Gjergj Bojaxhi ka qenë i ftuari i Enkel Demit në “Shih programin” në TVSH, ku ka shpjeguar pse është sulmuar kohët e fundit, për përfshirje në afera të pista.
Enkel Demi – Ti je i krahasueshëm me një sheik arab së fundmi apo jo?
Gjergj Bojaxhi – Siç duket për disa njerëz po, sepse ka segmente të politikës që mendojnë këtë, dhe për më shumë duan që edhe ne të mendojmë që nëse je i suksesshëm nuk mund të jesh i ndershëm, por je marrë me dallavere. Këtë tendencë kanë vite që e kultivojnë, sepse vetëm me këtë mënyrë ruhet status quo-ja dhe në këtë mënyrë e çojnë vendin në greminë.
Ka shumë sulme ndaj jush. Pse sot, pse tani, pse jo gjatë zgjedhjeve vendore?
Gjatë fushatës zgjedhore partitë e mëdha kishin një dilemë të na merrnin seriozisht apo të përpiqeshin të na injoronin. Siç duket rezultati i garës së Tiranës iu ka djegur. Ne si qytetarë i kemi provuar alternativat që na kanë ofruar partitë e mëdha e që duket se janë kallpe dhe boshe. Ne kemi kuptuar pas një çerek shekulli që duhet t’i krijojmë vetë këto alternativa. Siç duket e kanë kuptuar që po afron një alternativë e tillë dhe në mendësinë e tyre kanë vendosur të godasin një ndër njerëzit më aktiv të alternativës së re të qytetarëve.
Akuzoheni për pastrim parash. Ju kanë thirrur në Prokurori deri më sot?
Çdo gjë që kam dëgjuar rreth meje në tre javët e fundit e kam dëgjuar vetëm nga media. Deri më tani askush nuk më ka kontaktuar. Askush nuk më ka thënë paraprakisht: “Zotëri, është kjo gjë, pse është, çfarë është?” Asnjë institucion publik ligjzbatues nuk më ka kontaktuar. Është hera e tretë që unë marr vesh se çfarë bëjnë institucionet publike ndaj meje duke e mësuar nga media dhe gazetarët. Dhe besoj se kjo është tregues i mjaftueshëm për të thënë se çfarë ndodh.
Çfarë ndodh me kompaninë tënde, cili është aktiviteti i mirëfilltë?
Ajo nuk është kompania ime. Unë e administroj dhe jam aksioner. Kompania është themeluar në 2012, ka aksionerë të huaj dhe shqiptarë. Aktiviteti ynë ka lidhje me tregtimin në nivel broker-i dhe ne tregtojmë pronësinë e produkteve që blejmë në letra. Të gjitha transaksionet bëhen në mënyrë bankare dhe transparente. I gjithë informacioni që thuhet se është zbuluar sot, i gjithi ka qenë publik dhe lehtë i kontrollueshëm gjatë gjithë këtyre viteve. Çuditësisht një ditë të bukur del një informacion në një televizion kombëtar, vendosem në një thes me ca njerëz që nuk kam pasur kurrë të bëj as unë e as kompania, si ARMO apo banka e individë të tjerë. Të tjerët nuk përmenden më, i vetmi që përmendem jam unë.
Ju akuzoheni që keni transferuar miliona euro në llogari jashtë vendit. E vërtetë?
Nuk është e vërtetë. Ky është një mashtrim dhe një inskenim faktesh të vendosura në mënyrë amatoreske. Kompania ka akoma xhiro edhe më të mëdha dhe Gjergj Bojaxhiu si individ nuk transferon asnjë gjë. Gjergj Bojaxhi si administrator i kompanisë bën të gjitha procedurat që bën çdo biznes tjetër. Unë vazhdoj t’i bëjë ato, për të cilat jam akuzuar gjatë të gjithë këtyre muajve të fundit. Kjo që po ndodh është si t’i bësh një fletë-rrufe një biznesi, se përse bën rutinën e tij të përditshme. Ne jemi në mes të kompanive të huaja që duan të shesin dhe kompanive shqiptare që duan të blejnë. Nuk e kuptoj pse duhet të pyetem unë për Petroliferën, kur as nuk e kam dhënë unë koncensionin, as nuk jam pronar. Nuk e kuptoj pse përpiqen që të bëjnë pyetje sikur ka ndodhur diçka e keqe. Shteti të shkojë të kontrollojë, verifikojë. Pse bëhen pyejte sikur ka ndodhur diçka e keqe?! Në të gjithë këtë mesele si ka mundësi që unë i vetëm i paskam bërë të gjithë këto gabime, pa asnjë bashkëpuntor?!
Po të afërmit e tu pse përfshihen?
Familjarët e mi si çdo qytetar kanë të drejtë të kenë aktivitete ekonomike. Është shumë e thjeshtë: Nëse unë kam bërë një shkelje ligjore, atëherë le ta na thonë se kush është shkelja ligjore. Ne si çdo familje tjetër shqiptare besojmë tek njëri-tjetri, por kjo nuk do të thotë se bëjmë veprime të jashtëligjshme me familjen. Nëse unë do të fshihja diçka nuk do ta bëja kurrë me emrat e familjes sime.
Si është çështja e shumave të konsiderueshme që akuzoheni që keni dërguar në parajsat fiskale?
Kam dëgjuar përralla të ndryshme nga mediat. Unë nuk kam asnjë lloj llogarie në parajsat fiskale. Të gjitha transaksionet që bën aktiviteti që unë administroj janë të gjitha në bankat europiane, në shtete të BE. Përrallat me offshore nuk e di se kush i krijon. Por, kur ke media private kombëtare që në mënyrë artificiale përpiqen të mashtrojnë opinionin publik dhe askush nuk i kritikon, unë nuk di se çfarë mund të ndodh më shumë. Unë një zë i vogël jam. Autoparlanti im është një, autoparlantët që hedhin baltë janë një mijë. Unë nuk kam asnjë lidhje me sistemet offshore. Të dalë dikush dhe të japë fakte. Unë jam i gatshëm të hetohem qoftë nga agjencitë ligjzbatuese, qoftë nga media. Unë jam shtetas amerikan, dhe si i tillë jo vetëm shteti shqiptar, por edhe ai amerikan ka të drejtë të më hetojë.
Po çfarë lidhje ka që t’ju hetojnë amerikanët, kur ju aktivitetin e kryeni në Shqipëri?
Një shtetas amerikan është i detyruar të bëjë deklarimin e të ardhurave dhe taksave në Amerikë, pavarësisht vendit ku jeton. Mjafton të kesh pasaportë amerikane dhe duhet jo vetëm që të bësh deklarimin e të ardhurave, por duhet dhe të paguash taksat sikur ke jetuar në Amerikë. Unë si qytetar amerikan kam bërë që nga 2005 deklarimin e të ardhurave dhe kam paguar taksat. Dhe sipas ligjit amerikan dhe në rastet kur personi është administrator i një kompanie duhet të vendosë tek deklarimi i taksave emrin e bankës, numrin e llogarisë dhe sasinë e fondeve që ajo llogari ka pasur. Dhe për këtë arsye unë jo vetëm kam deklaruar të ardhurat e mia personale, por edhe ato të kompanisë, pavarësisht se ajo nuk është e gjitha në pronësinë time. Unë e kam deklaruar publikisht që jam i gatshëm dhe i hapur të konsultohen dhe me SHBA dhe t’i kërkojnë edhe atje të dhënat e mia, meqë jam nënshtetas amerikan. Unë kam kërkuar që të hetohem edhe nga shteti amerikan, nuk kam nxjerrë pasaportën amerikane si mbrojtje. Unë kam kërkuar që shteti shqiptar të bashkëpunojë me atë amerikan për të zbardhur të vërtetën deri në fund. Për mua kjo që po ndodh është situatë tipike e ish-Sigurimit të Shtetit, ku krijoheshin me fantazi histori të trilluara, me të cilat më pas akuzoheshin dhe masakroheshin njerëzit.
Pak ditë më parë janë bllokuar në llogarinë e djalit të Rezart Taçit 600 mijë euro dhe burime që i referohen prokurorisë thonë se këto para dolën gjatë hetimit të dosjes “Bojaxhi”. A e njeh Taçin?
Nuk kam bërë kurrë aktivitet ekonomik me Rezart Taçin. Nuk kam bërë kurrë ndonjë transaksion me ndonjë kompani të tij. Në fakt, kur doli ky lajm më mori bashkëshortja dhe meqë në lajm përfshihej dhe gruaja e Taçit më tha: “Po mirë mo burrë, ne po fëlliqemi këtu, por ti lekët i paske me gratë e të tjerëve.” Kjo vetëm në Shqipëri mund të ndodh! Unë Taçin mund ta kem takuar 2-3 herë në jetë. As unë e as kompania që unë drejtoj nuk kemi patur asnjë kontratë dhe asnjë transaksion me të. Ky është shembulli që dëshmon se ne kemi ndërtuar një shtet që shantazhon qytetarët. Kjo që më ndodh sot mua në fakt nesër mund t’i ndodh cilido.
Mes akuzave ka qenë dhe sipërmarrësi Sulo Shehu që ka thënë që ju i keni grabitur një pronë…
Pasi priti 11 vjet për t’i shkuar deri në fund?! Unë jam “hasëm” me të gjitha klasën politike, si mund t’ia kem mbyllur unë dyert për këtë punë. E dyta, Bashkia Vlorë dhe Avokatura e Shtetit kanë bërë një ankimin në Ministrinë e Drejtësisë, ku unë nuk kam punuar kurrë, për një periudhë ku unë nuk kam punuar në asnjë institucion, sipas të cilave pronat në fjalë janë kthyer në 1997, kohë kur Vlora digjej, madje edhe ditë të shtune. Bashkia Vlorë dhe Avokatura e Shtetit kanë vlerësuar se ky kthim nuk ka qenë në bazë të ligjit dhe Kushtetutës. Se çfarë ka të bëjë Gjergj Bojaxhi në këtë histori unë nuk e di, por unë di që as jam marrë ndonjëherë me ketë punë dhe as kam punuar në ndonjë institucion që kthen pronat. Pyetja ime është kjo. Unë jam këtu: Po dalin shumë dhe po me akuzojnë, por le të më thonë se çfarë kam bërë gabim? Çfarë kam patur në dorë dhe e kam bërë unë gabim? Koncesioni i Petroliferës është dhënë nga qeveria Nano në 2004. Kur unë kam qenë zëvendësministër, koncensioni ka qenë i bllokuar nga qeveria Berisha dhe është zhbllokuar në 2007, kur unë nuk kam qenë më zëvendësministër. Unë nuk jam aksioner tek Petrolifera. Ajo nuk është aksionere tek “Everest Oil”, kompania që unë administroj.
Ndaj jush po ndodh një sulm me goditje të përqëndruar. Kush është pas tyre?
Qartazi institucionet që kanë bërë këtë paçavure varen nga ekzekutivi shqiptar.
Sa i pasur është Gjergj Boijaxhiu?
Shpirtërisht shumë i pasur, kam një familje të lumtur, profesionalisht kam një lloj qetësie dhe ekuilibri. Unë luftoj të arrij lumturinë. Nëse ju do më përkufizoni se çfarë do të thotë i pasur, unë do t’i përgjigjem pyetjes tuaj. Unë nuk e konsideroj veten as të varfër as të pasur.
I keni 1 milion euro?
Jo, nuk i kam.
Megjithë për këto që kanë ndodhur këto tre javë, ti një analizë e ke bërë, apo jo? A ka lidhje kjo me zgjedhjet e vitit të ardhshëm. A i “rri ngushtë” ti ndonjë force politike?
Unë nuk i rri ngushtë asnjë force dhe asnjë krahu. Unë jam një qytetar i bindur që ne kemi një klasë politike të mbështetur mbi bazë patronazhi dhe që kjo klasë politike, kur ka marrë votëbesimin e qytetarëve shqiptarë i kanë administruar dhe paratë e taksat tona në formë patronazhi. Nëse vazhdohet kështu, shqiptarët do të vazhdojnë të largohen nga vendi dhe Shqipëria do të bëhet vetëm më keq. Ka ardhur koha që qytetarët kanë nevojë të organizohen dhe të kënë alternativën e tyre politike.
Ju tashmë po organizoheni si lëvizje politike. A i keni lidhur sulmet me përgatitjet tuaja për të dalë si forcë politike?
Unë mendoj që me këtë është e lidhur. Zgjedhjet e fundit, ku mora 16 mijë vota vetëm në qytetin e Tiranës, ishin një mesazh për klasën politike. Për klasën politike frika nuk vjen nga një parti politike. Këtyre partive politike iu prish punë, kur hyn në lojë një lëvizje që nuk është e interesuar për pazaret e tyre. Kur përballën me një alternativë që nuk është e interesuar që të ndajë pazaret ky është shqetësim. Unë nuk jam kryetari i kësaj lëvizje politike, do të jem aktiv sa të mundem në këtë lëvizje. Për ne si qytetarë të shkelur dhe të abuzuar është më e rëndësishmë të kemi një alternativë, sesa kë do të kemi kryetar. Ne na duhet një alternativë politike që të përfaqësojë qytetarët që nuk e duan politikën e sotme, lëvizja politike duhet të jetë e anëtarëve jo e kryetarit.
Do të jesh pjesë e zgjedhjeve pas një viti?
Unë do të jem pjesë nëse një grup qytetar arrin të mobilizohet dhe të organizohet. Nuk do të merrja pjesë në asnjë lëvizje politike që do të bënte koalicione me partitë politikë ekzistuese.
Është e vërtetë që pas zgjedhjeve vendore je takuar me Lulzim Bashën?
Nuk kam foluar dhe nuk jam takuar me Lulzim Bashën të paktën që prej 4-5 vjetësh.
A ke një koment për zërat kundër në PS, Ben Blushi, Mimoza Hafizi?
Unë e di që janë hedhur fjalë për lidhje mes meje dhe zotit Blushi. Unë zotin Blushi nuk e njoh. Nuk e kam takuar kurrë, nuk kam patur kurrë asnjë komunikim të drejtpërdrejtë ose indirekt. Ajo që kam kuptuar është që ky sistem patronazhi që krijohet brenda partive jo vetëm që nuk arrin t’i kënaqë të gjithë, por nuk lejon që të ketë një proces gare dhe prove të mirëfilltë.
Duke gjykuar çfarë ka ndodhur këto javë dhe cilat janë mediat që e mbështesin nuk është e vështirë që të kuptohet që ndoshta Blushit i duhen votat e tua….
Unë nuk kam vota. Dhe nëse dikujt do t’i duhet e po përpiqet që të mbështesë në këtë mënyrë zotin Blushi, atëherë po bën të njëjtën politikë dhune që bëjnë dhe partitë e mëdha. Dhe nëse është e tillë, atëherë më vjen keq, por as Blushi nuk po sjell asgjë të re.
Do votosh për zgjedhjet në SHBA?
Po, do të votoj.
Duket se përballja do të jetë Klinton-Trump. Nuk po të pyes për kë do të votosh…
Nuk ka asgjë të keqe të më pyesësh. Është e sigurtë që nuk do të votoj për Trumpin. Unë jam i djathtë i qendrës dhe duke marrë parasysh se çfarë kandidature po afrojnë republikanët, unë e kam të pamundur t’ia jap votën atij kandidati. Rama si kryeministër gjykoj se gaboi që u shpreh në atë formë për Trumpin, sepse nesër mund të përballet me të, kurse unë si qytetar mund ta them pa frikë që nuk jam i kënaqur me këtë kandidat.