënë Tiranës një tjetër hapësirë të gjelbëruar.
Një tjetër nismë e ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës gjatë këtij muaji ka qenë dhe “Kafja me Gjyshin”, ku mbi 100 bare e lokale iu bashkuan kësaJ iniciative duke ofruar kafenë me 20 lekë për gjyshërit dhe gjyshet e Tiranës. “Ky është një gjest shumë i bukur për të treguar respekt për disa njerëz që jo vetëm i kanë dhënë shumë shoqërisë me punën e një jete, por që vazhdojnë ende sot të jenë ndër qytetarët më aktivë e më të përgjegjshëm të Tiranës”, tha Veliaj.
Ashtu si gjatë vitit 2016 dhe fillimit të këtij viti, edhe gjatë kësaj kohe, Bashkia e Tiranës ka vazhduar punën për ta bërë Tiranën një qytet më të mirë për të rinjtë e fëmijët. “Vetëm gjatë muajit mars, kryeqytetit i janë shtuar dy kënde të reja lojërash dhe kënde sportive në Ali Dem dhe ish Fushën e Aviacionit, ndërkohë që në Parkun e Madh të Liqenit kemi sot një kënd të ri force dhe një kompleks të shkëlqyer multisportiv në shërbim të komunitetit 24 orë 7 ditë në javë, atje ku deri dje kishte thjesht një djerrinë”, tha ai.
Duke përmendur hapjen e Pazarit të Ri, Veliaj deklaroi se nuk ka dëshmi më të qartë se gjërat e mira bëhen duke punuar e jo duke fjetur e duke bërë llafe. “Janë plot 308 biznese që kanë filluar punën ose janë duke bërë investimet e tyre, të cilat në total punësojnë 1007 vetë. Ndërkohë që vlera e pronës në atë zonë është rritur që tani me 40 deri në 50% dhe përfitimet nga ky investim po fillojnë tashmë të shtrihen në një zonë shumë më të gjerë sesa hapësira e njohur si Pazari i Ri”, u shpreh ai.
Veliaj komentoi dhe projektin e Bashkisë së Tiranës për fillimin e procesit për ndërtimin e 17 shkollave të reja që do t’i japin fund njëherë e mirë mësimit me dy turne në kryeqytet. “Përpara se të ishte një zotim i yni ky ishte edhe zotim i paraardhësit tim, por të gjithë e dimë sesi i vajti halli jo vetëm këtij zotimi por edhe shumë e shumë gjërave të tjera që u premtuan nga Luli. Sepse, problemi është që mbajtja e zotimeve bëhet e pamundur kur zgjedh t’ia fusësh gjumit për 4 vjet apo të merresh vetëm me fjalë. Për të zgjidhur hallet e problemet e qytetarëve duhet shumë punë dhe vetëm punë, por për punë Lulin nuk e keni”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë Veliaj theksoi se Tirana ka sot nevojë për shumë punë për t’u kthyer në qytetin që duam të gjithë, të majtë e të djathtë. Veliaj deklaroi se Tirana nuk ka për të ndryshuar as me fjalë, as me sharje, as me kërcënime e as me çadra. “Ky qytet kërkon punë dhe pret që ne të punojmë. Prandaj, ftesa ime për të gjithë është që të bashkojmë forcat, të bashkëpunojmë dhe të mos harrojmë për asnjë moment që qytetarët e Tiranës dinë të gjykojnë e të shohin përtej retorikës e deklaratave prandaj të paktën në këtë këshill le të mos humbasim kohë kot me beteja politike që as nuk ndërtojnë shkolla, as nuk mbjellin pemë, as nuk hapin kantiere të reja e as sjellin ndonjë përfitim për qytetarët që na kanë votuar”, tha ai.