Shqetësimi i ngritur në lidhje me rikthimin e regjimit të vizave në zonën Shengen për shtetasit shqiptarë nuk ka ende baza zyrtare. Në përgjigjen e saj zyrtare, Ambasada holandeze në Tiranë, shprehet se ky raport, i zbuluar pjesërisht në mediat holandeze, ekziston dhe po studiohet nga Ministria e Drejtësisë dhe sigurisë por ende nuk ka asnjë prezantim zyrtar.
“Ne jemi në dijeni të artikujve të shtypit holandez në lidhje me një raport konfidencial nga policia holandeze për sa i përket zgjerimit të krimit të organizuar nga persona me origjinë shqiptare në Holandë. Ky raport aktualisht po studiohet nga Ministria holandeze e Sigurisë dhe Drejtësisë nuk ende nuk i është prezantuar Ministrisë zyrtarisht”.
Raporti u pa si një shqetësim nga aktorë politikë vendas, për të cilin reagoi me anë të një statusi në facebook edhe ish-presidenti Bujar Nishani, si dhe kryetari i grupit parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili. Shqetësimeve të tyre për rikthimin e vizave për shqiptarët iu përgjigj Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili i quajti këto aludime si politikë vere.