Ashtu si në çdo senca të fundit parlamentare, edhe këtë radhë deputeti i Partisë Socialiste Ben Blushi nuk i ka kursyer akuzat e tij. Ai është ndalur në ligjin për shërbimin e jashtëm, duke e quajtur atë amator.
Por akuzat e tij prekën edhe ndërtimin e parlamentit të ri i cili po ia kërkojmë Turqisë të na e ndërtojë. Suipas Blushit një shtet sovran nuk mund të kërkojnë nga një shtet tjetër ndërtimin e parlamentit.
“Nuhatja më thotë se Shqipëria për disa arsye ka politikë të jashtme amatore, nuk është në pozitat që duhet të kishte në rajon. Me Turqinë nuk jemi në pozita të mira, për shkak se qeveria ka bërë premtime që si mban dot. Javën e kaluar nuk pëlqeva që i kemi kërkuar të na ngrejë parlamentin. Por mirë a kemi sedër ne si komb? A kemi sedër të na e ndërtojë një komb tjetër? Kur kemi x euro për stadiume s’paskemi 30 milionë euro për një Parlament? Parlamenti i një vendi është simbol i një shteti. Kur nuk je sovran s’ke parlament. Jam kundër kësaj. Të kërkojnë borxh për çdo gjë, por jo për parlament. Futemi në raporte që na nxjerrin më të dobët, bëjmë premtime që s’duhet t’i bëjmë”, tha Blushi.
Më tej deputeti u ndal të komentojë pozitat tona në rajon, marrëdhëniet me Greqinë e Maqedoninë. Blushi tha se qeveria shqiptare ka 6 muaj që paragjykon qeverinë e re greke. Sipas tij deklarata e Ramës për t’i vënë veton Maqedonisë në NATO do të forconte më tepër pozitat e Gruevskit.
“Nuk di në mund të kishim bërë më shumë apo më pak por atje është krizë demokracie. Dikush ka dashur ti përfshijë shqiptarët në konflikt. Dua ta them sot ajo që po ndodh në Ballkan, po rrit paragjykimin për rajonin, i cili sot po prodhon eksod, po ikin të gjithë nga Maqedonia..pse? Sepse qeveriset keq..Ne e kapërcyem Gruevskin që në vitin 2103, e hoqëm stilin e Gruevskit që kur ikët juve… por ka ende probleme. Qeveria dje ka thënë mund të rishikojmë veton tonë për anëtarësimin e saj në NATO. Po të flasë ministri i Jashtëm do ta interpretojë deklaratën ..Nuk shoh që njerëzit që prodhojnë politikën e jashtme janë të koordinuar…do ta interpretojnë do ta zbusin. Gruevski është bërë më i fortë nga vetoja greke, e ka përdorur duke thënë se mua më sulmojnë fuqitë e jashtme. Nuk jam i bindur se dy veto do funksionin më shumë. Nuk jemi sot në ditët më të mira të politikës së Jashtme, mund të kishim pak më vështrim strategjik. Qeveria në disa raste ngatërron fishekzjarrin me dritën, fishekzjarri ndriçon në një minutë. Politika jonë e Jashtme nuk mund të mbushet me fishekzjarre”, shtoi Blushi.









