Deputeti Ben Blushi, i cili ka qenë prej kohësh kundërshtar i qeverisjes së Ramës, e ka cilësuar si të vonuar ndryshimet në ministrinë e financave, ku Cani i ka lënë vendin Ahmetajt.
“Është ndryshim i vonuar, sepse financat janë një gropë e madhe, ka mosrealizim të ardhurash, rritje papunësie, taksa të pabalancuara”, tha Blushi.
Deputeti socialist nuk u ndal tek emrat që lëvizën, pasi nuk e sheh problemin te ta.
“Nuk kam arsye të komentoj emrat, sepse problemi është mënyra e qeverisjes, më shumë se emrat”.
Është përgjegjësia e kryeministrit?
Mënyra se si po qeveriset nuk është në drejtimin e duhur, do thosha. Se kjo shprehje është bërë si modë. Po flas për mënyrën e qeverisjes. Besoj se ka arsye të ndërmerren politika më të arsyeshme, për të mbështetur të varfrit, për të mbështetur interesin publik, për të mos deleguar të gjitha shërbimet publike te privati, siç po ndodh, për të frenuar koncesionet, për të forcuar interesin publik se nuk po kuptohet ku fillon dhe ku mbaron interesi publik dhe ku fillon e ku mbaron interesi privat, për të bërë politika pak më të arsyeshme dhe dashamirëse për të varfrit. E dini ju se në Shqipëri sot janë 31% që jetojnë me më pak se 5 mijë lekë në ditë? Nuk besoj se ka vend në Evropë që i trajton më keq të varfrit e vet. Nëse qeveria ka një qasje tjetër ndaj varfërisë, ndaj analfabetizmit, ndaj injorancës, ndaj mënyrës se si i kurojmë të varfrit, të dobëtit…është shkurtuar asistenca ekonomike. Ka më pak njerëz sot që asistohen nga shteti. E dini se në Shqipëri ka sot 400 mijë njerëz që jetojnë me 400 lekë të vjetra në ditë. Më gjeni një vend tjetër në Evropë ku dikush jeton me më pak se gjysmë dollari në ditë. Kjo është e pamundur. Nesër këta njerëz, nëse nuk ushqehen, nuk arsimohen siç duhet, nuk u jepet mundësi punësimi, kosto për shoqërinë është më e lartë. Këto janë politika strategjike që bën Qeveria. Duhet të nxisë eksportet. Në katër vitet e fundit importet janë ulur, eksportet janë ulur. Çfarë prodhojmë ne? Edhe ato të mira materiale që na ka dhënë Zoti dhe Natyra, naftë, krom, minerale, ujë, erë, det, diell, këto janë pasuritë tona, nuk po i shfrytëzojmë siç duhet. Në përgjithësi qeveria dhe metoda qeverisëse ka arsye të ndryshojë më shumë se njerëzit.
Ndërkohë Rama i quan lodra këto që thoni ju?
Unë nuk dua të komentoj një njeri që e ka mendjen te lodrat. Ata që duan të luajnë dhe e shohin qeverinë dhe partinë si një lodër, nuk kam arsye të komentoj. Po flas për njerëz seriozë. Shqipëria ka akoma njerëz seriozë, në moshë të pjekur që kanë mundësi të qeverisin dhe nuk e kanë mendjen se si të shkojnë në shtëpi dhe të luajnë.
Po për ndryshimet në Qeveri?
Unë i kam kolegë shumicën e tyre dhe njerëz që kanë bërë fushata. Nuk kam arsye të komentoj cilësinë e tyre. Por besoj se ndryshimi i sotëm ishte i vonuar, për çka duhet të ndodhë. Ka nevojë për një mënyrë qeverisje tjetër, e cila në radhë të parë është aleate me të varfrit, është aleate me shtresën e mesme dhe është aleate me interesin publik. Të tria këto cilësi kjo qeveri i ka humbur me kalimin e kohës dhe nuk është kjo arsyeja për të cilën u votua në 2013. Kur më thonë përse flas, flas për të mbrojtur parimet për të cilat erdhëm në pushtet, për parimet për të cilat mendoj se jam i majtë.
A u ndryshua Cani me Ahmetajn për shkak të asaj që ju thoni ‘rekorde jo të mira në ekonomi’?
Nuk e di këtë. Duhet të pyesni njeriun që e konsideron qeverinë dhe partinë si një lodër. Në qoftë se i konsideron ministrat e vet si lodër, pra që ndërrohen, pra e ndërron një elefant me një qenush, apo e ndërron me një qen me lesh apo me një ketër? Nuk e di. Unë jam njeri serioz dhe flas për politika. Thelbi sot ky është të flasim për politika që ndryshojnë jetën e njerëzve nga ky depresion i madh shoqëror, i cili po prodhon papunësi, analfabetizëm, polarizim social dhe zbrazje demografike.
Duhet të ketë ndryshime të tjera në Qeveri?
E thashë, duhet të ketë ndryshim të metodës së qeverisjes. Nuk është çështja te njerëzit, por te metodat. Ka shumë njerëz brenda PSsë që nëse orientohen siç duhet, edhe këta ministra që janë, nëse i hipën në një makinë tjetër ecin pak më shpejtë. Por kjo makinë qeverisëse është shumë e ngathët për fat të keq.
A duhet të kishin kaluar vendimi për ndryshimet në qeveri nga Grupi?
Nuk është e thënë. Partia ka arsye të njihet kur ka ndryshime ministrash.
Ju jeni njohur nga mediat?
Po nga mediat. Dje kishte mbledhje grupi dhe kjo nuk u tha. U fol për lodra apo jo?