Sot është arrestuar biznesmeni i 16-të për evazion fiskal, ndërsa për 15 të tjerë të arrestuar dy ditë më parë po zhvillohet te gjykata penale seanca gjyqësore për masën e sigurisë. Prokuroria kërkon arrest me burg për 14 të arrestuar, ndërsa për Shkëlqim Prodanin arrest shtëpie.
“Kërkoj vlerësim të ligjshëm të arrestit për të pandehurit. Rezultojnë dyshime të arsyeshme se subjektet kanë krijuar skemë mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar. Janë kryer një sërë verifikimesh në lidhje me veprën penale” u shpreh drejtuesja e prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, që është edhe prokurore e cështjes.
Disa nga biznesmenët kanë folur vetë në gjyq, ndërsa të tjerë përmes avokatëve. Avokati i Haxhi Salës kërkoi lirimin e klientit të tij me këtë argument “klienti im është bërë administrator i kompanisë më 16 Gusht të këtij viti dhe nuk ka asnjë lidhje me akuzat e prokurorisë. Kërkojmë lirimin e tij nga qelia“. Ndërsa avokati i Ilia Dimos tha “Klienti im mund të jetë viktimë e kësaj skemë. Pagesat i ka bërë të rregulla dhe në bankë“.
Paqsor Buzi është një tjetër biznesmen i arrestuar që doli sot para gjykatës për masën e sigurisë, ndërsa mohoi akuzat dhe përfshirjen e tij në këtë skemë kriminale. Ai hoqi përgjegjësinë nga vetja duke thënë se faturat e shit blerjeve shkojnë në kantier dhe se disa punëtorë i njeh dhe disa jo.
“Kur kam shkuar në polici më kanë thënë që po akuzohesha për evazion fiskal. U kam kërkuar bashkëpunim. U kam thënë që kam 3 kantiere të hapura dhe nëse ndonjë prej atyre punëtorëve mund të më njihte si fytyrë atëherë le të më arrestonin. Faturat e shit blerjeve shkojnë në kantier. Në Tepelenë kam dhjetra punëtorë disa i njoh e disa jo.
Oficeri i policisë nuk me bëri me dije se për cfarë bëhej fjalë konkretisht. Më dha emrat e 13 firmave që unë as nuk i njoh fare. Në asnjë mënyrë nuk do lejoja që emri i të njolloset. Ato janë fatura të vjetra dhe as nuk kam dijeni për to se nga kanë hyrë e nga jo” deklaroi ai. Avokati i Paqsor Buzit i kërkoi gjykatës të lërë garanci pasurore prej 60 mijë € për ndryshimin e masës së sigurisë.
Shpresa Joanidhi, kandidate e PD-së për deputete në qarkun e Gjirokastrës, administratore e Shpresa Al, bashkë- ortake me bashkëshortin e saj, Alfred Joanidhin, ka qenë biznesmenia e vetme që ka folur para gjykatës. Ajo tha se ka shkuar vetë në polici pa e ditur se i kishin prerë fletë arrestin, ndërsa largon përgjegjësitë nga vetja.
“Kam shkuar vetë në polici. Më njoftuan se bëhej fjalë për një njoftim pune. Nuk e dija për cfarë bëhej fjalë. Në polici prita 4 orë dhe aty e mora vesh se më kishin prerë urdhër arrestim. Unë nuk jam administratore. Është një vajzë e re që sapo është emëruar, ka vetëm një javë. Unë kisha për detyrë vetëm për të bërë fatura në bankë dhe jo për fatura shit-blerjesh” është shprehur Shpresa Joanidhi
Ndërkohë që biznesmenët e arrestuar kanë kërkuar lirimin nga qelia duke hequr përgjegjësinë dhe mohuar akuzat që janë ngritur kundër tyre. Disa nga biznesmenët kanë folur vetë në gjyq, ndërsa të tjerë përmes avokatëve. Të gjithë avokatët në mbrojtjen për klientët e tyre ndër arsyet që kanë kërkuar lirinë kanë theksuar se janë të sëmurë ata ose familjarët e tyre.
Report Tv sjell pamjet nga brenda seancës që ka nisur dhe vijon prej orës 11:30. Gjyqtare e cështjes është Ardiana Bera, ndërsa në seancë janë paraqitur të gjithë të arrestuarit.
Të arrestuarit
1.Paqsor Buzi, aksioner me 50% i G.P.G Company
2.Besnik Pelivani, kompania e ndërtimit A.B.BE
3.Astrit Lala, kompania Leksi Security 1
4.Haxhi Sala, kompania Leksi Security
5.Ilia Dimo, kompania IBS sh.p.k
6.Fatmir Firi, kompania Arb &Trans Sh.p.k
7.Shkëlqim Prodani, kompania Red Black
8.Ardian Bejko, kompania “Babeko Trans”
9.Shpresa Joanidhi, kompania “Shpresa” sh.p.k
10.Mhill Ndreca, kompania “Kombeas”
11.Rabi Kurti, kompania “Kurti Construction”
12.Riza Roshi, kompania “Dorgen” sh.p.k
13.Rrapo Baduni, kompania “Bani/s”
14.Vasil Korita, kompania “Medi Pharma”
15.Vangjush Mbriçe, kompania C.E.C Group
16. Drilon Bareti administrator i subjektit “E.B.A. NDERTIM shpk” u arrestua sot
Hetim në gjendje të lirë
1.Përparim Hasani
2.Albert Ahmet