• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Monday, January 19, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Bllokimi i UT dhe pse nuk na shpëton dot inxhinierja e dalluar e PD

by Agron Gjekmarkaj
12/02/2018 13:14
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga AGRON GJEKMARKAJ/ 

Kryeministri, para pak ditësh, u gëzohej kolovitjeve plot adrenalinë në kanionet e Osumit si një riosh i ngeshëm. Gjatë një pauze na dha lajmin e mirë se i shpëtoi ato nga vendimet e tij që kishte marrë kohë më parë për të ngritur disa hidrocentrale. Nuk harroi që me hazërllëk të falënderonte edhe Blendi Klosin që kishte kapur në kohë të paudhët, të cilët donin t’ia hidhnin.

Herë pas here Edi Rama na shpëton nga Edi Rama dhe mirë bën! Tanimë një nga katet e arsyes po i shërben si opozitë. Disa herë, ai, deri më tash, këto vite qeverimi e ka ushtruar instrumentin e të lypurit ndjesë! Pasi i bëri rezil gazetarët e “Hienave” në Itali u kujtua se “kazani” andej mund të derdhej dhe cirkat e tij të bënin gjëmën në lëkurë. Nuk e zgjati shumë, por me një lakonizëm të shtruar si zadef i vuri kapak urdisë duke kërkuar falje.

 

Në një ditë me diell kur nuk e prisnim, po kështu u kujtua se nuk e kishte kuturisur mirë atë thirrjen në Berat për policët që të angazhoheshin në fushatë për Partinë Socialiste dhe përsëri mbi trazimin vuri melhem duke kërkuar falje. Gabova tha, amani si bëni dhe ju, gabon njeriu i shkretë, po mos u qederosni se ju them më falni. Vite më parë, se Kryeministri ynë ka shumë vite që qeveris, kësisoj pat bërë me armët kimike. Një fjalë ë urtë thotë se “muri nuk lot prej vendi ndërsa burri po”!

Kësisoj nuk duhet gjykuar keq kur tërhiqet nga gabimet e veta, nëse ato do ishin të rralla qametSe gabimet e kryetarit të Qeverisë nuk janë si tonat, punë axhaminjsh, ehuha… ato janë me dëm. Edi Rama, edhe në fushatë, pak a shumë, doli e tha pas katër vitesh në pushtet, ky është shtet koti, ia kemi futur kot, po më jepni votën të marr timonin dhe ta shkrij tepsinë me llavën e zemërimit tuaj. Ndokush pret që ai të na kërkojë falje për kanabisin apo për Saimir Tahirin, për korrupsionin, krimin, koncesionet, emigracionin që ka marrë revansh si populli i Izraelit dikur motit, ekonominë që e ka vra Zoti me dorë të vet.

Nuk është çudi, edhe kjo mund të ndodhë në fund të mandatit kur do kërkojë edhe katër vjet të tjera, a mbase tetë për të korrigjuar gabimet e tetë viteve të para! Gjithsesi, këtu jemi, pret puna. Duke parë zhvillimet në universitet dhe testin nënshtrues me pagat e pedagogëve, përfitojmë nga rasti për t’i kujtuar Kryeministrit një sërë gjërash dhe për t’i sjellë në vëmendje disa sugjerime. Kur filloi parashtrimin e Ligjit të ri për Arsimin e Lartë ai gjet një rezistencë logjike e të fortë nga “Forumi për liritë akademike dhe autonomi universitare”, shoqatë kjo që parashikoi gjithë sa do të ndodhte në botën universitare kur ai ligj të aplikohej (pjesë e të cilit jam).

Atëherë, edhe sot, patëm pranuar se ligji ka risi pozitive e njëkohësisht defekte tejet të rënda për standardet demokratike të një institucioni të dijes. Kryeministri asokohe e pat paraqitur ligjin si një lëvizje modernizuese, antikastë. Me kartonët e forcës e bëri realitet. Sot, aktualiteti kërkon që disa gjëra tek ai ligj të ndryshojnë. Po, është e vërtetë që Universiteti i Tiranës prej 20 vitesh dominohet nga një kastë që i ka zënë frymën. Kasta, e cila e ka shpinën më të butë se barkun, u bë herë urë e herë kodër për orekset e pushtetit nga frikërat gjithfarësoj, që e posedojnë.

Një veting do të ishte derman. Ndonjë vizitë e vartësve të Arta Markut gjithashtu, për të këqyrur defterët. Ata pranuan “leviatanin”, ligjin e deformuar dhe po u shijon tej mase. Nëpërmjet anekseve të tij pa kuptim, ata sot e kanë bllokuar Universitetin e Tiranës! “Rilindja” bëri aleancë me kastën. Senati i UT-së, në shumicë i kontrolluar prej saj, e ushtron pushtetin njësoj si në këto dy dekada nëpërmjet “bordit të administrimit” dhe administratorit, dy “kryevepra” të kastës.

Shkarkimi i tyre është nevojë urgjente. Kjo treshe, prej dy vitesh, mban “shah-mat” rektorin Mynyr Koni dhe çdo veprimtari rutinë ose jo të UT-së. Aktualisht, ne s‘kemi as sendet më elementare si, letra, bojë, fotokopje, asgjë prej gjëje, sepse ata kanë bllokuar çdo gjë, jemi të pamundur në çdo iniciativë në emër të një revanshi babëzie. Po ashtu, komisarët e qeverisë në këto borde, të tipit Arbian Mazniku, që teshtijnë si cjapi në brymë nga librat, paçka se as Perëndia s’e di pse janë aty, edhe pse ata e dinë, janë unaza e lidhjes.

Universiteti publik, në të cilin mbi 85% e shqiptarëve çojnë fëmijët e tyre për të studiuar, është pasuri kombëtare, sot e bllokuar dhe e shantazhuar nga kasta me emra konkretë. Ndaj këtu Kryeministri duhet të ndalet të reflektojë dhe të kërkojë ndjesë. Rrogat tona janë qesharake në raport me punën që bëjmë. Kosova 10 vjet shtet i ka dyfishin tonë. Së paku, mes shqiptarësh të paguhemi njësoj. Po ashtu duhet të kërkojë ndjesë edhe në emër të ministrit të tij gaztor të Ekonomisë e të Financave për tollovinë e tij me pagat tona, që s’i kemi marrë ende.

Po kaq ndjesë duhet ti kërkojë Robert Ndrenikës për hartimin cinik e propagandistik të mikes Kumbaro. Edi Rama është një nga intelektualët cilësorë të këtij vendi, të cilit nuk i mungojnë shqisat dhe nëse e bën një gjë të mirë a të keqe, kjo nuk ngjet rastësisht, është e menduar. Universiteti do vazhdojë edhe pas tij, madje kur të jetë pensionist në bahçen e Surrelit tek dëgjon lajmet, mund t’i rëndohet ndërgjegjja apo lirohet me atë që do bëjë sot.

Nëse ka një gjë që duhet përgëzuar, është sjellja e tij e mbetur në tentativë ndaj Akademisë sovjetike të Shkencave. Ne (pedagogët e UT) mblidhemi sot për të diskutuar mbi gjendjen e rëndë në Universitet dhe presim që Kryeministri të sillet njësoj me sovjetikët e UT-së duke korrigjuar gabimet e veta. Në këtë rast, ndjesa nuk do të ishte propagandistike, por e dobishme, përndryshe ai na le vetëm rrugën e protestës, së cilës nuk do t’i shmangemi.

Ne besojmë te negociatat, të përgatitur edhe për anën tjetër të medaljes. Motoja jonë është një Universitet për shqiptarët, jo për kastën! Me gjithë pikëllimin e inxhinieres së dalluar të PD-së, zonjës Albana Vokshi për pagat tona, vetëm Edi Rama na shpëton kësaj here nga aleanca e Edi Ramës me kastën ose protesta masive e botës universitare. Lulzim Basha s’e ka në axhendë këtë çështje. Njëra do të ndodhë!

Next Post
HEC-et, Gjiknuri: Çdo projekt që ka ndikim negativ në mjedis do të anulohet

HEC-et, Gjiknuri: Çdo projekt që ka ndikim negativ në mjedis do të anulohet

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

“Duhet të ketë formë tjetër, të ndizen temperaturat”, Këlliçi flet për protestat e vakëta të PD-së

“Duhet të ketë formë tjetër, të ndizen temperaturat”, Këlliçi flet për protestat e vakëta të PD-së

January 19, 2026
A po e “çmonton” Trump OKB-në? Baton Haxhiu zbulon detaje nga statuti i Bordit të Paqes

A po e “çmonton” Trump OKB-në? Baton Haxhiu zbulon detaje nga statuti i Bordit të Paqes

January 19, 2026
“Berisha, porositësi i vrasjeve”, avokati: I ka ofruar para familjes së Hekuran Dedës, por ata s’kanë pranuar

Sondazhi për “21 Janarin”: 62.9% mendojnë se Qeveria ‘Berisha’ vrau shtetasit e vet duke kryer krim shtetëtor

January 19, 2026

“21 Janari”, Sondazhi: 63.2% mendojnë se nuk ka vullnet për të vendosur drejtësi!

January 19, 2026
Rrëfimi i Bamir Topit: Telefonata e Ramës me Hysni Burgajn për 21 Janarin

SONDAZHI / 15 vite nga “21 Janari”, 47,9% e shqiptarëve: PS duhet ta çonte protestën deri në fund!

January 19, 2026
Kishte shkuar të punonte në një ishull / 19-vjeçarja gjendet e vdekur, dyshohet se u sulmua nga…

Kishte shkuar të punonte në një ishull / 19-vjeçarja gjendet e vdekur, dyshohet se u sulmua nga…

January 19, 2026
Ish-ministri i Brendshëm: Dhurata që më bëri Vladimir Putini!

Ish-ministri i Brendshëm: Dhurata që më bëri Vladimir Putini!

January 19, 2026
Protestuesit ndërpresin shërbesën kishtare në Minnesota, hetohen nga policia

Protestuesit ndërpresin shërbesën kishtare në Minnesota, hetohen nga policia

January 19, 2026
Protesta kombëtare e PD-së/Meçe: Pas 24 janarit, opozita do t’i rikthehet normalitetit

Protesta kombëtare e PD-së/Meçe: Pas 24 janarit, opozita do t’i rikthehet normalitetit

January 19, 2026
Mungesa e energjisë elektrike shqetëson pushuesit në Lezhë, deri në 8 orë pa drita

Gjysma e Tiranës në “black out”. OST del me njoftim zyrtar

January 19, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In