Nga Nertila Maho
Është ora 10:00 e mëngjesit dhe kemi lënë një intervistë pranë një prej poligoneve në kryeqytet. Ngjitur me të, një dyqan ku ekspozohen veshje kamuflazh dhe pajisje apo veshje balistike. Kurioziteti na shtyn drejt derës së tij dhe jo të poligonit, ku tentojmë të hyjmë. Naivitetit tonë i përgjigjet një derë e mbyllur me çelës dhe buzëqeshja e një vajze, e cila me shenja na tregon se duhet të shkojmë nga poligoni, pasi nuk lejohet hyrja. Në fakt do të ishte e çuditshme që në një dyqan armësh të hyje lehtë si në një supermarket. Te poligoni është integruar edhe një bar-kafe dhe aty presim që të vijë drejtuesi teknik. Përgjithësisht një ambient ku qarkullojnë vetëm meshkujt, por duket se jo të gjithë janë aty për të marrë një armë apo për të hyrë në poligon, është ende herët për këtë lloj “sporti” që po njeh rritje ditë pas dite, ashtu si dhe fakti që tregtimi i armëve tashmë është një biznes që ka hyrë në normalitet.
Miratimi i ligjit në 2014 solli “bum” në interes
Në mes të vitit 2014, u miratua edhe ligji “Për armët”, që rregullon katër aspekte. Së pari, kushtet dhe kriteret për mbajtjen, ruajtjen, tregtimin, importimin, eksportimin, gjurmimin e transportimin, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të armëve të kategorive “B”, “C” e “D”.
Së dyti, marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe subjekteve për pajisjen me armë e municione, kur një e drejtë e tillë ka lindur për shkak të pronësisë apo të detyrës. Së treti, marrëdhëniet për lëshimin e licencave dhe autorizimeve nga Policia e Shtetit për çdo subjekt të interesuar për veprimtaritë e lejuara me armë, sipas kategorive të përcaktuara në këtë ligj. Së katërti, veprimtarinë e prodhimit, çaktivizimit dhe riparimit të armëve.
Me kalimin e këtij ligji u bë e mundur që çdo person mbi 25 vjeç dhe që përmbush një seri kriteresh të përcaktuara, mund të pajiset me armë pas marrjes së autorizimit nga strukturat përkatëse. Në funksion të kësaj ushtrojnë aktivitet edhe kompanitë e autorizuara për të tregtuar armë. Por si ka qenë interesi për blerjen e një arme nga ana e qytetarëve?
“Interesi ka qenë i lartë, sidomos gjatë viteve 2015-2016, kur ishte dhe fillimi dhe kur kishte një lloj kurioziteti lidhur me këtë pjesë. Këtë e them nga përvoja ime pranë kompanive që kanë si pjesë të tyre edhe këtë lloj aktiviteti. Viti 2017, duke qenë se është i treti nga hyrja në fuqi e ligjit ‘Për armët’, ka sërish interes, por në raport me dy vitet e mëparshme, është disi më i ulët”, shprehet Vasion Qilla, drejtues teknik pranë Military System Supply Company. Duket se kërkesa ka zbritur aty ku duhet të jetë për një treg që nuk është si të gjithë të tjerët. Të gjithë ata që kishin kuriozitet apo e kishin të nevojshme një armë me leje, sipas hapësirave që përcakton ligji, tashmë kanë plotësuar dokumentet, duke i lënë vend një rënie të kësaj tendence drejt volumit normal që duhet të ketë numri i transaksioneve.
Të dhënat zyrtare, 322 persona kanë armë me leje
Burime zyrtare pranë Policisë së Shtetit i thanë “Monitor” se, në zbatim të ligjit 74/2014 “Për armët” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, në treg operojnë kategori të ndryshme subjektesh të licencuara. Janë të paktën 33 subjekte të licencuara “Për import/eksport dhe tregtim për armët e kategorive “B1”, “B4”, “C” dhe “D”, janë 6 subjekte të licencuara “Për aftësimin teorik dhe praktik të personave për armët”, pra subjekte që lëshojnë dëshmi aftësie. Po kështu janë 6 Subjekte të licencuara “Për poligon civil qitje”, si dhe 2 subjekte të licencuara “Për transportin e armëve, pjesëve dhe municioneve të tyre të kategorive “B1”, “B4”, “C” dhe “D”.
Nga hyrja në fuqi e ligjit e deri më tani, interesi i atyre që duan të marrin një armë me leje në vendbanim është i lartë. Procedurat që duhet të kalojnë dhe dokumentacioni që duhet të plotësohet është relativisht i madh, çka bën që numri i atyre që kanë marrë një armë të jetë dukshëm i ulët.
Referuar të dhënave zyrtare nga hyrja në fuqi e ligjit janë pajisur me autorizim blerje/mbajtje armë zjarri për në vendbanim 322 persona. Janë të paktën pesë raste të cilëve ju është revokuar autorizimi për mbajtje arme zjarri në vendbanim, për arsye të shkeljes së rregullave të administrimit të tyre, si dhe humbjes së kritereve ligjore për pajisjen me autorizim mbajtje arme. Pra qytetarët nuk kanë respektuar kushtet që përcakton ligji, për mënyrën sesi duhet të administrohet arma, ose kanë shkelur një nga kushtet që ua humbet të drejtën që mund të lidhet me kundërshtimin e forcave të policisë, detyrimeve tatimore të papaguara apo dënim i formës së prerë nga gjykata.
Gjithsesi, pozitiv duket se është fakti që nga personat e pajisur me autorizim për mbajtje arme në banesë nuk ka asnjë rast të evidentuar për ngjarje kriminale. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit shprehen se, nga hyrja në fuqi e ligjit e deri tani, nuk konstatohet të ketë problematika që mund të derivojnë prej tij. “Veprimtaria e subjekteve të licencuara për veprimtaritë me armët, monitorohet dhe kontrollohet nga strukturat e Policisë së Shtetit, nëpërmjet kontrolleve dhe inspektimeve të drejtpërdrejta, si dhe nëpërmjet sistemeve elektronike të evidentimit të veprimtarisë të çdo subjekti dhe atyre të gjurmimit të armëve. Nuk janë konstatuar raste të shkeljeve të rregullave nga këto subjekte”, pohojnë të njëjtat burime.
Biznesi, interes për “armatosje”
Biznesi, jo rastësisht, ka interes për të pasur një armë me leje. Dokumentacionin duket se e kanë plotësuar një numër i konsiderueshëm. Kjo konfirmohet nga kompanitë e autorizuara për tregtim, të cilat shprehen se ka pasur interes pranë tyre për procedurën e blerjes, por në praktikë e kanë marrë një pjesë më e vogël. Dikur me ligj, armë mund të mbanin ato biznese që ishin anëtare të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë apo që provonin me dokument se kishin qarkullim të parave mbi 1 miliard lekë në vit. Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, e drejta u zgjerua dhe për këtë arsye, biznesi nuk ka më kufizime të kësaj natyre, por vetëm ato që specifikohen në ligj. Nuk ka një ndarje sektorësh për nga interesi i pajisjes me një autorizim për armë me leje. “Interesi është i përgjithshëm, nga të gjithë sektorët. Ka qenë ndoshta komuniteti i biznesit ai që ka shfaqur interesin më dinamik në fillim, duke plotësuar edhe dokumentacionin për pajisjen me autorizimin për blerje arme në vendbanim”, shprehet drejtuesi teknik pranë MSSC.
Të njëjtën gjë konfirmon edhe administratori i Rogat. “Ka pasur interes nga të gjithë, por ajo që vihet re është se ka një ecuri të ngadaltë në përpunimin e dokumentacionit nga sektori civil. Ndoshta kjo lidhet me volumin e punës së tyre, apo edhe faktin që ne procedurat i kemi ende me letër, por tipikisht zgjat më shumë sesa përcaktohet në ligj. Kosova, për shembull, i ka shumë më të shpejta procedurat, sepse aplikimet dhe ndjekjen i ka online, duke lehtësuar kështu burokracitë”.
Femrat preferojnë praktikën, frekuentim i lartë në poligone
Kurioziteti ka bërë që jo vetëm meshkujt, por edhe femrat, të drejtohen pranë dyqaneve ku tregtohen armë, por sidomos në poligonet civile. Mjafton t’u hedhësh një sy faqeve në rrjetet sociale që kanë kompanitë me licenca për poligone, dhe kupton se numri i tyre është i lartë në frekuentim. Preferojnë ta shohin si sport, si dhe të bëjnë praktikë për aftësim, por jo ta kenë një armë. Rastet e femrave që duan të blejnë një armë janë shumë të ulëta dhe numërohen me gishtat e dorës.
“Interes ka, janë kureshtare për të ditur si përdoret por nuk është se duan ta kenë një armë të tyren. Përgjithësisht vijnë në poligon duke e parë si një formë sporti”, shprehet Vasion Qilla. Gjithmonë e më shumë, poligonet po shihen si një mënyrë për të kaluar një kohë ndryshe. “Është kthyer në interes sportiv dhe vijnë grupe të ndryshme shoqërore. Është një trend. Shoh që femrat janë ato më të pasionuarat. Është një sport që të jep tjetër lloj adrenaline”, – pohon Gëzim Demiraj nga Pelikani Security.
Frekuentimi më i lartë është në fundjavë dhe kryesisht ora e pasdites dhe mbrëmjes. Praktika në poligone bëhet me armë që janë të autorizuara për t’u përdorur për këtë pjesë. Çdo poligon ka edhe rregullat e tij të funksionimit. E para, trajtojini armët si të jenë të mbushura. Çdo veprim me armë kryhet nën mbikëqyrjen dhe komandën e instruktorit, asnjë situatë apo veprim tjetër nuk merret i mirëqenë, por për çdo paqartësi kërkohet sqarim. Së dyti, mos e drejtoni armën në asnjë drejtim ku nuk ke qëllim të qëllosh. Në ambientet e poligonit, arma drejtohet vetëm në drejtim të sigurt të treguar më parë nga instruktori.
Arma ndalohet rreptësisht të drejtohet jashtë këtij drejtimi. Së treti, mbajeni gishtin jashtë këmbëzës së shkrepjes deri në momentin kur të jesh gati për qëllim. Së katërti, identifikoni qartë objektivin dhe sqarohuni çfarë ka përreth tij.
Por jo çdo njeri mund të ketë akses në poligon. Askush që nuk ka mbushur 18 vjeç nuk mund të hyjë në poligon. Regjistrimi dhe plotësimi i deklaratës mbi njohjen e rregullave të sigurisë është i panegocieshëm. Ndalohet hyrja e atyre që janë nën efektin e pijeve alkoolike, lëndëve narkotike dhe psikotrope. Ndalohet përdorimi i poligonit për personat që shfaqin shenja të çrregullimit mendor. Në hapësirën e poligonit ku zhvillohet aktiviteti me armët nuk lejohet konsumimi i pijeve, ushqimit apo duhanit./ Monitor